Teuta Haxhijaj
Plisbardhët para derës së Manastirit tonë n’Deçanin tonë, të cilin, si të gjitha kishat tjera, ua falëm sllavëve. Se na nuk i kemi dashtë ma!Ua falëm civilizimin, lashtësinë, heronjtë, varret me gjithë gurët e vjetër mbi to. Nuk na i morën, por ua kemi falë me të dy duart. Se na nuk i dashtëm ma!
Na, ai kombi i vjetër, që historinë na e shkruan të tjerët se na ishim nxanë tuj u marrë me jetën e pasvdekjes. Ishim nxanë tuj u tjetërsue nga një kulturë e lashtë evropiane në një afro-aziatike. Një kulturë huaj, e panjohur, e largët por tmerrësisht tjetërsuese.
Na, që të tjerët i pasunuem nga lashtësia dhe madhështia jonë, nga vendi, gjuha dhe traditat tona, vet u varfënuem dhe na mbetën aq pak nga krejt këto. Se nuk i mbrojtëm edhe pse ishin tonat!Nuk ua ditëm vlerën. E tash i vajtojmë.
Na, autoktonët, filluam t‘ju bëjmë vend ardhacakëve dhe të dukemi e të sillemi si ata. Ndërsa të tjerët rreth nesh i përvetësuan vlerat tona perderisa na kemi kqyrë seri.
Na, me ma t‘lashtën dhe ma t‘bukurën gjuhë, për të cilën na thanë se ishte e mallkueme, nuk e dojka dhe as nuk e kuptojka Zoti. Se nuk i kuptojka lutjet n‘atë gjuhë t‘bukur.Përderisa ajo ishte gjuha e vet Zotit.Iu falëm aq shumë.Na, që sllavëve dhe të tjerëve, ua falëm “Aleksandrin” dhe vet e morëm “Hasanin”.N’vendin tonë, n’troje tona.Na, të lashtë sa bota vet.