Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, nuk parasheh se mund të ketë probleme për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani është kandidatja e kësaj lëvizjeje për postin e presidentit. Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit ka fituar më së shumti vota, përkatësisht mbi 300 mijë vota.
Kandidaturën për postin e presidentit e ka bërë publike edhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili në këto zgjedhje fitoi mbi 41 mijë vota.
Zyrtarët e lëvizjes së Albin Kurtit, thonë se nuk presin vështirësi në formimin e institucioneve të reja, përfshirë këtu edhe zgjedhjen e presidentit të ri.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë, se qytetarët kanë dhënë mesazh të qartë me votat e tyre se kush duhet të udhëheqë me institucione.
“Me t’u certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, ne jemi të gatshëm që menjëherë të konstituohet kuvendi, të formohet qeveria dhe zgjedhja e presidentes si domosdoshmëri për vendin, por edhe si realizim i vullnetit të qytetarëve. Besoj që kjo duhet të jetë qasja e të gjitha subjekteve që do të përfaqësohen në kuvend”, tha Kryeziu.
Për formimin e qeverisë, Lëvizjes Vetëvendosje i duhen 61 vota. Kjo lëvizje ka fituar 58 vota dhe për krijimin e ekzekutivit llogarit në votat e komuniteteve joserbe.
Presidenti i Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës zgjedhet nga kuvendi, me votim të fshehtë.
Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të kuvendit.
Nëse asnjëri kandidatë nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet president i Republikës së Kosovës.
Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Në Partinë Demokratike të Kosovës nuk kanë dashur të flasin lidhur me atë se kë do të përkrahin për postin e presidentit.
Ndërkohë, ish-bashkëpartiakët e Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, deri më tani nuk kanë treguar se si do të veprojnë për zgjedhjen e presidentit.
“Nuk kemi ndonjë përgjigje lidhur me këtë çështje sepse duhet të ketë konsultime me lidershipin e ri që do të zgjidhet në kuvendi e ri të LDK-së. Do të shohim çka do të dalë nga kuvendi dhe më pas do të marrim qëndrim”, tha Bunjaku-Rexhepi.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me disa zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë dashur të flasin lidhur me këtë çështje.
Lideri i LVV-së, Albin Kurti është i vendosur që të mos e ftojë asnjë parti shqiptare për të formuar institucionet e reja të vendit. Ai gjatë një prononcimi për media të mërkurën nga Tirana, tha se beson se partia e tij do ta kalojë shifrën prej 61 deputetëve, sa janë të nevojshme për ta formuar qeverinë.
“Nuk do të kemi nevojë për kompromise me eksponentët e regjimit të vjetër sepse populli e donë të renë. Populli e ka bërë prerjen, nuk e kemi ndërmend t’ia shkelim vullnetin e t’ia devijojmë dëshirën”, tha Kurti.
Vjosa Osmani, që aktualisht është ushtruese e detyrës së presidentit, mund ta mbajë këtë pozitë më së largu deri më 5 maj të këtij viti.
Osmani ka ardhur në këtë pozitë pas dorëheqjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, më 5 nëntor, 2020, kur i është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.