Bari (ilaçi, turqisht) osimertinib u tregua se e përgjysmon rrezikun e vdekjes nga lloji më i zakonshëm i kancerit të mushkërive kur merret çdo ditë pas operacionit për heqjen e tumorit, sipas rezultateve të provës klinike të paraqitura të dielën.
Rezultatet u shpallën në Çikago në konferencën më të madhe vjetore të specialistëve të kancerit, të organizuar nga Shoqata Amerikane e Onkologjisë Klinike (ASCO).
Kanceri i mushkërive është forma më vdekjeprurëse e sëmundjes, me rreth 1.8 milionë vdekje në mbarë botën çdo vit.
Bari i zhvilluar nga grupi farmaceutik AstraZeneca quhet osimertinib dhe shitet me emrin Tagrisso.
Ky bar e godet kancerin e mushkërive te pacientët me të ashtuquajturin kancer të qelizave jo të vogla, lloji më i zakonshëm që tregon një lloj të caktuar mutacioni.
Këto mutacione, në të ashtuquajturin receptor të faktorit të rritjes epidermale, ose EGFR, prekin 10 deri në 25 për qind të pacientëve me kancer të mushkërive në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, dhe 30 deri në 40 për qind në Azi.
Prova klinike përfshiu 680 pjesëmarrës në fazën e hershme të sëmundjes (fazat 1b deri në 3a), në më shumë se 20 shtete. Ata fillimisht duhej të operoheshin për ta hequr tumorin, më pas gjysma e pacientëve morën një ilaç të përditshëm dhe gjysma tjetër një ilaç placebo (një substancë ose trajtim që e krijuar të mos ketë asnjë vlerë terapeutike).