in

Presidentja Osmani fton bizneset tajlandeze të investojnë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po vazhdon qëndrimin në Tajlandë. Ajo sot ka marrë pjesë në tryezën e karakterit ekonomik të organizuar nga Ambasada e Kosovës.

“Në kuadër të vizitës në Tajlandë u mbajt tryeza e karakterit ekonomik e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Diplomatik, Odën Ekonomike Tajlandeze dhe Bordin e Tregtisë së Tajlandës që ka 115,417 anëtarë dhe përfaqëson mijëra biznese. Në prezencë të bizneseve e shoqatave nga Tajlanda, në mesin e të cilave disa nga kompanitë më të suksesshme aziatike në fushën e energjisë, ICT, tekstilit, arsimit e turizmit, diskutuam për mundësitë e tërheqjes së investitorëve nga ky shtet, si dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare në mes të dy vendeve”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.

Gjatë vizitës, delegacionit iu bashkua edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, z.Arian Zeka, i cili bëri prezentimin për potencialin ekonomik të Kosovës para bizneseve tajlandeze.

Presidentja Osmani ka potencuar mundësitë e Kosovës për investitorët e huaj, duke përmendur hapat përmbajtësor në sundimin e ligjit dhe  krijimin e mjedisit të përshtatshëm për investitorët e huaj.

Më tej, Presidentja Osmani ka përmendur edhe asetin kryesor të shtetit të Kosovës, moshën e re të popullsisë dhe shkollimin e tyre, gjë që i bën të gatshëm për tregun e punës.

Presidentja Osmani i ka ftuar bizneset e Tajlandës për një vizitë në Kosovë, duke theksuar se shteti ynë ofron mundësi të shumta për investitorë të huaj, duke përmendur këtu pasuritë natyrore të shumta, por edhe tokën bujqësore.

Disa nga bizneset pjesëmarrëse në forum kanë shfaqur interesim për mundësinë e investimeve në Kosovë, teksa kanë lënë të hapur mundësinë e shqyrtimit të ideve për bashkëpunim konkret në fusha specifike.

Lini një Përgjigje

U hap kufiri Kosovë – Shqipëri

Ukraina: Mbi 34,700 trupa ruse të vrarë në luftë