Ne, qytetarët e Klinës dhe përkrahësit e trashëgimisë sonë historike, shprehim kundërshtimin tonë të vendosur ndaj ndërtimit të çfarëdo objekti fetar – të cilësdo fe – në afërsi të zonës arkeologjike me vlera të jashtëzakonshme historike dhe kulturore.
Kjo zonë përfaqëson një dëshmi të qartë të qytetërimeve të lashta në këto troje tona, të cilat janë baza e identitetit dhe krenarisë sonë kombëtare. Ndërtimi i objekteve që nuk lidhen me këtë trashëgimi rrezikon të deformojë dhe të fyejë vetë kuptimin dhe vlerën e këtyre gjetjeve.
Shpesh dëgjojmë thirrjen për “tolerancë”. Por në këtë rast, vetë përdorimi i fjalës “tolerancë” në mes të vëllezërve dhe motrave të një gjaku tingëllon fyese dhe e pavend. Ne nuk kemi nevojë të tolerojmë njëri-tjetrin, sepse jemi një trup i vetëm, një popull me rrënjë të përbashkëta, me histori dhe gjak të përbashkët. Aty ku ka dashuri dhe mirëkuptim vëllazëror, nuk ka vend për “tolerancë” si një koncept distancues.
Ky është një moment kur duhet të jemi të vetëdijshëm për drejtimin që marrim si shoqëri. Sot, në kohën kur për fatin e popujve të vegjël shpesh vendosin të tjerët, ne kemi detyrim të kujdesemi vetë për trashëgiminë tonë, për vendin tonë dhe për drejtësinë historike.
Prandaj, kërkojmë që:
1. Të ndalohet menjëherë ndërtimi i objekteve fetare në zonën arkeologjike të Klines.
2. Të ruhet integriteti dhe autenticiteti i saj historik.
3. Të promovohet kjo zonë si pasuri kombëtare dhe jo si terren për përplasje ose demonstrime të panevojshme identitare.
Kjo është një thirrje për ndërgjegje kombëtare, për ruajtjen e dinjitetit dhe të trashëgimisë sonë të përbashkët.@Highlight