Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kundërshtuar nisëm e LVV-së, për ndryshimin, në procedurë të përshpejtuar, të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Bedri Hamza nga PDK-ja tha se partia e tij nuk pajtohet që kjo çështje të trajtohet me urgjencë pa pasur mundësi që edhe institucionet e tjera, siç është Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe shoqëria civile, të japin kontributin e tyre.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ky ligj nuk është prioritet.
“Vetëm në sisteme totalitare, në sisteme ku ka deficite serioze të demokracisë, nxirret për amendamentin dhe ndryshim një ligj i cili rregullon të drejtën themelore për të qenë të zgjedhur dhe për të zgjedhur”, ka thënë ai.
LVV-ja ka thënë se nxjerrja e këtij ligji në kuvend, në ditën kur pritet të votohet për presidentin e ri, nuk është shantazh, por realizim i një premtimi elektoral.
Aktualisht, diaspora mund të votojë përmes postës, proces të cilit i paraprin faza e aplikimit dhe të verifikimit të të drejtës së votimit.


