in

Përjashtimi nga SWIFT është arma më e mprehtë kundër Rusisë

 

Nga Birgit Haas, Capital, Nga Gjermanishtja Sherif Ramabaja

 

Në rast të një pushtimi të Ukrainës, SHBA po kërcënon Kremlinin me sanksione drastike. Shpata më e mprehtë e Perëndimit do të ishte përjashtimi i Rusisë nga sistemi global i pagesave SWIFT. Megjithatë, ky “opsion bërthamor” mund të ketë edhe efekte anësore të padëshiruara.

Situata në kufirin midis Ukrainës dhe Rusisë kërcënon të përshkallëzohet edhe një herë. Për herë të dytë këtë vit komanda ka ardhur nga qendra komanduese e kreut të shtetit rus Vladimir Putin për të vendosur artileri të rëndë në kufirin me Ukrainën. Rusët kanë frikë se gjërat së shpejti do të bëhen serioze, kur vendi fqinj të anëtarësohet në NATO. Ukraina e vendosi këtë si një objektiv në kushtetutën e saj në vitin 2018. Pastaj NATO mund të vendosë armë dhe ushtri atje në afërsi të Rusisë. Për Kremlinin, kjo është me sa duket arsyeja e mjaftueshme për të shfaqur muskujt e saj në kufi herë pas here – e zbukuruar me kërkesën për garanci sigurie të pengojnë Ukrainën të bashkohet me NATO-n dhe përpjekjet e Kievit për të rimarrë Krimenë.

Presidenti amerikan Joe Biden duket se po e humb durimin. Nëse nuk do të ishin të gatshëm të de-përshkallëzoheshin, SHBA kërcënoi me instrumentin më të rëndë sanksionues që Perëndimi kishte në dispozicion: shkëputjen e Rusisë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT. Parlamenti i BE-së e ka miratuar tashmë këtë masë ndëshkuese në fund të prillit, nëse ushtria ruse do të pushtonte përsëri Ukrainën. Do të ishte një hap radikal që mund të rindezte ndarjen e botës në Lindje dhe Perëndim.

Në rast të një përshkallëzimi, jo vetëm ushtritë do të kërcënonin njëri-tjetrin me arsenalet e tyre. Nga kjo bota do të mund të ndhej ekonomikisht: nga njëra anë do të ishte Perëndimi, nga ana tjetër Rusia dhe, në rastin më të keq, Kina – nëse gjigandi aziatik do të guxonte të qëndrojë në krah të rusëve.

Për Moskën është sinonim i shpalljes së luftës

Përjashtimi nga “Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar në mbarë botën” me bazë në Belgjikë, siç quhet SWIFT me formë të gjatë, i krijuar në 1973, njihet gjithashtu si “opsioni bërthamor” dhe është sinonim i një deklarate lufte. Të paktën kështu e quajti atë në vitin 2014 kryeministri aktual rus Dmitry Medvedev. Ministria e tij e financave llogariti në atë kohë se përjashtimi nga sistemi, i cili përdoret nga më shumë se 11,000 banka në mbarë botën, do të tkurrte prodhimin ekonomik rus me pesë për qind.

Në vitin 2014, rusët gjithashtu kishin frikë nga anëtarësimi i Ukrainës në NATO – megjithëse vendi as që kishte aplikuar për anëtarësim në atë kohë. Përveç kësaj, ish-presidenti amerikan Barack Obama dhe kancelarja në largim Angela Merkel u qetësuan në atë kohë. Jo plotësisht altruiste: SHBA-ja dhe Gjermania aktualisht përfitojnë më shumë nga Rusia duke përdorur SWIFT, pasi bankat atje komunikojnë më shpesh me ato në Rusi.

Megjithatë, si një mësim nga debati në atë kohë, Rusia ka filluar të ndërtojë një sistem alternativ. Rusët kanë parasysh shembullin e Iranit. Pas shkëputjes nga sistemi SWIFT, vendi në Lindjen e Mesme ka humbur pothuajse gjysmën e të ardhurave nga eksporti i naftës dhe 30 për qind të tregtisë së jashtme. Përveç gazit dhe naftës, Rusia eksporton edhe bakër. Një përjashtim i shpejtë do të kishte efekte shkatërruese afatshkurtra dhe do të rezultonte në një dalje masive të kapitalit.

Kundërstrategjia e Rusisë përfshin sistemin e kartave të pagesave “Mir”, i cili po zëvendëson Visa dhe Mastercard. Ai kontrollohet nga banka qendrore ruse dhe përpunon transaksionet me karta brenda vendit. Kartat “Mir” lëshohen në Rusi përmes kompanive. 73 milionë prej tyre janë në qarkullim, pothuajse një e katërta e të gjitha pagesave me karta përpunohen përmes saj.

Alternativa ruse është e vogël

Përveç kësaj, banka qendrore ruse ka zhvilluar sistemin SPFS si një alternativë SWIFT, por me 400 banka kryesisht ruse është ende një gjë e vogël. Nëpërmjet tij përpunohen 20 për qind e transfertave të brendshme, por për shkak të kapaciteteve të kufizuara teknike, më keq se sa e drejtë.

Megjithatë, Rusia do të kishte opsione të tjera pas një përjashtimi nga SWIFT. Për shembull, duke u kthyer drejt Kinës. Kinezët mbajnë gjithashtu një alternativë të vogël Swift me CIPS. Pjesëmarrja në të do të kishte avantazhin për Moskën që tregtia e jashtme me Kinën të mos rrënohej. Përveç kësaj, devijimi i rublës nëpërmjet renminbit ka avantazhin që, duke pasur parasysh fuqinë ekonomike të Kinës, ajo ka potencialin të sulmojë dollarin amerikan si monedhë rezervë. Aktualisht, Kina po parandalon ende përdorimin ndërkombëtar të renminbit përmes kontrolleve të kapitalit.

Monedhat dixhitale mund ta ndryshojnë këtë. Kina tashmë po punon për prezantimin e e-yuan, Rusia planifikon të testojë së shpejti e-rublin. Të dy shtetet duan të rimarrin kontrollin mbi flukset e monedhës. Dhe të dy kanë interes të lidhin partnerët e biznesit me sistemet dixhitale, edhe nëse ata vijnë nga Perëndimi.

Në prag të Lojërave Olimpike Dimërore 2022 në Pekin, pati një debakël sepse organizatori kinez donte të detyronte sponsorët si Visa dhe Nike të përdornin e-yuan. Bankat qendrore deri më tani e kanë konsideruar të pamundur që Kina të shkëputet nga partnerët e saj ekonomikë perëndimorë në mënyrë që të përdorë e-juan për të sulmuar dollarin amerikan, si monedhën kryesore dhe rezervë. Ndërvarësitë janë shumë afër dhe Kina është shumë e përqendruar te vetja. Por me përjashtimin e Rusisë nga komuniteti SWIFT, zona ekonomike euroaziatike mund të forcohet dhe – nga këndvështrimi i Perëndimit – të drejtohet në një drejtim të pafavorshëm.

Teksti u publikua fillimisht nga Capital .

Burimi: ntv.de

 

Lini një Përgjigje

Murtaja

Çmimi i energjisë elektrike, pritet të rritet