Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, vazhdon të marrë pjesë në takime e aktivitete të ndryshme të parapara sipas protokollit zyrtar.
Mes të tjerave, ajo mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rrugës “Ibrahim Rugova” në komunën e Çairit në Shkup.
Me këtë rast, presidentja Osmani-Sadriu tha se ky është një nder jo vetëm për të e familjen e presidentit Rugova, por për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Çairi do të jetë përjetë i nderuar që po e përjetëson emrin e presidenti Rugova në këtë rrugë”, tha Osmani-Sadriu, duke shtuar se kjo tabelë me këtë emër, do të jetë udhërrëfyese edhe e veprës së presidentit Rugova.