Policia e Shtetit ka vrarë një person pas mesnate, kur kishte hyrë datë 8 dhjetor, në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë.
Viktima është një 25-vjeçar me iniciale K.R që fillimisht u plagos nga oficerët por më pas vdiq në spital.
Rrethanat e vrasjes së tij janë bërë objekt hetimi, pasi viktima është qëlluar nga policët sepse atyre iu është dukur sikur iu drejtoi një armë zjarri.
Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, sherbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta. Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar.
Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e punonjësit të policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të forte, në dukje armë zjarri.
I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital.
Menjeherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia.
Prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Sherbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.