Policia e Shtetit tha se “nuk jep leje” për zhvillimin e protestës së thirrur nga Sali Berisha, më 6 dhjetor para Kryeministrisë. Në një letër që kreu i policisë së Tiranës, Lorenc Panganika i drejtoi PD-së thuhet se ajo “cenon sigurinë” për shkak të mbajtjes së samitit të BE-së.
“Vendosa të ndaloj zhvillimin e tubimit të kërkuar nga ana Juaj në datën 06.12.2022, ora 12.00 deri në orën 16.00, në vendin e përcaktuar në kërkesë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar për të garantuar të drejtën e çdo qytetari për të marrë pjesë në tubime paqësore dhe mirëpret çdo njoftim Tuajin për zhvillimin e tubimit në një vend alternativ, jashtë perimetrit të sigurisë” – thuhej në letrën e policisë.
Por Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka thënë për ”Klan News”, se protesta është e drejtë e fituar që në dhjetor ’90. Sipas tij askush s’mund të ndalë të drejtën për të protestuar.
“Protesta është e drejtë demokratike e fituar që në dhjetor të ’90. Askush s’mund të ndalë të drejtën për të protestuar. Nuk i marrim leje askujt në Shqipëri për të protestuar. Në bazë të ligjit njoftojmë se protesta do të bëhet do apo nuk do regjimi” – tha Noka. ©LAPSI.al