in

Përpjekje për grusht shteti në Gjermani!

Janë arrestuar 25 veta në një operacion bastisjeje të ndërmarrë në të gjithë Gjermaninë nga policia, në lidhje me një rast të dyshuar për komplot për të rrëzuar qeverinë, përkatësisht për të kryer grusht shteti.

Me titullin: “Princi, gjykatësi dhe ushtari i KSK-së planifikonin grusht shteti në Gjermani (KSK-Kommando Spezialkräfte -Komando i Njësisë Speciale v.j)”, gazeta e madhe gjermane Bild, shkruan se është kryer bastisje mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare kundër rrjetit Reichsbürger.

Madje, gazeta shkruan se bastisjet e  policisë janë kryer deri në kështjellën që ndodhet në pyll në Thüringer, zona të  banimit në Berlin dhe në kazerma.

Gazeta Bild e cila këtë operacion e quan “mega bastisje”, raporton se rrjeti Reichsbürger (Rajhu qytetar v.j), dyshohet se po planifikonte që me dhunë të kryente  “ndryshimin e sistemit”.

Mediumi i madh gjerman shkruan se që nga orët e para të mëngjesit të së mërkurës, zyrtarë nga Zyra Federale të Policisë kundër krimit (BKA) dhe Njësitë Speciale si GSG 9 (Njësiti Taktik i Policisë Federale të Gjermanisë) dhe disa nga SEK (Task Forca Speciale e Policisë v.j), kanë ndërmarrë veprime në mbarë vendin kundër të ashtuquajturit rrjetit  të Reichsbürger.

Në aksionin e koduar si “Hija”, janë përfshirë rreth 3 mijë pjesëtarë të shërbimeve të ndryshme të sigurisë, të cilët kanë bastisur 137 objekte në pronësi të 52 të dyshuarve. Nga këta, mësohet se janë arrestuar 25 persona.

Kështu, në orën 6:00 të mëngjesit, Forcat Speciale rrethuan dhe bastisën një shtëpi në lagjen e vilave Wannsee të Berlinit, prangosën  ish-anëtaren e AfD-së të Bundestagut dhe gjyqtaren e Berlinit,  Birgit M.-W. (58 vjeç). Tre minuta më vonë, forcat e sigurisë  arritën në shtëpizën e gjuetisë Waidmannsheil në Bad Lobenstein (Thüringen).

Në të njëjtën kohë, oficerët bastisën edhe rreth 30 prona në Republikën e Baden-Württemberg dhe ndër të tjera, një dyqan riparimi makinash e një dyqan zdrukthtarie në  Saksoni. Kërkime të mëtejshme u bënë në Republikën e Bavarisë, Hessen, Saksoninë e Ulët, Austri (Kitzbühel) dhe Itali (Perugia).

Anëtarë të tjerë të rrjetit të tyre, sipas gazetës gjermane Bild janë edhe: Maximilian E., Michael F., Paul G., Norbert G., Markus H., Frank H., Matthias H., Ruth L., Andreas M., Thomas M., Harald P., René R., Melanie R., Ralf S., Wolfram S., Thomas T., Marco v. H., Ruediger k. P., ish-këshilltari i qytetit nga AfD, Christian W. dhe Peter W.

Shtetasit rusë Vitalia B. dhe gjermanët Alexander Q. dhe Frank R. u arrestuan gjithashtu si mbështetës të këtij rrjeti.

Hetuesit e LKA të Berlinit (Policia e Berlinit, Njësiti kundër Krimit) kishin gjurmuar përfshirjen në këtë rrjet të fshehtë, të një burri që jetonte në Hessen.

Ky rrjet funksiononte me një organi qendror të shoqatës që quhej  “Këshill”. Ky “Këshill” vepronte ngjashëm me kabinetin e një qeverie, ku kishte departamente të tilla si drejtësia, punët e jashtme dhe shëndetësia. “Që nga nëntori i vitit 2021, anëtarët e këshillit janë takuar rregullisht në fshehtësi për të planifikuar marrjen e pushtetit në Gjermani dhe krijimin e strukturave të tyre shtetërore”, tha një zëdhënëse e Zyrës së Prokurorit Federal.

25  persona janë arrestuar në një operacion bastisjeje të ndërmarrë në të gjithë Gjermaninë nga policia, në lidhje me një rast të dyshuar për komplot për të rrëzuar qeverinë, përkatësisht grusht shteti.

Nga raportimet e mediave gjermane, të cilave u referohet BBC, shpjegohet se grupi i figurave të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarakë, planifikonin të sulmonin ndërtesën e Parlamentit, Reichstag, dhe të merrnin pushtetin.

Një gjerman, të cilit mediat i referohen si princi i quajtur Heinrich XIII, 71 vjeç, dyshohet se ishte personi kryesor i cili qëndronte pas këtij plani.

Sipas prokurorëve federalë, ai është një nga dy drejtuesit e dyshuar, në mesin e 11 të arrestuarve, që të gjithë shtetas gjermanë.

Komplotuesit thuhet se përfshijnë anëtarë të lëvizjes ekstremiste Reichsbürger [Qytetarët e Rajhut], e cila ka qenë prej kohësh nën vëzhgimin e policisë gjermane, të dyshuar për planifikim sulmesh të dhunshme dhe teori konspirative raciste.

Të njëjtit, refuzojnë të njohin shtetin modern gjerman. Rreth 50 meshkuj e femra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë komplotuar për të përmbysur republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së vitit 1871 – një perandori e quajtur Rajhu i Dytë.

“Ne nuk kemi ende një emër për këtë grup,” tha një zëdhënëse e Zyrës së Prokurorit Federal.

Bastisjet u zhvilluan në pjesën më të madhe të vendit dhe dy persona u arrestuan në Austri dhe Itali, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve DPA. Të arrestuarit do të merren në pyetje më vonë gjatë ditës.

Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann shkroi në Twitter se një operacion i madh anti-terror po ndodhte dhe se ishte planifikuar një sulm i dyshuar i armatosur ndaj organeve kushtetuese.

Prokurori Federal tha se nga nëntori 2021,  grupi kishte komplotuar një grusht shteti të dhunshëm.

Ish anëtarët e ushtrisë ishin gjithashtu pjesë e rëndësishme e komplotit të grushtit të shtetit, raportojnë mediat. Ata përfshinin ish-ushtarë elitë nga Njësitët Speciale.

“Komplotuesit kishin krijuar tashmë plane për të sunduar Gjermaninë”, thanë nga Zyra e Prokurorit Federal. Anëtarët e kuptuan se mund t’i realizonin qëllimet e tyre vetëm me “mjete ushtarake dhe dhunë kundër përfaqësuesve të shtetit” dhe kjo do të përfshinte edhe kryerjen e vrasjeve.

Transmetuesi publik ZDF raportoi se një ish-deputet i ekstremit të djathtë të dhomës së ulët të parlamentit, Bundestag, ishte gjithashtu pjesë e komplotit dhe ishte vendosur që ai të bëhej  ministër i Drejtësisë, me princin Heinrich si udhëheqës.

Lini një Përgjigje

Më pak fletë, më shumë vlerë

Osmani: Beogradi do të përdorë serbët e Kosovës për interesat e tij