U.d. e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani,me anë të një komunikate për medie ka përgëzuar qytetarët e Podujevës dhe ata të Mitrovicës së Veriut për procesin e djeshëm zgjedhor, u u zgjodhën kryetarët e rinj të këtyre dy komunave.
Republika e Kosovës dëshmoi se është e aftë të organizojë zgjedhje të lira, fer e demokratike, nëpërmjet të cilave qytetarët duke votuar, treguan se e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur janë bazament i demokracisë dhe respektimit të lirive politike!
I uroj të gjithë qytetarët e Podujevës dhe ata të Mitrovicës së Veriut për maturinë e treguar gjatë tërë këtij procesi, përkundër faktit se u realizua në kohë pandemie.
Përgëzoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë të angazhuarit e tjerë për punën dhe angazhimin e madh me të cilin u arrit organizimi i zgjedhjeve sipas standardeve demokratike. Falënderoj po ashtu përfaqësuesit e shoqërisë civile për angazhimin në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve si dhe mediat për raportimin nga këto dy komuna!