in

‘Post Festival’ përmbledh Festivalin e Këngës, ia hap dyert dokumentarit

Me maratonën televizive prej katër orësh, “Post Festival” ka përmbledhur zyrtarisht edicionin e parë të Festivalit të Këngës në RTK. Kjo ngjarje hyri në histori si iniciativa e parë për rikthimin e një adrese garuese dhe një ngjarje kulturore të nivelit të tillë.

Gjatë transmetimit, të pranishëm në panel qenë personalitete të ndryshme. Krasta ka premtuar dokumentar me të gjitha prapaskenat, ndërkaq Bordi i RTK-së ka konfirmuar se po punohet që fituesi i edicionit të dytë të shkojë në “Eurovision”.

Krasta: Edicionin e dytë do ta shoh si gjithë publiku

Drejtori i Festivalit, Adi Krasta në përmbyllje të “Post Festivalit” ka përshëndetur shikuesit duke paralajmëruar se edicionin e radhës do të jetë në mesin e publikut.

“Për mua do të jetë lumturi shumë e madhe që edicionin e dytë të Festivalit të Këngës ta shoh si gjithë publiku nga platforma në karrigë, për të admiruar atë që kolegët e ardhshëm do të bëjnë”, ka thënë Krasta.

Krasta ka premtuar një dokumentar i cili do të përmbledh gjithë ecurinë dhe prapaskenat e kësaj ngjarje historike.

“Do të mundohemi të themi ato që nuk thuhen. Me pamje televizive, momente reale për të kuptuar që një projekt i tillë është i vështirë dhe i vetmi justifikim është për të bërë diçka të mirë në emër dhe interes të publikut të Kosovës”, ka thënë drejtori i Festivalit të Këngës.

La Fazani: E kam marrë energjinë nga nata e parë që publiku është me mua

Fituesi i edicionit të parë të Festivalit të Këngës, La Fazani i cili garoi me këngën “Oj Kosovë”, ishte i pranishëm në “Post Festival”.

“Mendoj që ende s’ka arritur të depërtojë në masë mesazhi i këngës”, ka thënë La Fazani.

Ai ka thënë se që në fillim të performancës së parë ka dalluar konfirmimin e pëlqimit të publikut.

“Definitivisht e kam dalluar që në sallë e kam marrë energjinë e publikut prej natës së parë, edhe pse unë s’kam qenë i kënaqur me performancën e parë për shkak të emocioneve. Por prej atëherë është dalluar që publiku është me mua”, ka thënë ai në “Post Festival”.

Kënga e tij është gërshetim mes gjallërisë skenike dhe përmbajtjes tekstuale e cila në vete ngërthen satirën, ironinë dhe realitetin e një patriotizmi të zbehtë. Kënga është cilësuar nga juria për larminë mes të qenit hip hop, funk e rap.

Sjostrom: Performancat ishin të mira, duhet të punohet më shumë në këngë

Anëtarja e jurisë profesionale të Festivalit të Këngës në RTK, suedezja  Ulja Sjostrom, nga “Post Festivali” tha se Kosova ka zëra të mirë, por që duhet të punojnë më shumë në drejtimin e kompozimit të këngëve për një publikë më të gjerë.

“Kam qenë e impresionuar nga shumë prej artistëve, zërat dhe performancat e tyre janë shumë të mira. Gjithçka ishte perfekte, por e vetmja gjë që duhet përmirësuar është të punoni më shumë për këngë, sepse do të duhej të ishin më interesante për dëgjuesit e jashtëm”, tha ajo.

Ajo ka komentuar edhe fituesin e Festivalit të Këngës, La Fazanin me këngën “Oj Kosovë”, duke thënë se po të ishte mundësia e konkurrimit në “Eurovision”, kjo këngë do të mund të shkonte në garën evropiane.

“Kënga e çmimit të parë ishte kënga e vetme që juria ka qenë e unifikuar për vendimin. Për mua ka qenë interesante gërshetimi mes inovacionit, pjesës qesharake dhe me dromca të kulturës vendase. Kishte hip hop, rap, funk. Kishte stile të shumta dhe kjo e bënte interesante për mua. Mendoj që kjo do të mund të votohej për ‘Eurovision’ dhe mund të mos fitonte por nuk do të ishte nga këngët e fundit të vlerësuara”, ka thënë Sjostrom.

Ndërkaq sa i përket Kosovës ajo tha se ka ndjerë mirëseardhjen e njerëzve si të ishte në shtëpi.

‘Post Festivali’ sjellë dimensione të ndryshme të skenës e prapaskenësAlbana Haxhimustafa nga RTK e cila ka kryesuar grupin e vullnetarëve dhe të rinjve të cilët me gatishmëri të plotë kanë dhënë përkushtimin e tyre ndaj Festivalit të Këngës, ka ndarë eksperiencën me ta në “Post Festival”.

“Kur jemi takuar herën e parë me ta ju kemi thënë që do të ndodhin edhe bërtima, do të flasin e do kërkojnë, por ju duhet të jeni të qetë dhe të buzëqeshur dhe ashtu ka ndodhur”, ka thënë Haxhimustafa.

Fituesi i çmimit të tretë, Albin Nikprelaj i cili debutoi me këngën “Ajo”, tha se kjo ngjarje u bë shtysë për të. 

“Festivali i Këngës më ka dhënë një shenjë që të vazhdoj sepse puna dhe përkushtimi i çdo artisti pritet që në fund të shpërblehet. Çmimi dhe finalja është arritje në veti. Më duket se të gjithë e ndjejmë veten fitues sepse kemi shprehur artin”, ka thënë Nikprelaj.

Auron Deva i cili garoi me këngën “Çmimi i dashnisë”, ka veçuar natën e dytë të edicionit të parë të Festivalit të Këngës.

“Nuk do ta harroj asnjëherë emocionin e natës së dytë. Kur kemi dalë nga skena ka qenë sikur kemi hyrë dhe jemi larë me rroba. Jam shumë krenar me veten dhe balerinët e mi që e kemi treguar veten, e duam skenën, performancën dhe këngën”, ka thënë Deva.

Klea Dina ka konkurruar me këngën “Trenat” në Festivalin e Këngës.

“E rëndësishme në festival ka qenë ta shijoj, jam ndjerë shumë rehat”, ka thënë Dina.

Durmishi: Festivali i Këngës-ndërmarrje shumë e madhe, plotësim i karrierës

Në “Post Festival” po shpalosen edhe prapaskenat e Festivalit të Këngës nëpërmjet punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të RTK-së.

Gazetarja disa vjeçare e Radio Kosovës, Flora Durmishi, tha se Festivali i Këngës është plotësim i karrierës së saj.

“Ishte një lindje e bukur por e vështirë. Kisha shumë frikë, më dukej ndërmarrje shumë e madhe, kisha dilema a do ta përballoja apo jo. Por e zija veten duke thënë se Adi është aty dhe siguria fitohej. Jam shumë e lumtur që kam pasur fatin të punoj në këtë projekt, është plotësim i karrierës sime disa vjeçare në Radio Kosovë”, ka thënë Durmishi.

Arta Bajrami nga RTK ka treguar për sfidat e organizimit, të cilat kanë qenë të gjata dhe shpesh të mundimshme.

“Unë në fillim e kam pranuar me dashamirësi kërkesën për të qenë pjesë e Festivalit, nuk e kam menduar që do të jemi pjesë e proceseve me çështje të cilat jemi përballë. Ne kemi pasur këtu ujë që ka pikuar, zjarr, të gjitha këto kanë qenë të panjohura për mua. Mirëpo kam qenë dhe vazhdoj me qenë jashtëzakonisht e befasuar me vullnetin e të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e organizimit”, ka thënë Bajrami.  

Haki Kika i cili gjithashtu ka qenë i përfshirë në organizim, ka thënë se ka qenë rrugëtim i vështirë por edhe i bukur.

“Jam rritur, jam emocionuar shumë, ka pasur momente kur më ka ardhur me qajt. Po qe se të pyetesha për herë të parë ‘a do ta bëje?’, do ta bëja sepse s’e di si është. Por po të pyetesha herën e dytë do të mendoja sepse është punë e bukur por e vështirë për t’u bërë”, ka thënë Kika.

‘Post Festivali’ vazhdon me emocionet e garuesve të edicionit të parë

“Post Festivali” përveç organizatorëve, opinionistëve e bordit të RTK-së, po vazhdon duke i dhënë hapësirë edhe këngëtarëve garues të edicionit të parë të Festivalit të Këngës.

Angus Dei e cila ka marrë çmimin e dytë me këngën “Një zemër për dy”, ka treguar që historia e krijimit të saj ka të bëjë me relacionin e babait me vajzën. Për këngëtaren e re nga Shqipëria, Festivali i Këngës në RTK, është gara e parë që ajo merr pjesë.

“Fillova të mallëngjehesha, momentet e para kur janë regjistruar vokalet me zor e kam kaluar. Ishte ndjesi e fortë dhe kjo ishte ajo që unë doja, ta përjetonin njerëzit nga pak atë që kam ndjerë unë”, ka thënë Dei.

Saranda Alija e cila me këngën “Mendoj ku je” arriti të marrë çmimin e Orkestrës, tha se është domethënës për karrierën e saj muzikore.

“Jam shumë e nderuar, e falënderoj Orkestrën, kanë qenë ajka e Festivalit. Ndjehem e privilegjuar, është çmim shumë domethënës për karrierën time”, ka thënë Alija.

Garuesi i cili arriti të hyjë në dhjetë këngët drejt finales me këngën “Pa ty s’më rrihet”, Hilmi Obërtinca, ka thënë se me këtë ngjarje është pasuruar kultura.

“Është festival i cili do ta trashëgojë ‘Akordet e Kosovës’ dhe do ta pasurojë skenën e Kosovës”, ka thënë Obërtinca.

Ndërkaq solisti i Urban Band, ka thënë se ky festival ka qenë një prej ngjarjeve më të mira që grupi ka marrë pjesë.

“Normalisht zhgënjimi (i mos fitores) është i madh, ne pretenduam që dhamë maksimumin. Por që në natën e parë ne ishim të vetëdijshëm që ishin 18 këngë, e që secila mund të ishin fituese. Disfatat kalohet kështu duke u rikthyer menjëherë në studio dhe duke krijuar një muzikë tjetër”, ka thënë ai.

Boletini: Po punojmë që fituesi i edicionit të 2-të të shkojë në Eurovision

Paneli i tretë i “Post-Festivalit” një ditë pas mbrëmjes finale të edicionit të parë të Festivalit të Këngës përbëhet nga bordi i Radio Televizionit të Kosovës.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, tha se përpjekjet po bëhen që fituesi i edicionit të dytë të ngjarjes të vazhdojë garën në “Euro Song”.

“Për ne si Bord, ka qenë moment shumë i mirë. Jemi të lumtur që është realizuar, jemi të kënaqur por ky është baza e fillimit. Pretendimet janë më lartë, të ruhet niveli minimumi, të shkojmë më lartë është objektivi i radhës. Jemi duke punuar me drejtorin e përgjithshëm për çështjen e ‘Eurovisionit’, jemi goxha të bindur që kënga fituese e Festivalit të radhës të shkojë në ‘Eurovision”, ka thënë Boletini.

Nënkryetarja e Bordit të RTK-së, Arta Berisha, ka thënë se RTK ka realizuar projekt të jashtëzakonshëm.

“Është padyshim ndjenjë e jashtëzakonshme që për RTK-në po flitet për të mirë, është temë debati që ka bërë diçka të jashtëzakonshme”, ka thënë Berisha.  

Anëtarja Fatime Lumi – Qehaja në aspektin organizativ ka veçuar skenografinë e punuar mjeshtërisht nga dy punonjëset e RTK-së, Rudina Xhaferri dhe Shqipe Kamberi.

“Kur e keni propozuar Sallën e djegur, e kam ditur që kreativiteti do të shkojë në nivelin më të lartë eksperimental e kreativ, e që do të krijohet magjia që të gjithë e kemi pritur. Jam krenare jo veç si qytetare e Kosovës, që këtë skenë e kanë krijuar dy bashkëvendëse të mia, kjo është mrekullia më e madhe. Jam shumë krenare që e kemi vënë një standard të lartë në televizionet në Kosovë dhe më gjerë”, ka thënë Lumi – Qehaja.

Albulena Mehmeti ka thënë që ky projekt ka nxjerrë në pah punëtorët e vyer të RTK-së.

“Pas miratimit të rregullores, me kolegun Dritonin kemi ardhur në sallë ku për 45 minuta Adi na mbajti në sallë duke na treguar detaje. Imagjinata e tij kishte shkuar edhe te ulëset e publikut, ne shikonim me habi dhe thoshim: ‘Je i sigurtë që do të realizohet?’ sepse në atë kohë ishin qentë në njërën anë, disa mace në anën tjetër, era e pakëndshme, vetura të parkuara dhe ujë plot”, ka thënë ajo, duke shprehur mirënjohjen e saj për transformimin e sallës.

Driton Hetemi nga Bordi i RTK-së, tha se edicioni i radhës duhet të bëhet edhe më mirë.

“Roli ynë si bord natyrisht është mbikëqyrje, por edhe eliminim i pengesave nëse shfaqen, jemi munduar t’i tejkalojmë bashkë. Por kur shohim tre netët e kaluara mund të them se ia vlejti”, tha Hetemi.

Dardan Beqiri, anëtari tjetër i Bordit të RTK-së, theksoi se planet kanë nisur nga tani për edicionin e dytë.

“Prej sot ka filluar të më vloj koka mbi mendimet për organizimin e edicionit të dytë. Peshën e lartësisë së organizimit që keni krijuar është vështirë ta tejkalojmë, besoj që me punën dhe angazhimin tonë do t’ia dalim”, tha Beqiri.

Boshnjaku: Me këtë Festival është dëshmuar se çka mundet të punohet

Drejtori artistik, Florent Boshnjaku, tha se Festivali i Këngës është vazhdimësi e traditës. Ai iu është përgjigjur komenteve për emra më të njohur në edicionin e parë.

“Nuk kanë qenë të sigurt se çka dhe si do të punohet. Mendoj që me këtë Festival është dëshmuar se çka mundet të punohet. Në anën tjetër nuk e di pse kanë dyshuar kur e kanë ditur kush është prapa”, ka thënë Boshnjaku.

Ka pranuar se janë kontaktuar disa nga ta, por që kanë pasur një hezitim, të cilën besohet se nuk do ta kenë tash e tutje pas magjisë që u soll për tri netë.

Drejtori teknik i Radio Televizionit të Kosovës, Adnan Fejza, ka thënë se realizimi televiziv i këtij festivali nuk ka qenë i lehtë, por që ia kanë dalë me ekipin profesional.

“Pas gjithë kësaj pune qëndron një ekip e madhe, me njerëz profesionistë, të cilët gjatë këtyre ditëve kanë hasur në sfida të shumta, por që me profesionalizmin e tyre kanë arritur ta përmbyllin festivalin ashtu si duhet. Jam shumë krenar me gjithë stafin”, ka thënë Fejza.

Festivali i Këngës vlerësohet si ëndrra e realizuar e Kosovës

(E plotësuar) Festivali i Këngës nga tri panelistet e para të “Post Festivalit” është komentuar si një ëndërr e kahmotshme e Kosovës. Ato kanë shprehur anët e mira dhe ato të cilat kërkojnë përmirësim në edicionet e ardhshme të ngjarjes.

Drejtoresha e gazetës online për kulture, “Kult Plus”, Ardianë Pajaziti, ka vlerësuar se Festivali i Këngës është gjëja më e mirë që i ka ndodhur komuniteti artistik e Kosovës së pasluftës.

“Të ndërtosh një sallë të shkrumbuar, të largosh hirin dhe të sjellësh artin para mijëra njerëzve që kanë dëgjuar festivalin edhe brenda edhe jashtë sallës kjo është mrekulli”, ka thënë Pajaziti për transformimin e sallës së madhe të Pallatit të Rinisë.

Pajaziti ka thënë se këngëtarëve nuk iu është dhënë hapësira në skenë për nga aspekti emocional. Sipas saj do të duhej që ata të përçonin ndjesitë e skenës.

“Nëse unë do ta organizoja, nuk do ta lija pa ngjitur në skenë Armend Rexhepagiqin dhe Rona Nishliun. Armendi atëherë ka qenë në Jugosllavi në ‘Eurovision’, Rona vazhdon me mbajt kupën, është ende e para sa i përket renditjes së Shqipërisë në ‘Eurovision”, ka thënë Pajaziti.

Gazetarja nga Shqipëria, Sonila Meço, tha se Festivali i Këngës i ka ofruar ndjesinë e spektaklit të ndërtuar mjeshtërisht.

“I thashë Ardianës, Kosova është 15 vjet shtet, mirëpo dje festivali ishte si një zonjë 30 vjeçare që mbi supe kishte përvojën e krijuar ndër vite, por me fytyrë të mirë, e cila rrezatonte limfë dhe gjak të mirë”, ka thënë Meço.

Aktorja e punonjësja e RTK-së, Ardiana Morina, ka thënë se RTK ka realizuar ëndrrën e kamotshme.

“Këto tre netë magjike sollën te publiku i Kosovës personazhe të njohura, emocione të veçanta, ishin personalitete që s’i kishim parë as në RTK as në Kosovë shumë moti. RTK e realizoi festivalin, ëndrrën e kamotshme të Kosovës, sepse me vite të tëra i ka munguar ky festival”, tha Morina.

Nis ‘Post Festivali’, komentohen tri netët e Festivalit të Këngës

(E plotësuar) Ka nisur programi i ballafaqimit të opinioneve për edicionin e parë të Festivalit të Këngës në RTK, “Post Festival”.

I drejtuar nga drejtori i Festivalit, Adi Krasta, paneli përbëhet nga drejtoresha e gazetës online për kulture, “Kult Plus”, Ardianë Pajaziti, gazetarja nga Shqipëria, Sonila Meço dhe aktorja e punonjësja e RTK-së, Ardiana Morina.

Lini një Përgjigje

Njëqind vite Republikë dhe haxhi qamilat e sotëm!

Analizë: Lëvizja “Braktisja e Islamit” dhe Kosova e Re