in

Osmani: Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë

Vjosa Osmani, si pjesë e LVV-së, nga Lëvizja “Guxo”, që është edhe kandidate për presidente të Kosovës, ka bërë homazhe në Krushë të Madhe, ku para 22 vjetëve u ekzekutuan dhe u vranë mizorisht 243 shqiptarë të këtij fshati, nga regjimi gjenocidal serb. Në Krushën e Vogël, po ashtu u kujtuan 113 të vrarë nga forcat serbe. Në mesin e tyre kishte edhe fëmijë, ka shkruar ajo në Facebook. Pafajësia e tyre, sikurse edhe e të gjithë të të vrarëve të tjerë do të rëndojë mbi barrën tonë, derisa shkaktarët do ta marrin dënimin e merituar.

Shkrimi i plotë:

Fundi i marsit është periudha e dhimbjes dhe e kujtimit për shumë masakra që ndodhën 22-vjet më parë. Sot përkujtuam ata që humbëm në Krushë të Madhe, në Krushë Vogël dhe në Suharekë në masakrën ndaj familjes Berisha. Që të gjitha janë dëshmia më autentike e gjenocidit serb në Kosovë dhe tregojnë qartë për qëllimin e atij regjimi për shfarosjen e popullit tonë.

Në Krushë të Madhe sot bëmë homazhe dhe nderuam 243 të vrarët e këtij fshati, të cilët 22-vjet më parë u ekzekutuan mizorisht nga regjimi gjenocidal serb. Në Krushën e Vogël, poashtu kujtuam 113 të vrarë nga forcat serbe. Në mesin e tyre kishte edhe fëmijë. Pafajësia e tyre, sikurse edhe e të gjithë të të vrarëve të tjerë do të rëndojë mbi barrën tonë, derisa shkaktarët do ta marrin dënimin e merituar.

Në vend të rritës, ata morën plumbat. Në vend të sukseseve të tyre në shkollë, ne sot kujtojmë përvjetorin e vrasjes së tyre. Dhimbja e kujtimi për ta s`kanë fund! E dhimbja është shumëfish më e madhe për ata që akoma janë të zhdukur.

Te dy Krushat janë personifikim i sakrificës, mbijetesës dhe rilindjes!

Ndërkaq në Suharekë, te Lapidari i Martirëve nderuam kujtimin për 50 anëtarë të familjes Berisha, të cilët 22-vjet më parë u ekzekutuan nga forcat serbe në shtëpitë e tyre.

Bashkëndjejmë me tre të mbijetuarit e kësaj masakre: Vjollca, Shyhrete dhe Gramoz Berisha, duke i siguruar ata që përpjekja jonë për drejtësi për fëmijët e familjarët e vrarë të tyre nuk do të pushojë asnjëherë.

Këta të rënë janë kujtesa jonë historike dhe ndërgjegjja për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Le të jetë ofshama e nënave, që edhe sot kumbon po aq shumë e është po aq e dhimbshme sikur edhe 22 vjet më parë, udhërrefyes për të gjithë që kurrë mos të harrojmë e kurrë mos të ndalemi së kërkuari drejtësi.

Lini një Përgjigje

Konjufca: Gjaku i të rënëve të Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël qëndron në themelet e shtetit tonë

Hoxhaj: Krimet serbe, orkestrim i planifikuar i pushtetit gjenocidal