in

Prof.dr.Ymer Jaka: Përpjekjet e qeverisë angleze për t’i dalë në ndihmë Gani Kryeziut

Pas okupimit të Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Lëvizja Kryeziu zhvilloi një veprimtari të dendur për çlirimin e trojeve shqiptare duke i bashkërenditur veprimet e saj me ato të koalicionit antifashist, posaçërisht me përfaqësuesit anglezë të këtij koalicioni.

Ndërkaq, derisa fuqitë e mëdha të koalicionit antifashist synonin fitoren mbi nazifashizmin, Lëvizja Kryeziu krahas kësaj fitore kishte si synim edhe zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare, çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Radhitja e kësaj Lëvizjeje në anën e fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore ishte orientim i drejtë për të ardhmen e kombit tonë, mirëpo marrja e pushtetit në Shqipëri nga komunistët pas përfundimit të kësaj Lufte qe një fat i keq për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare të cilat vazhduan të ngelnin jashtë kufijve të cunguar të shtetit shqiptar, të përvijuar në Konferencën e Londrës të vitit 1913.

Pikërisht ky dështim i përpjekjeve për bashkimin kombëtar qe fatal edhe për Lëvizjen Kryeziu. Prijësi i kësaj Lëvizjeje, Gani Kryeziu, ndonëse luftoi kundër italianëve dhe gjermanëve, në fund të vitit 1944 u burgos nga komunistët, u dënua me pretekst se kishte bashkëpunuar me gjermanët dhe nuk doli i gjallë nga burgu, ndërsa i vëllai, Hasani, bashkë me disa pjesëmarrës të rendësishëm të Lëvizjes Kryeziu, u vranë në fshatin Hereç të komunës së Deçanit në ditët e para të janarit të vitit 1945.

Gani Kryeziu u burgos më 28 dhjetor të vitit 1944 dhe u dërgua së pari në burgun e Prishtinës, ndërsa më vonë në një burg të Beogradit, ku u nxor para Gjykatës Ushtarake të Komandës së Qytetit të Beogradit, e cila me vendimin nr. 1884/45, të datës 27 tetor 1945, e dënoi me pesë vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave politike dhe qytetare për dy vjet dhe me konfiskimin e tërë pasurisë personale.1                                                                                                                        Nga një seri dokumentesh të ruajtura në Arkivin Kombëtar të Britanisë së Madhe në Londër,2 61 sish që i kemi pasur në dorë, të periudhës prej 6 qershorit të vitit 1944 deri më 17 nëntor të vitit 1948, dalin të dhëna me interes mbi bashkëpunimin e Lëvizjes Kryeziu me anglezët dhe mbi ndërhyrjet e organeve qeveritare britanike për t’i dalë në ndihmë Gani Kryeziut pas burgosjes dhe dënimit të tij nga Gjykata Ushtarake e Beogradit.3

Nga një dokument i kësaj serie del në pah qartë përse pushteti jugosllav e shkatërroi pa mëshirë Lëvizjen Kryeziu, e burgosi dhe e dënoi prijësin e saj, Gani Kryeziun, ndërsa të vëllain, Hasanin, bashkë me 22 bashkëluftëtarë të tyre, i masakroi. Në këtë dokument gjendet teksti i deklaratës së Gani Kryeziut për popullin e Kosovës:

«Ju keni qenë të udhëhequr gabimisht nga prijësit që ju kanë thënë se Hitleri dhe Musolini janë miq të Shqipërisë dhe se Qeveria e Tiranës ka punuar me pëlqimin e aleatëve tanë. Gjermanët e kanë shpallur Shqipërinë të pavarur, por si mund të jetë ajo e këtillë kur qeveriset nga gjermanët? Miqtë tanë janë aleatët dhe e vetmja mënyrë që ta kemi përkrahjen e tyre është të luftojmë tani. Në asnjë mënyrë tjetër nuk mund të shpresojmë ta fitojmë pavarësinë në të ardhmen dhe ta përfshijmë Kosovën në Shqipëri. Le të bashkohemi pavarësisht nga partia, fisi ose feja, le t’i tregojmë botës se ne e dëshirojmë pavarësinë duke u ndihmuar aleatëve t’i luftojmë ato shtete që dëshirojnë t’i sundojnë shtetet e vogla».4

Pra, për shkak të synimit të Lëvizjes Kryeziu që Kosova të çlirohet një herë e përgjithmonë nga sundimi serb, qëndrim ky që ishte i theksuar edhe në Rezolutën e Bujanit, ku shprehimisht thuhet se për Kosovën do të vendoste në referndum vetë populli i saj pas përfundimit të Luftës, komunistët jugosllavë e shkatërruan pa mëshirë Lëvizjen Kryeziu.

Më vonë, në kohën kur Gani Kryeziu mbahej në burgun e Prishtinës, pas telegramit të dërguar nga Bari në Shtabin Kryesor të forcave aleate në Kazerta të Italisë, Zyra Qendrore e Rezident Ministrit në Kazerta e njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme, Forin Ofisin (Foreign Office),4a  në Londër:

«Me pikëpamjen e nxjerrë nga fakti se ky shqiptar në vazhdimësi luftoi kundër gjermanëve në rajonin e Kosovës dhe me vendosmëri punoi në anën tonë, brigadieri Hoxhson (Hodgson) porosit me këmbëngulje që madhëria e tij ambasadori në Beograd […] duhet të ndërhyjë në interes të Gani Kryeziut».5

Pas këtij njoftimi për burgosjen e Gani Kryeziut, ndërmjet Zyrës Qendrore të Rezident Ministrit në Kazerta, Forin Ofisit dhe ambasadës së Britanisë së Madhe në Beograd u këmbyen disa telegrame dhe letra.

Forin Ofisit, pas kërkesës së tij, iu dërgua informata për Gani Kryeziun, në të cilën, ndër të tjera, shënohet:

«Kemi njoftime se Gani Bej Kryeziu tani është duke u mbajtur në burg nga forcat jugosllave në Prishtinë dhe jeta e tij mund të jetë në rrezik. […] Kryeziu ishte njëri ndër bashkëpunëtorët tanë të parë aktivë në Shqipëri […] Ai është njeri i mirë, i edukuar, ka udhëtuar shumë dhe ka qenë i respektuar nga të gjithë oficerët ndërlidhës britanikë të cilët kanë pasur kontakte me të. Gjatë rrethanave të vështira ai u tregua ithtar i sinqertë i Britanisë dhe në vendin e tij është figurë kombëtare. […] Obligimi ynë ndaj Kryeziut është i padiskutueshëm, posaçërisht në situatën e tanishme. […] Për shkak të së kaluarës së tij, shpresojmë se do të jetë e mundshme ta nxjerrim Kryeziun nga pozita e tij e palakmueshme».6

Lidhur me propozimin e brigadierit Hoxhson7 që ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd të ndërhyjë për mbrojtjen e Gani Kryeziut, ky i fundit në telegramin e tij dërguar Forin Ofisit shkruan: «Unë mendoj se ne duhet të përpiqemi ta sigurojmë lirimin e Kryeziut. Nëse ju nuk keni ndonjë kundërshtim, unë do të ngre këtë çështje personalisht te Titoja pas kthimit të tij nga Moska. Mendoj se qeveria jugosllave është e gatshme ta lirojë Kryeziun, por nuk dëshiron që ai të qëndrojë në Jugosllavi, prandaj pa dyshim ne kemi detyrim t’i japim atij azil diku tjetër. A pajtoheni ju?»8

Forin Ofisi i përgjigjet ambasadorit në Beograd se pajtohet që Gani Kryeziut t’i sigurohet azili, me arsyetimin se «raportet janë të njëzëshme që Kryeziu ka bërë shërbime të çmueshme në të kaluarën» duke shtuar se «kjo pyetje nuk duhet të shtrohet deri sa ta kuptojmë reagimin e Titos».9

Gjashtë ditë më vonë ambasadori Stivenson (Stevenson) e lajmëron Forin Ofisin: «Unë e ngrita çështjen e burgosjes së Kryeziut me mareshalin Tito sot në mëngjes duke ia lënë atij memorandumin me kërkesën për arsyet e burgosjes së Kryeziut dhe duke theksuar faktin se ne jemi të interesuar për fatin e tij. Mareshali Tito u shpreh se nuk kishte kurrfarë dijenije për këtë çështje. Ai premtoi se menjëherë do të bënte hetime, rezultatet e të cilave do të m’i komunikojë mua».10 Në telegramin vijues dërguar Forin Ofisit ambasadori Stivenson njofton se nga Titoja kishte marrë përgjigje që ai ishte njoftuar se «Gani Kryeziu ishte i akuzuar për bashkëpunim me gjermanët».11

Nga një letër dërguar Forin Ofisit nga Zyra Qendrore e Rezident Ministrit në Kazerta e datës 30 maj 1945 del se në këtë kohë Gani Kryeziu gjendej në burg në Beograd.12

Pas një telegrami të Forin Ofisit në të cilin për Gani Kryeziun shtrohet pyetja: «A është bërë ndonjë përparim tjetër»,13 ambasadori Stivenson përgjigjet: «Unë i kam dërguar tri njoftime Qeverisë Jugosllave për këtë çështje. Zëvendës sekretari i shtetit të Punëve të Jashtme pohoi se Kryeziu gjendet në burg dhe shtoi se ai si kosovar teknikisht është shtetas jugosllav».14

Nga një telegram i mëvonshëm i ambasadorit bitanik mësojmë se ai për çështjen e Gani Kryeziut kishte biseduar edhe me Dr. Ivan Shubashiqin, ministër i Punëve të Jashtme, i cili kishte deklaruar  se «Qeveria jugosllave e shikon këtë çështje si plotësisht të brendshme. Gani Kryeziu është shtetas jugosllav dhe në këto rrethana është vështirë për Qeverinë jugosllave të lejojë që një qeveri e jashtme të ketë ndonjë të drejtë të ndërhyjë».15

Në një telegram të Forin Ofisit dërguar ambasadës britanike në Beograd thuhet: «Pajtohem që hapësira për ndërhyrjen tonë është e kufizuar, por unë nuk dëshiroj të heq dorë nga çështja Kryeziu pa bërë përpjekje të mëtejme në interes të tij. Nëse nuk keni asgjë kundër, ju do të duhet të vazhdoni të bisedoni me doktor Shubashiqin. […] Ne nuk mund të qëndrojmë mospërfillës për fatin e tij, meqë nuk e kemi zakon t’i braktisim shokët tanë.»16

Në përgjigjen e tij Forin Ofisit, ambasadori Stivenson njofton se kishte biseduar me Dr. Shubashiqin për çështjen e Gani Kryeziut,17 ndërsa më vonë i kishte dërguar letër Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë me kërkesën që të njoftohej për «ndonjë zhvillim të mëtejmë në çështjen e Gani Kryeziut».18

Pas telegramit të Said Kryeziut, dërguar minitrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Ernest Bevinit (Ernest Bevin) dhe majorit S. E. Vatraus (S. E. Watrous) për rrezikun që i kërcënohej të vëllait të dënohej me vdekje dhe kërkesës që të ndërhynin për shpëtimin e tij,19 Forin Ofisi e njoftoi ambasadën britanike në Beograd se «Kryeziu mund të jetë në rrezik të pashmagshëm të dënohet me vdekje duke u mbështetur në akuza të kurdisura. Ju lutem të hetoni urgjentisht».20

Në përgjigjen drejtuar Forin Ofisit sekretari i parë i Ambasadës britanike në Beograd, F. U. Dikin (F. W. Deakin), shkruan: «Ganiu nuk do të dënohet me vdekje. Kam theksuar se kërkoj hollësitë e akuzës kundër tij. […] Në qoftë se përgjigjja nuk është e “kënaqshme”, pajtohem se kësaj çështjeje duhet t’i jepet publicitet dhe propozoj, nëse pajtoheni ta informojmë korrespondentin e Dejli Telegrafit (Daily Telegraph) këtu».21

Në një letër dërguar Forin Ofisit lidhur me raportin e majorit Simkoks (Simcox), koloneli Boksholl (Boxhall) propozon që të ndërmerren veprimet si vijon: «Që kopja e raportit të majorit Simkoks t’i vihet në dispozicion ambasadës sonë në Beograd; t’i bëhet parashtresë Qeverisë Jugosllave, të mbështetur në fakte, aq sa i dimë, që të arrijmë që dënimi i padrejtë të shfuqizohet; po të dalë kjo punë e pamundshme, t’i japim publicitet të zgjeruar në shtyp dhe nëpërmjet BBC-së për faktet e vërteta që i njohim dhe t’i nxjerrim në shesh akuzat e kurdisura, nëpërmjet të cilave një patriot i ndershëm është dënuar, dënim ky që duhet të jetë i palejueshëm».22

Një muaj më vonë, menjëherë pas shqiptimit të dënimit të Gani Kryeziut zyrtarët britanikë ndërhynë te zyrtarët jugosllavë për heqjen ose uljen e dënimit të shqiptuar.

Kështu, në një letër dërguar gjeneralit Velebit, zëvendës sekretarit të shtetit të Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, sekretari i parë i ambasadës britanike në Beograd, F. U. Dikin, ndër të tjera shkruan: «Siç e dini, Gani Kryeziu bëri shërbime me vlerë duke i përkrahur Aleatët gjatë luftës, prandaj ne e kemi shqyrtuar akuzën e paraqitur kundër tij në dritën e dëshmive të siguruara nga oficerët ndërlidhës britanikë  të cilët […] janë të bindur se ka pak mbështetje për akuzën sipas të cilës Kryeziu është dënuar dhe do t’ju jem mirënjohës në qoftë se ua tërhiqni vërjetjen autoriteteve jugosllave për dëshmitë të cilat i bashkëngjita me qëllim që dënimin e Kryeziut ta shfuqizojnë ose ta ulin».23

Deri në muajin maj të vitit 1946 Forin Ofisi iu drejtua dy herë Gjykatës Civile në Beograd me kërkesën që të njoftohej a i ishte dhënë ndonjë përgjigje letrës së Z. Dikin dërguar gjeneralit Velebit.24

Gjykata Civile e Beogradit, me letrën dërguar Forin Ofisit lidhur me letrën e Dikinit përgjigjet se gjenerali Velebit, pas bisedës me ministrin e brendshëm, gjeneralin Rankoviq, kishte deklaruar se «brenda gjashtë muajve ose vitit të ardhshëm Kryeziu mund të amnistohej».25

Në një letër të Forin Ofisit dërguar Gjykatës Civile në Beograd, pas pohimit se e kishte të qartë se në rrethanat ekzistuese Gani Kryeziu nuk mund të lirohej nga burgu, shtohet: «Ne mund ta shtrojmë përsëri çështjen e padisë pas disa muajsh dhe të përpiqemi  ta përshpejtojmë amnistinë e tij».26

Gjashtë muaj më vonë, Forin Ofisi në një letër drejtuar Gjykatës Civile shtron pyetjen: «A mund të na tregoni a është amnistuar Kryeziu, a mendoni se bën ta ngremë prapë këtë çështje me autoritetet jugosllave».27

Pas kësaj letre në dosjen për Gani Kryeziun, të ruajtur në Arkivin e Forin Ofisit, për një periudhë njëvjeçare nuk ndeshim në asnjë dokument. Dokumenti i parë pas atij të fundit të vitit 1946 është një letër e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë drejtuar Ambasadës së Britanisë së Madhe në Beograd, sipas së cilës del se kjo ambasadë me notën e datës 19 dhjetor të vitit 1947 i ishte drejtuar Ministrisë së sipërpërmendur me kërkesën që të amnistohej Gani Kryeziu.28 Ministria e Punëve të Jashtme e Jugosllavisë  kësaj kërkese i përgjigjet: «I lartpërmenduri është duke e vuajtur ndëshkimin me të cilin është dënuar nga gjykata kompetente ngase ka bashkëpunuar me armikun gjatë luftës. Duke qenë se kushtet për amnisti të parapara me ligj nuk janë plotësuar, Gani Kryeziu do të mbetet në burg deri sa ta përfundojë dënimin».29

Kjo ndërhyrje e ambasadës së Britanisë së Madhe lidhet me një letër të cilën e kishte marrë njëri ndër anëtarët e Misionit anglez në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, Xhulian Emëri (Julian Amery), nga Said Kryeziu se i vëllai, Ganiu, kishte vështirësi shëndetësore me mushkëritë dhe shtypjen e gjakut dhe se frikësohej se mund të vdiste në qoftë se së shpejti nuk lirohej nga burgu.

Ky qëndrim i ashpër i Beogradit shpjegohet me gjendjen e krijuar pas acarimit të marrëdhënieve të Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik, marrëdhënie këto që përfunduan me Rezolutën e Informbyrosë të muajit qershor të vitit 1948, kur vendet e bllokut komunist i ndërprenë të gjitha marrëdhëniet me Jugosllavinë.

Një pandehmë e këtillë mund të mbështetet në një letër të Gjykatës Civile të Beogradit drejtuar Forin Ofisit në të cilën, lidhur me mundësinë e lirimit nga burgu të Gani Kryeziut, kjo Gjykatë përgjigjet: «Ne kemi frikë se në rrethanat e tanishme, kur jugosllavët duan të tregojnë se janë më komunistë se Moska, çdo bashkëpunim i mëtejmë i drejtpërdrejtë me ne do t’i shkaktojë më shumë dëm se dobi Kryeziut. Në anën tjetër ne mendojmë se është e mundshme që jugosllavët mund të mendojnë se ia vlen mbajtja gjallë e Kryeziut si një kërcënim potencial kundër shqiptarëve. Në rast se ekzistenca e tij ka qenë e harruar në shtyp për çështje të tjera, ambasadori pajtohet ta përmendë këtë rast në rrjedhën e dialogut me një anëtar më të vjetër të partisë jugosllave i cili ka qenë asistent i ministrit të Punëve të Jashtme kur do ta ketë mundësinë e parë. Kemi frikë se kjo është e tëra që mund të bëjmë për Kryeziun në këtë moment».30

Në dosjen e ruajtur në Arkivin Kombëtar të Britanisë së Madhe gjendet një dokument me rëndësi të posaçme. Tri javë pas dënimit të Gani Kryeziut nga gjykata serbe, në letrën e datës 16 nëntor 1945, të nënshkruar nga Boksholli, drejtuar Forin Ofisit për ndërhyrje në të mirë të Gani Kryeziut, ndër të tjera ai shkruan:

«Më bën përshtypje edhe një arsye tjetër e cila do të ketë mundur ta shtyjë Titon t’ia marrë lirinë Gani Beut, që mund të lidhet me faktet vijuese:

Ju mund të mbani mend se një herë është raportuar që Titoja ka deklaruar se do të pajtohet lidhur me referendumin në rajonin e Kosovës, po qe se ajo do të mbetet në Shqipëri ose t’i rikthehet Jugosllavisë. Kur gjermanët u mundën, Titoja e ndryshoi këtë qëndrim dhe me sa duket e njoftoi Enver Hoxhën se Kosova duhet t’i mbetet Jugosllavisë, ashtu si kishte qenë para luftës.

Hoxha kurrë nuk ka pasur guxim t’ia japë këtë lajm popullit shqiptar. Mund të jetë kjo arsyeja përse Ganiu e nisi betejën “Kosova për shqiptarët”, ai mund ta kishte pasur shumicën e fshatarëve prapa tij, duke krijuar në këtë mënyrë mosmarrëveshje midis jugosllavëve dhe shqiptarëve».31

Sa na është e njohur, deri tani nuk është bërë fjalë për këtë deklaratë që i atribuohet Titos. Dokumenti në të cilin përmendet kjo deklaratë mban datën 16 nëntor 1945, pra është i një periudhe para se Titoja të takohej me Enver Hoxhën në Beograd, në vitin 1946, kur dihet se kur ky i fundit e ngriti çështjen e Kosovës, mori përgjigje nga Titoja se për këtë çështje nuk mund të diskutohej ngase do të haste në kundërshtimin e udhëheqësve serbë. Mbetet që historianët të cilët merren me studimin e kësaj periudhe të historisë sonë të bëjnë hulumtime lidhur me këtë pohim të një anëtari të misionit anglez në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sa i përket Gani Kryeziut, si po del nga dokumentet e ruajtura në Arkivin Kombëtar të Britanisë së Madhe, qeveria britanike bëri orvatje energjike dhe të vazhdueshme për t’i dalë në ndihmë aleatit të saj në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e ngritur çështjen e tij deri në shkallët më të larta të pushtetit jugosllav të asaj kohe, në takimet e zyrtarëve britanikë me zëvendës sekretarin e shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Vlladimir Velebitin, me ministrin e Punëve të Jashtme, Ivan Shubashiqin dhe me vetë mareshalin Tito, mirëpo pushteti jugosllav te Gani Kryeziu shihte një armik të rrezikshëm, prandaj nuk lëshoi pe ndaj të gjitha trysnive britanike dhe ishte i vendosur jo vetëm të mos e lironte nga burgu, por as të mos e lëshonte të dilte i gjallë, ashtu si veproi.

Këto dokumente hedhin dritë për periudhën e fundit të jetës së Gani Kryeziut, për orvatjet e qeverisë britanike për t’i dalë në ndihmë, për ndërhyrjet e Said Kryeziut pranë autoriteve britanike për ta shpëtuar të vëllain nga vdekja dhe njëherësh nxjerrin në shesh karakterin e Lëvizjes Kryeziu, luftën e saj kundër nazifashizmit, synimin e saj për ta çliruar Kosovën nga zgjedha serbe dhe për bashkimin e saj me Shqipërinë.

Nga këto dokumente del se misionarët anglezë me të cilët bashkëpunoi Gani Kryeziu kishin mendim të lartë për personalitetin e tij, për bashkëpunimin e tij pa hile kundër nazifashizmit dhe se tek ai shihnin një atdhetar të paepur, i cili luftoi për lirinë e popullit të tij. Nuk ka dyshim se Gani Kryeziu nuk e pësoi fatin e të vëllait, Hasanit, dhe të 22 bashkëluftëtarëve të tyre, të cilët u vranë mizorisht në Hereç, për shkak të frikës nga rrjedhimet në marrëdhëniet që kishte në atë kohë Jugosllavia me Britaninë e Madhe, mirëpo megjithatë nuk mundi t’i shmangej burgosjes, dënimit dhe vdekjes në burg, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë britanike për ta liruar nga burgu dhe për ta shpëtuar nga vdekja.

PËRKTHIMI I DOKUMENTIT 45545 NGA FRËNGJISHTJA

Duke iu përgjigjur Notës së Ambasadës Britanike të datës 19 dhjetor 1947 lidhur me amnistinë e Gani Kryeziut, Ministria e Punëve të Jashtme ka nderin t’ia bëjë të njohur Ambasadës se i lartpërmenduri është duke e vujatur ndëshkimin me të cilin është dënuar nga Gjykata kompetente ngase ka bashkëpunuar me armikun gjatë luftës. Duke qenë se  kushtet për amnisti të parapara me ligj nuk janë plotësuar, Gani Kryeziu do të mbetet në burg deri sa ta përfundojë dënimin.

Ministria e Punëve të Jashtme e shfrytëzon këtë rast për t’ia përsëritur Ambasadës Britanike nderimet e veta të larta.                                                                       

                                                                                                                              Beograd, 21 shkurt 1948

AMBASADËS BRITANIKE BEOGRAD

Ref. Fo/371/72110                                                            247765

Derisa SPAK e burgosi Veliajn, Kosova ndodhet ende nën ethet e zgjedhjeve

Juria shpall 10 autorët gjysmëfinalistë të Çmimit Kadare 2025