in

Personin më i fuqishëm i mafias turke gjeti strehim në Kosovë

Athua çfarë lojërash të shërbimeve sekrete luhen? 

Biznesmeni kontrovers turk, Sedat Peker i cili në Turqi konsiderohet si një ndër personat më të rëndësishëm të ‘operacioneve mafioze’ që nga vitet e 90-ta, në dy vjetët e fundit ka gjetur strehim në Kosovë dhe vendet të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Peker e ka një leje të përkohshme qëndrimi në Kosovë, e së fundmi, ai është pajisur edhe me një pasaportë të Maqedonisë së Veriut, me identitet të rremë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, disa herë është takuar me disa zyrtarë nga Kosova.

Kush është Sedat Peker?

Në një shkrim të publikuar në muajin shkurt të vitit 2019, organizata Nordic Monitor e përshkruan Pekerin si personin më të fuqishëm të mafias turke. Nordic Monitor është një faqe lajmesh në internet dhe faqe përcjellëse, që drejtohet nga Rrjeti Nordik i Kërkimeve dhe Monitorimit me qendër në Stokholm. Kjo media mbulon lëvizjet ekstremiste fetare, ideologjike e etnike dhe grupet radikale, me një fokus të veçantë në Turqi.

Në vitin 1997, Peker u akuza për një vrasje që bëri që ai të largohej drejt Rumanisë, por pak muaj më vonë, një gjykata në Turqi e shpalli të pafajshëm.

Siç raporton BBC në gjuhën turke, një hetim i nisur kundër krimit të organizuar në fillim të viteve 2000, çoi në arrestimin e Pekerit pesë vjet më vonë.

Në fund të procesit gjyqësor, Peker u dënua me 14 vjet burgim për veprën penale “Formimi i një grupi të armatosur terrorist”, por dënimi iu reduktua dhe ai u lirua në vitin në vitin 2014.

Raportimet mediale thonë se Peker në të kaluarën kishte raporte të afërta me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Por, së fundmi situata ka ndryshuar pasi Peker dhe grupi i tij kriminal po ndiqen nga autoritetet e Turqisë për veprimtari të ndryshme kriminale.

Kjo e ka shtyrë atë që të largohet nga shteti dhe të kërkojë strehim në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Iku nga Turqia dhe u strehua në Kosovë

Pas largimit nga Turqia, në dy vjetët e fundit, Peker gjeti strehim herë në Mal të Zi, herë në Shqipëri, herë në Maqedoni të Veriut e pjesërisht edhe në Kosovë, ku ende ka një leje të përkohshme qëndrimi me të cilën u pajis në vitin 2014.

Leja e tij e qëndrimit është valide deri më 29 dhjetor, 2021.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, për herë të fundit Peker ka hyrë në territorin e Kosovës më 18 janar, 2021 dhe është larguar në drejtim të Shqipërisë pas vetëm dy ditësh.

Mediat në Maqedoni të Veriut kishin raportuar se Peker ishte arrestuar të njëjtën ditë për shkak të shkeljes së lejes së qëndrimit dhe se ai ishte deportuar për në Kosovë.

Aktualisht Peker është në arrati dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

E kaluara kriminale s’i pengoi politikanët që ta takojnë

E kaluara kriminale nuk ishte pengesë për disa politikanë nga Kosova që të takojnë biznesmenin turk, Peker.

Fikrim Damka, udhëheqës i Partisë Demokratike Turke në Kosovës, tani ministër i Zhvillimit Rajonal, në të kaluarën ka pasur disa takime me Sedat Pekerin. Në internet gjenden disa fotografi në të cilat Peker shihet i shoqëruar nga ministri Damka.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur ministrin Damka se në çfarë cilësie i ka zhvilluar takimet me Pekerin. Damka po ashtu është pyetur nëse ka pasur takime të tjera në muajt apo vitet pasues. Ministri Damka nuk është lajmëruar në thirrjet telefonike e as nuk është përgjigjur në mesazhet e dërguara.

Në njërin nga takimet që u zhvillua mes Pekerit dhe Damkës, i pranishëm ka qenë asokohe edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Yildiray Bayram, që po ashtu është pjesëtar i komunitetit turk në Kosovë.

Në vitin 2019, Peker ka vizituar edhe Komunën e Mamushës, komunë kjo që banohet kryesisht nga pjesëtarë të komunitetit turk. Aty është pritur zyrtarisht nga kryetari i kësaj komune, Abdylhadi Krasniqi.

Krasniqi ka pranuar të flasë për këtë takim, duke thënë se nuk kishte njohuri se kush ishte mysafiri që e priste në zyrën e tij.

“Një herë ka qenë një takim, ka qenë përmes disa shokëve. Një shok i yni që jeton tash në Turqi ka qenë këtu dhe tha po dëshiron të ju vizitojë, thash në rregull. Një herë ka qenë në Mamushë dhe kaq”, tha Krasniç.

Krasniç insiston se Peker kishte kërkuar takim me të vetëm si biznesmen dhe mohon çdo mundësi të jenë takuar sërish.

Gjatë një vizite tjetër në Kosovë, Peker, kishte takuar edhe kryetarin e Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Pas reagimeve dhe interesimit të mediave, Komuna e Hanit të Elezit fshiu nga ueb-faqja dhe rrjetet sociale njoftimin e takimit. REL

Athua çfarë lojërash të shërbimeve sekrete luhen? 

Lini një Përgjigje

Pse Jansha refuzon të komentojë dokumentin ‘non-paper’ për Ballkanin Perëndimor?

Kosnett: “Mos i vendosni masat ndaj Serbisë tani