in

Polonia dhe Ukraina zotohen për forcimin e aleancës kundër Rusisë

Udhëheqësi polak dhe ai ukrainas u zotuan të hënën të forconin aleancën e tyre kundër agresionit rus në Ukrainë, duke lënë mënjanë dallimet rreth bllokadës polake të hyrjes së kamionëve ukrainas në Bashkimin Evropian.Në vizitën e tij të parë në Kiev që kur u zgjodh kryeministër i Polonisë, Donald Tusk e cilësoi luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër agresionit rus një “betejë” midis “të mirës dhe së keqes”, duke shtuar, “Polonia do të bëjë gjithçka për të rritur shanset e Ukrainës për fitore në këtë luftë”.“Siguria e kombit polak dhe shtetit polak është gjithashtu në rrezik nga kjo luftë”, tha Kryeministri Tusk në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski.Marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan muajt e fundit për shkak të bllokadave polake ndaj kamionëve ukrainas në kufirin mes dy vendeve.Bllokada e shoferëve polakë të kamionëve, e cila filloi në nëntor, u pezullua javën e kaluar. Ata protestuan kundër hyrjes pa leje të kamionëve ukrainas në BE.BE-ja hoqi dorë nga sistemi i lejeve për kamionët ukrainas pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në shkurt 2022, por shoferët polakë të kamionëve duan që ai të rikthehet, duke thënë se të ardhurat e tyre janë goditur nga vendimi i BE-së. Shoferët polakë të kamionëve ranë dakord javën e kaluar të pezullonin protestën deri më 1 mars.Donald Tusk u rikthye në politikën polake muajin e kaluar pasi shërbeu në postin e Presidentit të Këshillit Evropian.Kryeministri Tusk dhe Presidenti Zelenski përshëndetën planet për prodhimin e përbashkët të armëve. Zoti Zelenski tha në një postim në rrjetin social X se ata kishin diskutuar një formë të re bashkëpunimi, që synon blerjet e armëve në shkallë më të gjerë për Ukrainën. Ai nuk dha detaje të tjera për këtë.Udhëtimi i befasishëm i Kryeministrit Tusk në Kiev përkoi me Ditën e Bashkimit të Ukrainës, që shënon bashkimin e Ukrainës perëndimore me atë lindore në 1919. Ukraina është përballur me pushtime të shumta gjatë historisë së saj të gjatë.

Presidenti Zelenski e shënoi ditën duke nënshkruar një dekret që u ofron shtetësi të dyfishtë ukrainasve që jetojnë jashtë vendit dhe pasardhësve të tyre nga e gjithë bota, përveç atyre në Rusi, si dhe luftëtarëve të huaj që luftojnë përkrah ushtarëve ukrainas për të mbrojtur Ukrainën nga agresioni rus.Lavrov në OKBMinistri i Jashtëm rus Sergej Lavrov mori pjesë të hënën në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën në Nju Jork.

Në takimin, e kërkuar nga Rusia, zoti Lavrov u përqëndrua në mbështetjen me armë të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës për Ukrainën, duke thënë se kjo ndihmë ushtarake po zvarriste konfliktin. Ai nuk foli për akuzat e perëndimit se Moska po blenë dronë dhe raketa nga Irani dhe Koreja e Veriut.“Është cinizëm i shkallës më të lartë të pretendosh se mbështetja legjitime dhe e ligjshme për vetëmbrojtjen e Ukrainës po zgjat agresionin e nisur nga Rusia”, tha diplomati amerikan në OKB, Robert Wood.Më shumë se 40 ambasadorë iu bashkuan ambasadorit të Ukrainës në OKB në leximin e një deklarate publike përpara takimit. Deklarata dënon agresionin e Rusisë dhe blerjen nga Moska të armëve nga Irani dhe Koreja e Veriut, që përbën shkelje të disa rezolutave të OKB-së.

“Veprimet e Federatës Ruse minojnë besueshmërinë e rezolutave të Këshillit të Sigurimit, ligjet globale kundër përhapjes së armëve, rrisin tensionet rajonale dhe rrezikojnë të gjithë”, lexoi në emër të grupit ambasadori ukrainas në OKB, Sergiy Kyslytsya.I pyetur nga një gazetar nëse Ukraina mund ta fitojë luftën, ambasadori Kyslytsya tha: “Ukraina do ta fitojë këtë luftë. Por jo vetëm Ukraina, por gjithë bota demokratike.”Më 22 shkurt mbushen dy vjet nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë.

Një pjesë e të dhënave të përfshira në këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe Agennce France-Presse.

Lini një Përgjigje

Tërmet i fuqishëm përgjatë kufirit mes Kinës dhe Kirgizisë

Berisha thirret sot nga SPAK për t’u marrë në pyetje