Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, dje kanë udhëtuar për në Uashington D.C. për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.
Ata gjatë vizitë në ShBA do të kenë takime me zyrtarë të lartë amerikanë, raporton RTKlive.
“Në Departamentin Amerikan të Shtetit, do të kemi nderin të pritemi nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sot në orën 16:30, sipas kohës lokale në Washington D.C. Së bashku me Kryeministrin Kurti, në këtë takim do të fokusohemi në thellimin e partneritetit strategjik me SHBA, duke adresuar sfidat me të cilat po ballafaqohet rajoni ynë, reformat që po i ndërmarrin institucionet tona si dhe fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Kosova është e bekuar me miqësinë dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara” ka shkruar Osmani në “Facebook”.