Isisi është ende gjallë në Britaninë e Madhe. Në fakt nga 900 persona që kishin shkuar atje gjatë kulmit të luftës në Siri, 300 nga ta janë kthyer sërish në vend. Shumë nga nuset e Isisit janë ende të ngujuara në kampe refugjatësh, që kontrollohen nga Kurdët. Andaj një celulë e Isisit ka ngritur një operacion mu nga zemra e Britanisë së Madhe, dhe të mirë organizuar, kanë filluar të grumbullojnë para përmes Facebookut. Me këto para ata synojnë që përmes ryshfeteve të blejnë lirinë per nuset e xhihadit. Por siç duket jo të gjitha kanë këtë fat. Celula e Isisit duket se është e fokusuar vetëm tek nuset që janë me nënshtetësi të vendeve perëndimore.
E gjithë kjo skemë u zbulua nga disa gazetarë sekret të The Daily Mail. Ata së pari dëgjuan për këtë gjersa ishin duke bërë reportazhe në kampin e refugjatëve Al-Hol. Nga aty, duke u paraqitur nën identitete të rreme, ata arritën që të kapnin një nga ‘korrierët’ në kamera, dhe identifikuan një nuse xhihadi me lidhje ende të forta në Isis. Ata fillimisht kishin kontaktuar një ‘rregullues’ në Turqi, duke u shtirur sikurse kishin 4500 funte, të cilat kishin si qëllim t’i jepnin donacion për lirimin e nuseve xhihadiste. Ai pastaj i vuri në kontakt me të tjerë, e pas shumë peripetive, e gjitha përfundoi me hapjen e një hetimi mjaft serioz të autoriteve kundër-terroriste të Britanisë.
Ndërsa Policia metropolitane ka hapur një hetim rreth këtij rasi, The Daily Mail ka shpalosur këtë rrjet mjaft të sofistikuar me vetëm një synim, financimin e arratisjes së nuseve xhihadiste. Shumica e këtyre nuseve janë lënë të veja disa herë, dhe janë martuar nga disa herë. Edhe pse moshataret e tyre në vende normale janë ose duke përfunduar shkollën e mesme, ose duke menduar për udhëtime, universitet, karrierë e dashuriçka, nuset e xhihadit i kanë mesatarisht nga 4 fëmijë tashmë. Njëri nga kampet ku mbahen ato është edhe kampi Al-Hol në Siri, ku u mbajt edhe Shamima Begum që iku nga Britania në moshën 15 vjeçare për t’u bashkuar me ISIS-in pesë vjet më parë.
Qeveria javën e kaluar ka nisur një lëndë në Gjykatën e Lartë për të anuluar një vendim që i lejonte kthimin në Britani Shamima Begum-it, tani 21-vjeçare, që të ishte e pranishme në kundërshtimin ligjor kundër Zyrës së Brendshme e cila ia ka hequr asaj nënshtetësinë britanike.
Avokatët argumentuan se lejimi që Shamima Begum, nusja e Isisit të kthehej në Britani ‘do të krijonte rreziqe të rëndësishme të sigurisë kombëtare’. Ndërkohë, ekziston një shqetësim në rritje për ringjalljen e ndikimit të ISIS në kampe ku mbahen rreth 13,500 gra dhe fëmijë të huaj të lidhur me grupin terrorist.
Sipas një raporti javën e kaluar, një grup në Instagram i quajtur Margaritarët në Kafaz – që besohet se drejtohet nga gratë britanike të ndaluara në kampin Al-Hol e të cilat po mbledhin para për të financuar arratisjen e tyre – po e reklamojnë veten me një poster ku shkruan: ‘Al-Hol – Djepi i Kalifatit të ri. ‘
Ishte në kampin e gjerë të Al-Hol-ot, ku Daily Mail mësoi për herë të parë në shtator se mbështetësit e ISIS-it po grumbullonin para në Mbretërinë e Bashkuar për të ndihmuar nuset xhihadiste të blinin me ryshfete rrugën e tyre drejt lirisë. Me sa duket ato ose do të kthehen nëpër vendlindjet e tyre, ose do të udhëtonin që të bashkohen me mbetjet e këtij grupi terrorist të shpërndarë gjithandej Lindjes së Mesme.
Një mbledhëse e tillë fondesh quhej ‘Sumaya Holmes’. Ajo ishte kontrabanduar nga kampi dhe kishte udhëtuar për në Turqi. Holmes thuhet se është e veja e një britaniku të konvertuar i cili vdiq duke luftuar për ISIS-in në Siri, si dhe gruaja e një xhihadisti boshnjak që është duke vuajtur një dënim me burg në vendin e tij të lindjes.
Në faqen e saj në Facebook, Holmes bën thirrje hapur për donacione, duke postuar fotografi të grave me burka që mbajnë lart pankarta me të cilat kërkojnë ndihmë për t’u larguar.
“Asalam Alejkum [Paqja qoftë mbi të gjithë] Unë jam një motër nga kampi Al-Hol dhe më duhen 6,000 dollarë [4500 £] në mënyrë që të shpëtoj nga PKK [Kurdët]. Ju lutem, i kërkoj të gjithëve të më ndihmojnë dhe të dhurojnë sa më shumë që të munden”, shkruhet në pankartë.
Nën të, Holmes ka shkruar: ‘Kjo është shoqja ime e cila poashtu ka nevojë për ndihmë. Ajo më dërgoi këtë foto dje … Ju lutem, edhe nëse nuk mund të ndihmoni, ua dërgoni këtë atyre që mund t’i japin asaj donacone. Jazakallah Khayr [Zoti ju shpërbleftë]. ‘
Thirrjes së saj iu përgjigj një reporter nga Daily Mail. Ai tha se ishte një diler droge nga Londra e Jugut, që ishte konvertuar në Islam, dhe e pyeti Sumaja Holms-in në Facebook se çfarë ndihme mund të ofronte. Holmes menjëherë kërkoi që të komunikonin në Telegram, një aplikacion që kodon mesazhet dhe i cili përdoret nga ekstremistë dhe kriminelë për shkak të niveleve të larta të sigurisë që i ofron. Holmes fillimisht kërkoi që donacioni të bëhej në kriptovalutën Bitcoin.
Mirëpo kur reporteri i DM refuzoi ajo sugjeroi që ai të bënte një depozitë në një llogari bankare të një bashkëpunëtori në Jordan dhe më pas me hawala, një sistem tranferimi parash që përdoret në botën myslimane, dhe që nuk lë gjurmë nëpër shënime. (Hawala është e ngjashme me Western Union me dallimin se paratë i paguhen një agjenti i cili më pas udhëzon një bashkëpunëtor të largët të paguajë marrësin përfundimtar.)
Ajo ia dërgoi adresën dhe numrin e telefonit të këtij agjenti me qendër në Britani, për të cilin tha se mund të kryente një shërbim të tillë, mirëpo gazetari i fshehtë përsëri refuzoi.
Holmes më pas dha detajet e një burri të quajtur ‘Anas’ në Londër, i cili mund të mblidhte paratë e gatshme personalisht. Kur u bë një ofertë për të dhuruar 4,500 £, Holmes shkroi: ‘Ok akhi [vëllai im] këtë shumë parash doni ta kontribuoni për të liruar një motër apo për shpenzime të motrave në kampe?” Gazetari tha që të: “Lironin një motër” dhe mori përgjigjen: “Në rregull unë do të përkujdesem për këtë motër Insha Allah [dashtë Zoti] “.
Gjatë kësaj kohe Holmes nuk kishte ndenjur këmbëkryq. Ajo ishte mjaft aktive në faqen e saj në Facebook ku shkumonte mbështetjen e saj për ISIS-in. Në një postim, ajo e përshkroi Abdullakh Anzorov, Çeçenin që muajin e kaluar i preu kokën mësuesit Samuel Paty afër Parisit, si një ‘hero’, duke shtuar: “Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë ndjenjat e mia ndaj tij dhe atë që ai bëri për Profetin tonë, paqja qoftë mbi të. Muxhahid i vogël [luftëtar i xhihadit], ti je një shembull për shumë Inshaallah [dashtë Zoti] #chechanhero.”
Ndërkaq në Londër një gazetar i dytë sekret po organizonte takimin në whats App me ‘korrierin’ Anas në një rrugë banimi në Akton, Londrën Perëndimore.
‘Akh [vëlla], si të t’i sjell paratë e gatshme? Në një zarf apo ndryshe? ‘ gazetari pyeti pasi që data ishte caktuar për të premten. “Një zarf, mund ta bësh në çdo kohë, por të lutem më trego një çerek ore para se të arrish, të lutem”, u përgjigj Anas.
Kur gazetari e ndryshoi planin, duke përdorur si justifikim shqetësimin se policia mund të vëzhgonte – dhe la një zarf ngjyrë kafe A4 nën disa bombola gazi në një stacion shërbimi aty pranë. Meqenëse është e paligjshme t’i dorëzosh para një terrorist të dyshuar, zarfi përmbante vetëm një libër me fjalëkryqe. Gazetari më pas informoi Anasin se ku mund ta gjente paketën, duke bashkangjitur një fotografi se ku e kishte lënë.
Brenda pak çastesh, gjersa një ekip i Daily Mail po vështronte, një burrë me mjekër dhe me helmetë të bardhë mbërriti me një skuter ngjyrë argjendi. Ai u gjunjëzua, nxori zarfin dhe buzëqeshi para se të dërgonte mesazhin te reporteri: “Dosja u mor, më lini të kontrolloj paratë dhe t’ju them”.
Anasi shumë shpejt i kontaktoi përsëri. “Nuk ka para në zarf, ka vetëm një libër. ??? … Duket se nuk jeni serioz në lidhje me diskutimin tuaj.”
Ekipi i gazetarëve njoftuan Skotland Jardin menjëherë. Natën e kaluar, një zëdhënës tha se informacioni po vlerësohej nga detektivët e kundër-terrorizmit. Gazetarët e konfrontuan në një lidhje telefonike Anasin, i cili menjëherë mohoi përfshirjen“Jo, jo, unë nuk marr asgjë, ju jeni gabim,” tha ai në një anglishte të çalë para se ta mbyllte telefonin. Ai nuk u përgjigj më në thirrje të mëtejshme. Edhe Holmes mohoi përfshirjen e saj në një seri mesazh të këmbyera mes saj dhe gazetarëve në Facebook Messenger. “Kjo nuk është e vërtetë, ju jeni duke thënë ndyrësi m***”, shkroi ajo. “Suksese me botimin e gënjeshtrave tuaja.”
Niveli i kërcënimit terrorist në Britaninë e Madhe është “i rëndë”, andaj këto zbulime të bëra nga Daily Mail do të ringjallin shqetësimet në lidhje me rreziqet e mbështetësve të ISIS-it të cilët janë kthyer në Mbretërinë e Bashkuar ose që do të kërkojnë të kthehen në të ardhmen. Vlerësimet sugjerojnë se rreth 300 nga 900 Britanikët që shkuan në Siri për t’u bashkuar me ISIS-in përsërin janë në Britani.
Dr Vera Mironova, një eksperte për ISIS-in dhe studiuese në Universitetin e Harvardit, tha: “Për të shpëtuar nga kampe kushton rreth 18,000 $ [13,500 funte] dhe suksesi i këtyre fushatave tregon sasinë e madhe të fondeve që ISIS është në gjendje të mbledhë në internet,” tha ajo .
“Sapo gratë të kontrabandohen jashtë kampeve, është e pamundur që të monitorohen më. Ndërsa gratë që mbledhin para online janë ende me ISIS-in. Atyre iu besohet dhe mbështeten nga anëtarët e organizatës në të gjithë botën. Ato kanë një rrjet mbështetësish në të gjithë botën, andaj edhe puna e tyre mund të quhet globale.” Përpunuar nga The Daily Mail