in

Po nuk shkrove, kot udhëtove!

Nga Bajram Sefaj

Sa edhe vetë gazetaria, është e njohur dhe  lashtë: ajo për çka nuk shkruajnë gazetat as që ka ngjarë fare! 

            Gazetari që, bukë, gëzim e hidhërim, e ka udhëtimin, shtegtimi më i shkurtër, qoftë ai deri në Klinë, ose deri në Podujevë, është i kotë, që më parë, është i dështuar po qe se diçka nuk qet në letër, po qe se nuk e mbush një fletë të re radhorit. E kur nesër (e premte, nëntë shtator, ky mot) merr rrugë për në Poloni, një si shqetësim të pushton të tërin!

            Pikësynim i këtij udhëtimi për në Poloni, është qyteti Raçibuzh. 

            Në këtë qytet, tani e sa vjet, jeton dhe krijon piktori akademik pejan, Zyhdi Çakolli.           “Zëri” i kërkesës së tij për vizitë, është në letër. Më ka dërguar edhe mua, si dhe shumë  miqve e shokëve të tjerë të tij.

            Letra na është dërguar me rastin e ekspozitës së tij të madhe, një si retrospektivë, organizuar në muzeun e këtij qyteti, e me të cilën shënohen dy përvjetorë jubilarë: pesëdhjetëvjetori i jetës dhe tridhjetë vjetori i punës artistike.

            Adresës së saktë të Zyhdiut, shokët dhe miqtë, ua shtojnë edhe shumë të tjera. Atë të Eva Lipskës, poete me nam botëror, e përkthyer edhe në shqipe, që jeton dhe krijon në Krakow, të Zdzislav Lackovsk-it, redaktor në redaksinë e gazetës “Slowo powszechne”, të Adam Wysock-it, redaktor në gazetën e përditshme, “Kurier polski”, e cila në numrin e 19 të muajit qershor 1972, në faqen e dytë, me mbititull “Zwizyta we Kurieze” sjell një fotoshënim, tërësisht të rastit, mbi autorin e këtyre rreshtave dhe Çun Lajçin, aktor yni i njohur i teatrit dhe i filmit.

            Adresa mjaft, madje edhe për qëndrim shumë më të gjatë në Poloni.

            Në autobusin superluksoz të Agjencisë “Rusolia-turist!” – organizatë e kontraktuar nga Peja, më është rezervuar vendi më numrin 13 – vend shumë i mirë, me përjashtim të numrit famëkeq!

            Në autobus, që të merr të Xhamia e Llapit, mbretëron atmosferë plot hare e shëndet. Fytyrat e udhëtarëve, kryesisht të rinj e të reja, rrezatojnë nga buzëqeshjet. Pjesën e fundme të autobusit e zënë burra e gra, me fëmijë në parzma. Fëmijët kishte filluar t’i rëndonte gjumi. Në fytyrat e prindërve të tyre nuk shkëlqente asnjë fije gëzimi. U kishte mbetur në Pejë, ose diku andej pari, në rrethinën e saj. Mbase, nga shkaku se pas një jave qëndrimi në Poloni, (në Krakow), nuk do të kthehen me ne. Në heshtje marrim vesh se ata, kjo rrugë i shpinte shumë më larg, në një vend tjetër të largët, të ftohtë e plot mugëtirë.

            Medet!

            Autobusi çan rrugën me të shpejtë. “Diskoteka” e pasur e tij bënë muzikë të mirë.

            Keni dëshiruar (kërkuar) dëgjoni!

            Kasetat sakaq ndërrojnë njëra – tjetrën. Ishte aty i tërë prodhimi (më i ri e më aktual) i fabrikës së kasetave të RTP-së.

            Autobusi fugonte me nxitim. Ka kohë që “… mbrëmja është shndërruar në natë…” sikurse tha, me një rast, shkrimtari ynë i madh.

            Në dritën e fortë të autobusit shkëlqejnë emrat e qyteteve që (si) njohim!

            Kur lëshojmë Vukovarin, Osjekun, Nashicën, kur bëjmë vetëm edhe disa (pak) kilometra matanë Donji -Miholacit, hapësirën moçalike, me shavar e barishte të këqija, na pret vija kufitare. Në atë hapësirë të pakufishme, për të dy anët e kufirit, llamburit ndonjë dritë e vetmuar, si ndonjë yll i fikur e i rrëzuar në shavar. Në vijnë kufitare, nata kaherë ka rënë mbi ne. Heshtjen e asaj dalje të vogël kufitare paska e çjerrë autobusi. Për të satën herë provojmë drithërimën e daljes matanë kufirit.

            Pse është gjithmonë kështu? Pse përherë përsëritet e njëjta tablo?

            Pas formaliteteve (jo të vogla) kufitare, prekim truallin hungarez. Fytyrat e policisë, doganierëve dhe nëpunësve të tjerë kufitarë hungarezë, janë të ngrysura…

            Hëna sikur nuk di për kufij dhe të njëjtat rreze lëshon edhe në Hungari.

            Sa bukur!

             Punë pa hile!

            Shnederritë e një hënë. Nxeh një diell!

            Me kot zgurdullojmë sytë përgjatë dy anëve të rrugës, të shohim edhe me të voglin ndryshim nga ajo që kemi parë në këtë relacion udhëtimi të gjatë.

            Dritë elektrike këtu, dritë elektrike atje.

            Motel (bri rrugës) këtu, motel (bri rrugës) atje. Pompë benzine këtu, pompë benzine atje. Mbi tabela të mëdha zbardhin emrat e fshatrave dhe të lokaliteteve…

            Kur udhëtarët koten e përgjumen, kur kasetat e magnetofonit bëjnë “pushimin” e merituar, disi vetvetiu na vijnë ndërmend disa vjet të largëta e me ngjarje të mëdha (historike), të cilave skenografinë ua ka falur pikërisht ky vend. Të kalosh nëpër Hungari e të mos kujtosh vitin (e kobshëm) 1956 është e pamundur, sikundër që është e pamundur të mos kujtosh letërsinë e madhe të këtij vendi, të mos kujtosh kinematografinë, e pranuar dhe të çmuar, në botë.

            Ashtu, nëpër natë e nëpër heshtje, të duket se heton pulsimet dhe vlimet më të reja (politike, ekonomike, shoqërore, kulturore) në këtë vend me traditë të gjatë. Ashtu, pa qëllim (dhe vetiu) të vjen ndërmend ceremoniali manifestues i rivarrimit të Imre Nagjit dhe vizita e paradokohshme e presidentit të SHBA-ve Xhorxh Bush, që i bëri këtij vendi. Të vjen ndërmend dita (datë e shënuar) e dy të muajit maj të këtij viti, kur Hungaria nisi të rrënojë e çmontojë “gardhiqet” me Austrinë. Ajo tablo (filmike, televizive), kur dy liderë të këtyre dy vendeve, me gërshërë të mëdha, këputën telat e parë, që simbolikisht shënonin çmontimin dhe rrënimin e një historie të tërë, një periudhe të kohës së kaluar, ka marrë tërë botën. Të bie ndërmend se (ri)varrimin e liderit të dikurshëm, Imre Nagj, shumë agjenci botërore e morën si varrim të socializmit (!) në Hungari. Por, pavarësisht nga një vlerësim i këtillë apo i atillë, shihet, diku një ajër, diku në natë, kriza e madhe ekonomike dhe politike jo vetëm në Hungari, por në tërë Bashkësinë socialiste të Lindjes.

            Por ja se soset nata, soset edhe udhëtimi nëpër Hungari.

            Ndjekim vijën që shpien në drejtim të Çekosllovakisë, por meditimet s’me lanë rehat.

            Ja, duke u përshëndetur me natën me bien ndërmend libri betseler i shkrimtarit bashkëkohor hungarez Gjulla Hernard, i cili shkruan për pesë qind e katërmbëdhjetë dashuritë e regjisorit me famë botërore, Miklosh Jança.

            Aq shumë gjakuam të ndalemi, se paku për një çast, në cilëndo qoftë pjesë të këtij qyteti (në Budim apo në Pestë, që me aq pedanteri i ndan dysh Danubi), sa për të pirë nga një kafe, aq edhe për të takuar Gjonin, të riun 27-vjeçar nga Prishtina, që këtu jetuaka e  vepruaka që sa vjet (siç mësojmë nga gazeta “Start” e Zagrebit). Por, koha nuk premton.

            Vazhdojmë rrugën. Pas vetëm disa çastesh duhet të jemi në kufirin hungarez- çekosllovak.

                                                                                    (diku e dikur)

                                                ————————————-

Lini një Përgjigje

Imazhi i njollosur i Erdoganit

Përplasje agjencish të inteligjencës dhe skandale në AKI