Në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, në Podujevë përurohet shtatorja e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, familja e presidentit historik Ibrahim Rugova, ministra, deputetë, kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi e shumë qytetarë janë bashkuar në sheshin e qytetit të Podujevës, në zbulimin e Shtatores.
Presidentja Vjosa Osmani në këtë ceremoni tha se Rugova ishte njeri i dijes, shpresës, udhëheqës i madh e vizionar i pashoq.
“Në ditët më të errëta të historisë sonë ai qëndroi i palëkundur me vizionin e tij të pavarësisë. Në ditët më të errëta ai dëshmoi se forca e kombit tonë është përbashkimi dhe vullneti i pathyeshëm për liri, paqe, demokraci dhe pavarësi”, tha Osmani.
Ajo tha se Rugova ndërtoi ura besimi me liderët anembanë globit, që janë bërë shtylla që qëndron shteti ynë.
Osmani tha se shtatorja e Rugovës duhet të shërbejë si kujtesë për një Kosovë që nderon, ruan e kultivon aleancat me miq dhe përqafon të ardhmen me të njëjtën forcë shpirtërore të cilën e mishëroi presidenti Rugova.
Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, vlerësoi lart figurën e ish-presidentit Rugova, duke thënë se “vizioni i tij i qartë, mençuria, thellësia e mendimit, këmbëngulja në parime e sidomos besimi e dashuria që populli i Kosovës nuk ia kursyen as pas luftës, e shpëtoi vendin tonë nga një vorbull e rrezikshme e nga rivalitet i egër politik i cili rrezikonte të zhbënte Kosovën prapë edhe pasi kishte fituar liria”.