Parku i Gërmisë në kryeqytet gjatë tërë vitit mbetet vend i preferuar dhe shumë i frekuentuar nga qytetarët e shumtë. Por, këtij parku gjatë verës i shtohet edhe pishina. Sivjet në këtë pishinë ka pasur investime, të cilat po i vlerësojnë qytetarët. Megjithatë, sivjet edhe çmimet janë për 2 euro më të larta.
Rrëzë pishave të shumta dhe ajrit të pastër, pishina e vetme publike që ka kryeqyteti, ka hapur dyert për qytetarët. Ndryshe prej herëve të tjera, përpos në pishinë është investuar edhe në terrenin sportiv, shtretër e hapësirën përreth. Por, krahas këtyre investimeve, janë rritur edhe çmimet në këtë pishinë.
Bileta hyrëse gjatë ditëve të punës për të rritur është 4 euro, për fëmijë 2 euro. Ndërsa për vikend bileta hyrëse është 5 euro për të rritur, e 2 euro për fëmijë.
Qytetarët kanë mendime të ndryshme sa i përket kushteve dhe çmimores së re.
“Jemi të kënaqur, pishina ka kushte të mira, ka ndryshime drastike prej vitit të kaluara dhe jemi të kënaqur në përgjithësi”, tha Granit Bajraliu, qytetar.
E qytetarja Afrore Redenica, e cila ishte duke e shijuar vikendin në pishinë u ankua për mungesë të ulëseve dhe çadrave. “Nuk ka mjaftueshëm vend për t’u ulur apo nuk ka çadra. Ne i kemi fëmijët dhe nuk është mirë që ata të qëndrojnë tërë ditën në diell”, tha ajo për RTK-në.
E ankesa patën edhe dy qytetarë tjerë, Isa Bajrami e Fatmir Makolli. “Çmimet për sa i kemi kushtet na, janë pak të larta. 5 euro është hyrja për vikend, ndërsa për vikend është dashtë të ketë zbritje”, tha Bajrami.
“Për me ardh këtu me qëndru gjatë tërë ditës me familje duhet me i rezevu reth 100 euro. 4 vetë nga 5 euro, 20 euro, plus me hangër e me pi diçka. Investime janë bërë mirëpo, për një shtresë të lartë, jo për ata që kanë dëshirë me ardhë këtu e që nuk kanë mundësi me shku më larg”, tha Makolli.
Kryeshefi i ndërmarrjes publike ‘Sport Marketing’, Bardh Krasniqi, ngritjen e çmimit prej 2 eurove më shumë sesa vitet paraprake, e arsyeton me shpenzime të shumta që ka pishina e Gërmisë.
“Pishina ka shumë shpenzime për t’u mirëmbajtur si uji, higjiena, hapësira e të gjitha tjera. Po ashtu edhe numri i punëtorëve rritet masovisht në sezon, duke filluar nga shpëtimtarët, mirëmbajtësit, pastrueset e të tjerë. Edhe te substancat të cilat përdoren për pastrimin e ujit kemi një ngritje enorme të çmimeve dhe për këtë arsye ndërmarrja ka qenë e shtrënguar të ndërmarrë një hap të vogël për rritjen e çmimit në krahasim me pishinat private. Pra çmimi është ngritur për të pasur mundësi të mirëmbahet si duhet pishina dhe t’i ofrojmë qytetarëve diçka që duhet me qenë në nivel”, tha Krasniqi.
Përveç biletës hyrëse, ata të cilët duan t’i shfrytëzojnë kabinat, duhet t`i paguajnë nga 6 euro, për shtretër 2 euro, ndërsa për çadra 4 euro. Pishina varësisht prej kushteve atmosferike, do të jetë e hapur deri në fillim të shtatorit.