Presidentja Vjosa Osmani me të drejtë e ka kritikuar Peter Stano për qëndrimin e tij fodull e racist.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka vlerësuar si raciste deklaratat e zëdhënësit të Bashkimit Europian Peter Stano, i cili disa herë ka thënë se statusi i Urës së Ibrit duhet të zgjidhet në tavolinën e dialogut Kosovë- Serbi.
Osmani tha se as nuk do t’i jep vëmendje një zëdhënësi si Stano “që duket që është i Sllovakisë e që nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet”.
“Deklaratat e zëdhënësit të këtyre institucioneve janë mbi të gjitha raciste. Kështu që mendoj se as nuk meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaruar në raport me ato deklarata të tyre raciste gjatë gjithë kohës”- tha Osmani në një konferencë për media pas takimit me kryetarin e Vitisë Sokol Haliti më 15.08.2024.
Osmani tha se nuk ka asnjë arsye dhe e kundërshton në çdo mënyrë diskutimin për çështjen e Ibrit në Bruksel.
“Nuk kemi çka e pyesim Serbinë … Nuk ka çka pyetet Serbia për një urë që është brenda territorit të Kosovës”- tha Osmani.
Sipas saj, dialog për këtë temë me Serbinë nuk do duhej të pranonte askush. Do të ishte anti-kushtetues dhe kundër sovranitetit të Kosovës.
“Por, dialog me shpëtimtarët tanë, ajo jo që është e nevojshme dhe domosdoshme por është në interesin tonë mbi të gjitha”- shtoi ajo.
Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Kështu ka paralajmëruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“BE planifikon ta vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut”- ka thënë ai.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, më 14.08.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje.
Ministria e Infrastrukturës në orët e mbrëmjes së 13.08.2024 ka publikuar raportin që vë në pah nëse Ura e Ibrit është mjaftueshëm stabile për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën, ashtu siç po mëtojnë javët e fundit.
Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.
Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.
Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.
Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.