Në pritjen që organizoi Papa Françesku në Vatikan për delegacionin e pastorëve të Kishave Protestante Ungjillore të Evropës, pastori Krasniqi ftoi Papën që të vizitonte Kosovën.
Papa Françesku priti në Vatikan delegacionin e pastorëve të Kishave Protestante të Evropës. Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe pastor Artur Krasniqi nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës. Ai duke sjelle përshëndetjet nga Kosova, i shprehi Papës falënderimet për kontributin që ai dhe Papati kanë dhënë për Kosovën në kohën më të vështirë. Përkundër vuajtjeve e martirizimit Kosova i dha botes figura siç është Nëne Terezë.
Pastori i shprehu Papës dëshirën e popullit të Kosovës për një vizitë. Ai e luti që të vendosin një date për vizitë në Katedralen “Nena Terezë”.
“Papa me buzëqeshje shprehu admirimin për Kosovën dhe dëshirën e madhe që ta vizitoj. Ai premtoj që do të vijë së shpejti në Slloveni dhe po ashtu Kosova është në agjendën e vizitës”, tha në një prononcim për Dardania Press, pastori Krasniqi.
Pastori tregoi se Papa shprehu fjalë kurajo, duke nxitur që secili në këtë kohë duhet të lutët për paqe e të bëhet predikues i paqes në botë. Duke u lutur për paqen në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, Papa u lut po ashtu edhe për pastorët. Atyre u dha një dhuratë- Medaljen e Përvjetorit të XI- të të Pontifikatit të tij.
Para se të takohej me Papën, pastor Krasniqi ka takuar edhe ambasadorin e Republikës së Kosovës në Vatikan z. Vehbi Miftari, si dhe Ipeshkvin Dodë Gjergji në Prishtinë.
Pastori Krasniqi shprehu kënaqësinë e veçantë për pritjen nga një personalitet kaq i veçantë si Papa Françesku.
“Përveç thjeshtësisë e përuljes Papa shprehu dhimbje me lot për vuajtjet në botë. Ai tregoj se çdo dite lutet për botën e thyer nga vuajtjet. Ndihem i bekuar që pata mundësi ta takoj shkëlqesinë e tij që të sjell Kosovën në vëmendjen e tij. Ia ripërsërita ftesën për vizitë në Kosovë”, tha në fund të prononcimit, pastori i kishës Protestante Ungjillore të Kosovës Artur Krasniqi.