Rudokf Marku: “Zemra është një vend i vetmuar”, botoi UETPRESS, Tiranë, 2022.
Gani Mehmetaj – Leteratura
Roza dhe Martini janë dy të rinj me mendësi të ndryshme: Ai mesdhetar shqiptar, Ajo gjermane e kontinentit të bukurisë kristalore, e racës nordike, me sy të kaltër, që mrekullohet nga dielli, deti dhe perëndimet e diellit mbi Adriatik. Rastësia është mbret i botës, ndërsa dashuritë gjithnjë mugullojnë pas takimit të rastit. Mbi këtë gjeografi ngjizet dashuria. Tema është e rrallë, protagonistet të pazakonshëm, rrëfimi të mbanë pezull.
Sa mirë do të adaptohej në film romani “Zemra është një vend i vetmuar” i shkrimtarit të njohur Rudolf Marku, një rrëfim emocionues, i shtrirë në tri kohë dhe në tri vende, i ndërthurur me atmosferë, mendësi e vende të ndryshme, i përqendruar në fatin dhe dashurinë e dy të rinjve. Do ta pasuronte jo vetëm tematikisht kinematografinë shqiptare, por do ta pasuronte edhe stilistikisht, ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim në filmin shqiptar.
Rudokf Marku në romanin “Zemra është një vend i vetmuar”, e ndërton një dashuri si në filma, me pamje vizuale, me visore të mrekullueshme, me të rinjtë që dinë ta gëzojnë moshën, jetën, bukurinë. Është i rrallë sfondi i zhvillimit të veprimit.
Ngjarja nis me kujtimet e fëmijërisë, të autori a të çunit që kujton çfarë i kishte treguar e ëma. Shpalohet pastaj vështrimi panoramik i Adriatikut, jetë luksi, tronditjet e mëdha në prag të fillimit të Luftë së Dytë Botërore dhe një jetë ndryshe nga sa e jeton djaloshi në fëmijërinë e tij.
Mbi këtë kornizë e ndërton romanin Rudol Marku, që ka aftësi rrëfimi, erudicion për njerëzit, kohën dhe vendet. Ai nuk gjykon, as nuk vlerëson, ai tregon dhe humbet në rrëfim, duke e shpënë lexuesin labirinteve të dramave njerëzore.
“Zemra është një vend i vetmuar”, nuk është rrëfim i mbyllur në një vend të izoluar e të harruara nga Zoti dhe nga njeriu, edhe pse pjesa e fundit në një vend të vetmuar e të izoluar zhvillohet. Rrëfimi shtrihet në hapësirë të gjerë gjeografike, në Dubrovnik, Split (Kroaci), Berlin (Gjermani) dhe Shkodër (Shqipëri).
Fati e solli gjermanen në Shqipëri, në kohë të lig, me diktaturën më të eger, kur paranoja ndaj armikut dhe ndaj të huajve ishte shumë e madhe. Ndërkaq, Roza, protagonistja e heshtur- Penelopa që e pret burrin shqiptar të del nga burgu, për sistemin me paranoje është dy herë armike. Një herë pse është e huaja dhe herën e dytë pse është gjermane, ndërsa propaganda “antifashiste” të gjithë gjermanët i barazonte me nazistët.
Kemi lexuar për fatin e grave ruse që u martuan me burra shqiptarë. Kemi lexuar se ato i ndanë nga burrat, në rastet më të rralla i mbajtën, por nuk kam lexuar për fatin e një gjermane në diktaturën shqiptare, që ishte po ashtu dy herë e tretur në shkretëtirë: jetonte në një vend me varfëri të skajshme, me kulturë tjetër dhe nën një diktaturë të pashembullt në egërsi, ndërsa e priste daljen e burrit nga burgu, mu si e priste Penelopa kthimin e Uliksit.
Rozën s’kishte kush ta mbronte. Ajo ishte në atdhe të huaj, që kurrë nuk e pranoi, ishte e vetmuar dhe e braktisur.
“Zemra është një vend i vetmuar”, është ndër romanet më të mira që kam lexuar kohëve të fundit, ndër ato libra që edhe pasi i mbyll kopertinat nuk të hiqet nga mendja me fuqinë e fjalës, me dramën që e përjetojnë personazhet, me atmosferën, me skalitjen e personazheve. Tri kohët janë tri vështrime panoramike, janë depërtim në etnopsikologji, të shkrira në të djeshmen dramatike e farfuritëse dhe në të sotmen e zymtë.
Romani pa dashje ma kujtoi thënien e famshme të At Zef Pllumit: “Kurrë s’e kam kuptue se si një popull i vogël si shqiptarët, ka mujt me nxjerr kaq shumë rrugaça”.
Ndërsa Dolfi, sikurse e quajnë miqtë e brezit të tij, Rudolf Markun, e shpjegon më së miri esencën e kësaj vepre: “Është një libër për të keqen që ka pasur dhe ka shoqëria shqiptare, për njëlloj ashpërsie të pazakonshme. Për një ferr që ne e kemi ndërtuar me duart tona. Një shoqëri që është më e vrazhdë se ferri i Dante Aligherit”.
Është mëkat, nëse nuk bëhet film.