Këtë të premte arbëreshët e Italisë kanë festuar Ditën e Themelimit të vendbanimit të tyre, pasardhësit e bashkëluftëtarëve të Skënderbeut, manifestojnë me krenari rrënjët e tyre që i lidhin me vendin amë, Shqipërinë.
Në këtë festë, në mesin e arbëresheve do të jetë në bronz edhe heroi Gjergj Kastrioti.
Në këtë 500-vjetor në Sicili arbëreshëve iu është bashkuar edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
“Bustet dhe emri i Skënderbeut i japin hijeshi shesheve dhe rrugëve në Tiranë, Prishtinë, Romë, Gjenevë, Zyrih, Paris, Londër, Bruksel, Budapest, Shkup e madje edhe në Miçigan e Çikago, në Shtetet e Bashkuara. Tani Gjergji vjen në bronz si shenjt mbrojtës dhe monument kujtese edhe në qytetin tuaj si për të na kujtuar ne të gjithëve, që na bashkon një “gjuhë e një gjak”, se secili nga ne sot, e fëmijët tanë nesër, do të jemi po secili një gur në piedestalin e pavdekshëm të Kastriotit tonë”, tha Spiropali, teksa u zbulua shtatorja e Gjergj Kastriotit.
Shtatorja e Skënderbeut e përuruar sot është dhuratë që i është bërë Horës së Arbëreshëve nga shqiptarët e Zvicrës, gjegjësisht nga shoqata “Hora e Skënderbeut”, me seli në Cyrih. Autor i shtatores është skulptori nga Prishtina, Gëzim Muriqi.
Aktivitetet në Horën e Arbëreshëve janë të shumta këto ditë.