Sherif Ramabaja
Për të katërtën herë, i fitoi si i fitoi zgjedhjet. Dhe ky trend do të vazhdoj, derisa vullnetarisht të heq dorë vetë. Për këtë fenomen shqiptar, as IA nuk ka shpjegim. Megjithatë formula e piktorit, gjithnjë po funksionon.
Një pikturë të cilën e kishte filluar që në mandatin e parë, preokupohej kur do ta përfundonte dhe si ta emëronte. Mendimin e Veliajt, tashmë nuk mund ta merrte.
Një natë iu dëftua në ëndërr dhe tra – la – la, piktura ia tha emrin të cilin donte ta mbante. Sapo piktorit i doli gjumi, doli lakuriq në oborrin e shtëpisë: e gjeta, e gjeta, e gjeta, ulërinte.
U zgjuan fqinjët dhe e kapën kokën me duar. Qenka çmendur kryeministri thanë. Nuk është aspak çudi, tha një grua e të 50 – tave. Cili do i përballonte 4 mandate, përpos Putinit, Xi Jinping, Kim Jong – un, Maduros etj. vazhdoi ajo.
Piktori gjysmë i përgjumur vazhdonte tutje të bërtiste, e gjeta, e gjeta, e gjeta, pa e hetuar se si ishte nën vështrimin e fqinjëve. Dikur shërbëtorja e shtëpisë, e cila ishte zgjuar nga ulërimat e piktorit, doli me një peshqir të madh dhe ia mbuloi pjesët, nga beli e poshtë. Futu brenda, i tha qetë. Atëherë piktori e vërejti se ku ishte dhe si ishte. U fut brenda pa bërë zë dhe i veshi pizhamet shpejt e shpejt.
E gjeta atë që kërkoja, e përsëriti sërish, po shërbëtorja nuk dinte se çfarë kishte gjetur. Ajo e ngrata mendonte që ai aludonte në ndonjë pjesë të trupit, po piktori e vërejti se ajo e shikonte me skepticizëm, duke mos e ditur zbulimin e piktorit. Në atë momente hyri në sallon gruaja e tij, e cila me siguri ishte zgjuar nga rrëmuja dhe piktori u nis drejt saj duke ia kapur dy duart: e gjeta, e gjeta emrin e pikturës. Diella do ta emëroi. Diella duhet të jetë emër i begatë, lidhet me diellin, burimin e energjisë së përjetshme.
Zonjën Mira Murati do e lus që ta programoj, në pamjen e pikturës të cilën me vite po e punoj.
Diella edhe pse do të jetë virtuale duhet të jetë i tillë, që t´i marr përsipër punët e mia, protokollin, fjalimet, agjendën ditore, mujore dhe vjetore, do t´ia jap përsipër administratën shtetërore, po mbi të gjitha tenderizimin.
Tenderizmi është fusha që na ka sjellë telashe mbi telashet, ka nxitur korrupsionin, nepotizmin dhe na ka dëmtuar më së shumti që të ecim përpara. Do ta lus që të na ndihmoi në zhvillimin ekonomik, turizmin, infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë, sistemin bankar dhe të gjitha punët kryesore shtetërore.
Ministrive do u kërkoi programin e përpiluar dhe Diella do e korrigjoi, do e plotësoi dhe do i paraqes afatet. Do e konsultojmë edhe për çështjet e brendshme po edhe për politikën kombëtare, rajonale, ndërkombëtare dhe globale. Me një fjalë ajo do më shërbej mua dhe ekipit tim, që ta përfundojmë me sukses edhe këtë mandat.
Lindja e Diellës e ka befasuar së pari opozitën, publikun e brendshëm, po edhe opinionin ndërkombëtar. Piktori i cili njihet për të bëmat e tij ekstravagante: Melonit i kishte rënë në gjunjë, duke ia puthur dorën, po gjithashtu kuriozitete të tij janë edhe shallvaret dhe atletet, kurse tash po shquhet edhe me Diellën virtuale, e cila konsiderohet edhe si pjesëtare e familjes së tij.
Ajo do të jetë gjithkund prezente, në kryeministri, në presidencë, në parlament, në ushtri dhe në të gjitha ministritë. Opozita u ankua se, tash e tutje piktori vjedhjet do t´i kryej përmes Diellës, pa pasur mundësi që atë personalisht ta akuzoi dikush si hajn, manipulues, vjedhës i zgjedhjeve, autokrat, kapës i institucioneve shtetërore, diktator, rrënues i mediave publike etj.
Piktori po premton edhe befasi të tjera. Diella është vetëm fillimi. Ajo pritet të ketë edhe fëmijë, befasoi piktori. Me siguri fjalën e kishte se pas orarit të punës, Diellën do ta merrte me vete në shtëpi.
EU, po e pret me krah hapur piktorin, arsyeja është Diella. Piktori po e tërheq vëmendjen me aksionet e tij. Shqipëria me Diellën dhe babain e saj, ndoshta në të ardhmen s’do të kishin nevojë fare për zgjedhje të reja. Ky do të ishte një evoluim.
Mars Rover Satirë