in

Nordstream 2: SHBA i ofrojnë negociata Gjermanisë

Administrata Biden dëshiron të shkëputet nga spiralja e sanksioneve ndaj Gjermanisë për Nordstream 2. Vullneti amerikan për negociata mund ta ndërpresë shkallëzimin e tensionit, shkruan Auron Dodi.

Administrata amerikane e Presidentit Joe Biden ka hedhur një hap për të zgjidhur mosmarrëveshjen më të madhe që ka aktualisht me Gjermaninë, për gazsjellësin Nordstream 2. Një nëpunës i lartë amerikan i tha një gazete gjermane se për Nordstream 2 “gjermanët duhet të paraqesin një zgjidhje paketë në tryezë”.

Me këtë amerikanët sinjalizojnë se janë të gatshëm të negociojnë për një çështje, tek e cila në SHBA si rrallë herë janë bërë bashkë republikanët dhe demokratët: për ta penguar me çdo mjet përfundimin e gazsjellësit që do të sjellë gaz nga Rusia në Gjermani e Evropë, pasi ai prek interesat e sigurisë të SHBA.

Zgjidhja paketë kupton për amerikanët që ata mund të heqin dorë nga sanksionet ndaj Nordstream 2 në këmbim të sigurive se me këtë gazsjellës Ukraina nuk do të shkëputet nga tregu evropian i gazit. Si dhe të hapave që do të sigurojnë se varësia e Evropës nga gazi rus të mos bëhet e madhe.

Në këtë kuadër amerikanëve u duket me interes propozimi për një mekanizëm kyçës të gazsjellësit Nordstream 2. Me këtë mekanizëm do të ndërpritej gazi në Nordstream 2, në rast se Rusia e vë nën presion Ukrainën duke mos i çuar asaj gaz.

Amerikanët thonë që nga sanksionet do të heqin dorë vetëm po të sigurohen që Rusia nuk do ta përdorë Nordstream 2 si armë, kundër Ukrainës dhe fqinjëve të tjerë.

Nëse ky mekanizëm është vetëm një mjet impresionues, me të cilin administrata Biden synon të dalë nga mosmarrëveshja e madhe me Gjermaninë duke ruajtur dinjitetin, apo ajo beson vërtet në efektivitetin e tij, kjo ka pak rëndësi. Propozimi nënkupton gjithsesi besim për Gjermaninë, e cila do ta kishte në dorë levën e ndërprerjes së gazit rus, në rast nevoje. Administrata Biden e trajton kështu Gjermaninë si shtet të respektuar, prej të cilit priten vetëm veprime të përgjegjshme. Dhe „një nga miket më të ngushta” të SHBA, siç deklaroi Biden të enjten (04.02.2021) në fjalimin programatik për politikën e jashtme, nuk ndëshkohet me sanksione kur nuk të pëlqejnë veprimet e tij.

Administrata Biden dëshiron të shkëputet nga spiralja e sanksioneve me Gjermaninë. Pasi, sipas medieve, edhe Gjermania e Franca kanë ngritur një grup pune për të shqyrtuar sanksione eventuale ndaj firmave amerikane. Kancelarja Merkel kujtoi në konferencën e shtypit pak javë më parë se ajo do t’i mbrojë interesat e Gjermanisë, në një kohë që Bideni mbron interesat amerikane.

Hapa gjermane për t’i qetësuar kritikët e Nordstream 2

Në fakt qeveria gjermane ka ndërmarrë një sërë hapashpër t’u treguar kritikëve se siguria e partnerëve ka rëndësi për të.

Ishte në sajë të këmbënguljes gjermane që në dhjetor 2019 Rusia nënshkroi me Ukrainën një marrëveshje, e cila ka hyrë në fuqi në 1 janar 2020. Kjo marrëveshje e detyron Rusinë që për pesë vjet, ta furnizojë edhe përmes Ukrainës, Evropën me gaz.

Por tani Uashingtoni dëshiron që kjo marrëveshje të rinegociohet për t’i sjellë përfundime më të mira Ukrainës.

Veç marrëveshjes ruso-ukrainase: qeveria gjermane ka hapur rrugën për ndërtimin në Gjermani edhe të dy ose tre terminaleve për gaz të lëngshëm, LNG.  Me këtë edhe amerikanët mund të eksportojnë më lehtë gaz të lëngshëm në Gjermani dhe në Evropë. Kjo e ul mundësinë që për amerikanët të mos ketë më vend në tregun evropian të gazit; ajo e vështirëson edhe një varësi potenciale të Evropës nga gazi rus.

Qeveria gjermane ka ndërmarrë edhe hapa të tjerë për t’a siguruar Ukrainën për mbështetjen e saj: këto ditë kanë vendosur kontakte me Berlinin firma ukrainase, të cilët mund ta furnizojnë Evropën me hidrogjen të pastër. Ukraina ka kushte të mira për këtë dhe mund të shfrytëzojë për furnizimin tubacionet ekzistuese të gazit, nëse ato nuk përdoren për gaz.

Lini një Përgjigje

Daka: Jam bërë personaliteti më i urryer i këtij shteti

Real Madridi “humbi” tetë lojtarë në 22 ditë