in

PËPJEKJET E QEVERISË ANGLEZE PËR T’I DALË NË NDIHMË GANI KRYEZIUT PAS BURGOSJES DHE DËNIMIT TË TIJ

Pikërisht ky dështim i përpjekjeve për bashkimin kombëtar qe fatal edhe për Lëvizjen Kryeziu. Prijësi i kësaj Lëvizjeje, Gani Kryeziu, ndonëse luftoi kundër italianëve dhe gjermanëve, në fund të vitit 1944 u burgos nga komunistët.

Shkruan: Ymer JAKA

Pas okupimit të Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Lëvizja Kryeziu zhvilloi një veprimtari të dendur për çlirimin e trojeve shqiptare duke i bashkërenditur veprimet e saj me ato të koalicionit antifashist, posaçërisht me përfaqësuesit anglezë të këtij koalicioni.

Ndërkaq, derisa fuqitë e mëdha të koalicionit antifashist synonin fitoren mbi nazifashizmin, Lëvizja Kryeziu krahas kësaj fitore kishte si synim edhe zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare, çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Radhitja e kësaj Lëvizjeje në anën e fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore ishte orientim i drejtë për të ardhmen e kombit tonë, mirëpo marrja e pushtetit në Shqipëri nga komunistët pas përfundimit të kësaj Lufte qe një fat i keq për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare të cilat vazhduan të ngelnin jashtë kufijve të cunguar të shtetit shqiptar, të përvijuar në Konferencën e Londrës të vitit 1913.

Pikërisht ky dështim i përpjekjeve për bashkimin kombëtar qe fatal edhe për Lëvizjen Kryeziu. Prijësi i kësaj Lëvizjeje, Gani Kryeziu, ndonëse luftoi kundër italianëve dhe gjermanëve, në fund të vitit 1944 u burgos nga komunistët, u dënua me pretekst se kishte bashkëpunuar me gjermanët dhe nuk doli i gjallë nga burgu, ndërsa i vëllai, Hasani, bashkë me disa pjesëmarrës të rendësishëm të Lëvizjes Kryeziu, u vranë në fshatin Hereç të komunës së Deçanit në ditët e para të janarit të vitit 1945.

Gani Kryeziu u burgos më 28 dhjetor të vitit 1944 dhe u dërgua së pari në burgun e Prishtinës, ndërsa më vonë në një burg të Beogradit, ku u nxor para Gjykatës Ushtarake të Komandës së Qytetit të Beogradit, e cila me vendimin nr. 1884/45, të datës 27 tetor 1945, e dënoi me pesë vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave politike dhe qytetare për dy vjet dhe me konfiskimin e tërë pasurisë personale.1

Nga një seri dokumentesh të ruajtura në Arkivin Kombëtar të Britanisë së Madhe në Londër,2 61 sish që i kemi pasur në dorë, të periudhës prej 6 qershorit të vitit 1944 deri më 17 nëntor të vitit 1948, dalin të dhëna me interes mbi bashkëpunimin e Lëvizjes Kryeziu me anglezët dhe mbi ndërhyrjet e organeve qeveritare britanike për t’i dalë në ndihmë Gani Kryeziut pas burgosjes dhe dënimit të tij nga Gjykata Ushtarake e Beogradit.3

Nga një dokument i kësaj serie del në pah qartë përse pushteti jugosllav e shkatërroi pa mëshirë Lëvizjen Kryeziu, e burgosi dhe e dënoi prijësin e saj, Gani Kryeziun, ndërsa të vëllain, Hasanin, bashkë me 22 bashkëluftëtarë të tyre, i masakroi. Në këtë dokument gjendet teksti i deklaratës së Gani Kryeziut për popullin e Kosovës:

«Ju keni qenë të udhëhequr gabimisht nga prijësit që ju kanë thënë se Hitleri dhe Musolini janë miq të Shqipërisë dhe se Qeveria e Tiranës ka punuar me pëlqimin e aleatëve tanë. Gjermanët e kanë shpallur Shqipërinë të pavarur, por si mund të jetë ajo e këtillë kur qeveriset nga gjermanët? Miqtë tanë janë aleatët dhe e vetmja mënyrë që ta kemi përkrahjen e tyre është të luftojmë tani. Në asnjë mënyrë tjetër nuk mund të shpresojmë ta fitojmë pavarësinë në të ardhmen dhe ta përfshijmë Kosovën në Shqipëri. Le të bashkohemi pavarësisht nga partia, fisi ose feja, le t’i tregojmë botës se ne e dëshirojmë pavarësinë duke u ndihmuar aleatëve t’i luftojmë ato shtete që dëshirojnë t’i sundojnë shtetet e vogla».4

Pra, për shkak të synimit të Lëvizjes Kryeziu që Kosova të çlirohet një herë e përgjithmonë nga sundimi serb, qëndrim ky që ishte i theksuar edhe në Rezolutën e Bujanit, ku shprehimisht thuhet se për Kosovën do të vendoste në referndum vetë populli i saj pas përfundimit të Luftës, komunistët jugosllavë e shkatërruan pa mëshirë Lëvizjen Kryeziu.

Më vonë, në kohën kur Gani Kryeziu mbahej në burgun e Prishtinës, pas telegramit të dërguar nga Bari në Shtabin Kryesor të forcave aleate në Kazerta të Italisë, Zyra Qendrore e Rezident Ministrit në Kazerta e njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme, Forin Ofisin (Foreign Office),4a  në Londër:

«Me pikëpamjen e nxjerrë nga fakti se ky shqiptar në vazhdimësi luftoi kundër gjermanëve në rajonin e Kosovës dhe me vendosmëri punoi në anën tonë, brigadieri Hoxhson (Hodgson) porosit me këmbëngulje që madhëria e tij ambasadori në Beograd […] duhet të ndërhyjë në interes të Gani Kryeziut».5

Pas këtij njoftimi për burgosjen e Gani Kryeziut, ndërmjet Zyrës Qendrore të Rezident Ministrit në Kazerta, Forin Ofisit dhe ambasadës së Britanisë së Madhe në Beograd u këmbyen disa telegrame dhe letra.

1 Në studimin e Dr. Rrustem Gjatës Vepër e politikës antishqiptare të Serbisë dhe bashkëpunimit të udhëheqjes komuniste shqiptare, të botuar në gazetën Bota sot, të datës 6 tetor 2006, faqe 23, pohohet se Gani Kryeziu u burgos «në ditët e para të janarit 1945». Ndërkaq, nga vendimi i Gjykatës ushtarake të Beogradit del se vuajtja e dënimit të shqiptuar nis më 28 dhjetor të vitit 1944 prandaj, si rrjedhim, duhet të merret kjo si datë e burgosjes së tij.

2 The National Archives, dosja 247765. Në vijim të punimit tonë do t’i citojmë vetëm referencat e dokumenteve të ruajtura në këtë dosje.

3 Dosjen e kopjeve të dokumenteve për Gani Kryeziun, të ruajtura në Arkivin Kombëtar të Londrës, të përkthyera në gjuhën shqipe, na e vuri në dispozicion Zoti Zanfir Kryeziu, të cilit i shprehim mirënjohje për këtë ndihmë në hartimin e këtij punimi.

4 Ref. Fo371/48110, 10.VI.1944.

4a Tani e tutje, për arsye praktike, do ta përdorim termin Forin Ofis për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, i cili përdoret rëndom për këtë Ministri.

5 Ref. Fo371/48110, 16.IV.1945.

Vijon 

Lini një Përgjigje

Ju që nuk latë gjë pa i bërë këtij vendi, qëndroni largë listave zgjedhore

Rama bëri vizitë në Greqi, para se zyrtarisht ta dorëzonte detin!