Prokopi i Cezarës në shekullin V pas Krishtit e përmend me emrin Peterzen. Në burimet bizantine është quajtur Prisdriana. Kur u ndanë dy perandoritë, Prizreni i takoi Konstantinopojës, pastaj u qeverisë nga sundimtarë arbërorë.
Shkruan: Gani Mehmetaj
Labët me grupin polifonik e kishin pushtuar kështjellën ilire të Prizrenit. Zëri i këngëtarëve shpërndahej në errësirë, i përkëdhelte muret e vjetra, vërshonte qetas hyrjen kryesore, mbase jehona e këngës pikëllimtare shpërndahej nëpër rrugët e gurta të qytetit të vjetër. Zëri i parë i labit me qeleshe, herë ngrihej sikur lëshonte kushtrimin, herë ishte lirik, ndërsa pastaj ndiqej nga zëra tjerë që e plotësonin, e forconin, bënin që të te kthenin shekuj prapa, atëherë kur kënga këndohej me afshe e emocione.
Atmosfera në brendësinë e kështjellës, ishte e pazakonshme, qetësuese, si në përralla. Koha qe ndal. Dritat e mbrëmjes e skenografia të rregulluara me shije, të ofronin intimitet e mistikë, me muret e vjetra, me rrënojat e pallateve e themelet e restauruara. Pjesa më e madhe e kureshtarëve atë mbrëmje ishin të rinj, dardanë e të huaj. Stina e verës është e këndshme në qytetin e Prizrenit. Vetëm kështjella e Dardanisë në Nish (me dyer madhështore të restauruara), që e rindërtoi Konstantini i Madh, i bënë konkurrencë më hapësirën e përshtatur për manifestime kulturore e ngjarje të shënuara. Por për visoret përtej kështjellës nuk ia kalon mbase asnjë kështjellë e Ilirisë.
Pamja e qytetit nga kështjella është më mbresëlënëse, të ofron kënaqësi të veçantë mbrëmjeve me ndriçim, të shpalon gërmimet arkeologjike që nxorën në sipërfaqe kulturën materiale e shpirtërore të ilirëve, ta ringjallin botën antike ilire, lugina shkëlqen me lumin e dritave. Kështjella ishte vetëm pjesë e qytetit të vjetër, me vazhdimësi qytetërimi. Në bërthamën e qytetit të vjetër janë zbuluar termo-objekte me ngrohje qendrore, pagëzimore, vendbanime antike etj. Jeta e mirëfilltë është zhvilluar në qytet. Është përshtypje e përgjithshme se ngado që të gërmosh do të dalin objekte të vjetra, faltore, objekte kulti e stoli.
Rruga nga Fontana (Shatërvani) të portat kryesore është më e rrepinjtë se sa në Gjirokastër, Berat apo Artan. Shatërvani është pika ku takohen të rinjtë, ishte vendi ku dikur këngëtarët e aktorët ilirë bënin shfaqje para auditorit, të mençurit (filozofët) bënin debate në freskun e natës, apo pasditeve, ushtarakët e sundimtarët mblidhnin ushtarë pasi e lëshonin kushtrimin nga maja e kështjellës. Lumbardhi i jep sharmë të veçantë, e bënë qytetin më të bukur në shtetin e ri të Dardanisë. Urat me harqe të duken si të vinin drejt nga antika, elegante e të rënda njëkohësisht. Muret e gurta që e frenojnë ujin e rrëmbyer vjeshtës e pranverës i japin pamjen e qytetit piktoreskë.
Kush nuk ka dëgjuar për Marashin? Sa këngë janë kënduar dashurive të fshehta e vendtakimeve të të rinjve në fundjavët e famshme, kur dilej në fundjavë me një zymbyl me ushqime e me një beze të bardhë shtroje në bar. Kush nuk ka dëgjuar për Zambakun e Prizrenit e për këngët e vjetra qytetare shqiptare? Po për Rrapin më të vjetër në vend? Natyra është një perlë që i rrethon vendbanimet.
Qyteti i Lumbardhit është larg nga deti, por e ka klimën mesdhetare, sharmin e qyteteve të mesdheut dhe kulturën e butësinë karakteristike të kësaj hapësire gjeografike. Kush nuk e ka shijuar ujin e ftohtë të krojeve të qytetit? ‘Po rrjedha e ujit që bie nga shkëmbi? Kur shkel rrugëve të shtruara me gurë lumi se si e ndejnë vetën, një herë të rrëmbushën sytë me lot, sepse të kujton diçka që s’e gjen më askund tjetër, herën tjetër ta kthen antikën e mesjetën në pamjen e vet origjinale.
Prizreni është kryeqyteti historik i shqiptarëve, qyteti i dhjetëra aktorëve të famshëm, që i dhanë filmit e teatrit vepra me vlerë. Prizreni është qyteti i Bekim Fehmiut me mallin e të cilit ai vdiq, por e la me fjalë që hiri i trupit të tij të hidhej në Lumbardh me një ritualë të veçantë, që u bë. Shtëpitë e ngjeshura me rrugica të ngushta, uji i bollshëm e gjelbërimi që e rrethon, janë karakteristika të tjera të Prizrenit.
Rufaitë, helvetitë e dhjeta sekte tjera mistike iraniane e të lindjes së mesme, erdhën me pushtuesin otoman, u ngulitën dhe krijuan çerdhet e tyre. Çelën faltoret-teqët ku e bënin ritualin e shpimit me thika e me shpata në natën e veçantë që zgjatë deri në mëngjes. Bërthama e vendbanimit, qyteti i moçëm ka faltore të vjetra e të reja, aty ku dikur ndërtuan ilirët, aty ku e rindërtoi pastaj qytetin Justiniani dardan. Faltoret më të reja janë ndërtuar mbi faltoret e vjetra. Në qytet stili evropianë lufton për jetë a vdekje me orientin frymëzënës. Faltoret përpiqen ta dëshmojnë praninë e tyre natën e ditën. Kishat bizantine, uzurpuesit, klerikët serb i kanë futur në rrethoja e barrikada, ua kanë marr shqiptarëve, sikur duan të izolohen jo vetëm nga vendësit. Kisha katolike, ishte seli ipeshkvore qe nga antika. Pastaj erdhën minaret e xhamive, hamamet e teqet. Në kohë të caktuara secila prej tyre thërret besimtarët në meshë a në falje.
Xhamitë janë më të zhurmshme dhe më të numërta. Secila minare bënë garë me tjetrën, ndërsa gati njëqind altoparlantë nga minaret mikun tim nga Tirana, që erdhi për herë të parë në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e tronditen në pesë të mëngjesit. Mori t’i ankohej të parit të myslimanëve për këtë shqetësim gjumi, por e qetësuan. Kot që i thua. Nuk je i pari vizitor që ankohesh në zhurmën e altoparlantëve. “Pse duhet ta zgjojnë tërë qytetin në pesë të mëngjesit? Ky është terror”, me ankohej mua, thuase mund të ndërhyja të zyrtarët përkatës. Bulurimat e altoparlantëve nuk të lënë të dëgjosh as zërin e filmave në kinematë verore. Nga fjalët e mikut një natë vere, kureshtja me cyti të futesha brenda rrethojave të një xhamie, ku shiteshin rrobat, pastaj zbukurime të grave, burrave e mallra të lira si në Çarshinë e Stambollit. Xhamia ishte një pazar i vogël brenda Prizrenit. Një pjesë e qytetit përpiqen ta imitojnë Stambollin e vjetër, nuk shkëputën dot nga mesjeta anadollake.
Prizreni ka vazhdimësi nga parahistoria. Kështjella e vjetër, e vendosur mbi një kodër që e mbizotëron qytetin nga të dhënat arkeologjike e hulumtimet e rastit dëshmon se qyteti ishte i banuar tre mijë vjet më parë. Prokopi i Cezarës në shekullin V pas Krishtit e përmend me emrin Peterzen. Arkeologë e kronika të moçme e lidhin me qytetin antik Theranda. Në mesin e kështjellave të rimëkëmbura nga perandori Justinian përmendet me emrin Kështjella e Petrizenit, që e zëvendësoi emërtimin e mëparshëm Theranda. ndërkaq, në burimet bizantine është quajtur Prisdriana.
Prireni ishte qendër e rëndësishme tregtie e prodhimi, seli e Ipeshkevisë katolike dardane-arbërore, seli princore, nyje që lidhte rrugën antike Nish- Shkup- Lezhë. Kur u ndanë dy perandoritë, Prizreni i takoi Konstantinopojës, pastaj u qeverisë nga sundimtarë arbërorë, e më vonë u pushtua nga turqit e serbët.


