Pak ditë më parë doli nga shtypi, libri ditar, “Drama e mbijetesës”, pjesa e parë, e autorit Sabri Morina.
Autori Morina këtë ditar e kishte mbajtur në mënyrë konsistente, ditë për ditë, duke shënuar zhvillimet më të rëndësishme në vend, politike, përpjekjet e shqiptarëve në vitet për të mbrojtur autonominë e vitit 1974, dhe më pas të fillimit të procesit të pavarësimit.
Ishin ditët nga më dramatike dhe më të vështira deri në fillimin e luftës. Shqiptarë të persekutuar, të rrahur e të vrarë, të dëbuar nga puna dhe nga institucionet, sepse nuk i bindeshin më regjimit okupues të Serbisë.
Ditari përveç se rastet lokale të zhvillimit në Komunën e Kamenicës, përfshirë edhe shënimin e ngjarjeve familjare, të cilat po ashtu janë një pasqyrë e dokeve dhe zakoneve, përmbledhë dëshmitë në formë kronike të të gjitha zhvillimeve kryesore politike në vend, si protestat masive, vrasjet e shqiptarëve nga regjimi i Beogradit, duke filluar me vrasjet e ushtarëve shqiptarë, që ende sipas detyrimeve shërbenin në ushtrinë jugosllave, pastaj si ngjarjet kryesor organizimin e “Shtetit paralel”, referendumin për “Pavarësi”, mënyrën dhe qëndrimet që mbanin mediat, mënyrën si arrinte të funksiononte shteti, rolin negativ të shqiptarëve, që vazhdonin t’i shërbenin regjimit komunist jugosllav etj.
Ai lirisht mund të quhet edhe si ditar i paqes, edhe pse ka një titull shumë intrigues dhe përshkrues për shtypjen, që e përjetonin shqiptarët nga një regjim kriminal gjithnjë në rritje të dhunës dhe agresivitetit ndaj etnive, që kërkonin barazi, demokraci dhe pavarësi!
Pjesa e parë e ditari, i botuar në 325 faqe, format B5, përshkruan vitet 1988, 1989 dhe 1990. Fillon me 1 janar 1988 dhe përfundon me shënimet e 31 dhjetorit 1990.
Sabri Morina është profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ishte njëri prej protagonistëve kryesor në ngjarjet e asaj kohe të dhëna me saktësi e besnikëri në ditar. Po ashtu ishte drejtues i arsimit për shumë vite në komunën e Kamenicës, si drejtor i gjimnazit “Ismail Qemali” dhe më pas për shtatë vite drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Kamenicë.