Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ,në postimin e tij shkruan: “Kryetarët e komunave dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës i falënderova për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Shërbimin Spitalor dhe institucioneve të tjera që kanë qenë të përfshira në menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19.
Kosova është përballur me këtë situatë me shumë të panjohura, sikur çdo vend tjetër në botë. Ne kemi riorganizuar sistemin shëndetësorë dhe institucionet tjera dhe e them me kënaqësi që në bazë të indikatorëve ndërkombëtarë, jemi ndër vendet që e kemi menaxhuar relativisht mirë këtë situatë.Ndihem mirë që asnjëherë nuk jemi sfiduar për mungesë të buxhetit ose të angazhimit të resurseve të nevojshme për t’i dalë ballë kësaj pandemie, megjithëse resurset kanë qenë të kufizuara.
Për disa ditë do të vijnë furnizimet e para me vaksina dhe për këtë është bërë strategjia e imunizimit, janë identifikuar edhe personat, grupmoshat e caktuara që do të imunizohen qysh në fillim.Nga kryetarët e komunave kërkova që të mbajnë sistemin plotësisht të mobilizuar përmes shtabeve lokale, tash në kohën kur jemi në javët dhe muajt e fundit të menaxhimit të kësaj pandemie dhe t’ju ofrohen shërbime të nevojshme personave që janë të izoluar në shtëpi.


