Volker Heun
Eksperti i Trump, Volker Heun zbulon të njohurat mbi mendimet dhe veprimet e Presidentit të SHBA. Si ndikon republikani luftarak në politikën botërore dhe çfarë sfidash e presin Gjermaninë dhe Evropën.
Unë e njoh personalisht Donald Trump, Presidentin e SHBA-së, prej 25 vitesh. Ne u takuam përmes një miku të përbashkët në fushën e tij të golfit, Trump International, në vitin 2000 dhe luajtëm një raund së bashku. Unë me të vërtetë nuk kisha asnjë shans atëherë dhe isha ende i habitur se sa tepër ambicioz ishte Trump si lojtar golfi.
Kontakti vazhdon edhe sot e kësaj dite. Unë kam pasur shumicën e bisedave të mia me të gjatë presidencës së tij të parë, kryesisht në rezidencën e tij në Mar a Lago, ose në klubin e tij të golfit në Palm Beach.
Për mua, Donald Trump ishte gjithmonë një mikpritës i shkëlqyeshëm dhe një bashkëbisedues vërtet interesant, gjithashtu me një sens humori. Megjithatë, ai ka qenë gjithmonë shumë i veçantë. Ai ka një karakter shumë të veçantë dhe i respekton njerëzit, vetëm të tillët që e mundin frikën. Stili i tij i bisedës është shumë intensiv.
Nëse i flisni me te në këmbë, ai e shkurton qëllimisht distancën, në mënyrë që të çimentojë menjëherë pozicionin e tij të pushtetit.
Edhe pse biseda jonë e parë ishte shumë kohë më parë, ende e mbaj mend shumë mirë. Mendimi im i parë ishte: Nuk dua ta kem këtë person armik.
Trump si një forcë lëvizëse në politikën botërore
Donald Trump është një familjar absolut, ai u beson kryesisht anëtarëve të familjes së tij. Si kreu i saj, ai është lideri absolut në familje, si në çdo gjë që bën.
Aktualisht po e shohim në politikën botërore. Trump po e drejton botën përpara tij. Jam i sigurt që i pëlqen shumë kjo mënyrë.
Merz duhet të përpiqet që të punojë me besim me Trumpin
Ai e sheh Evropën si të dobët, pa një lider vërtet të fortë. Emmanuel Macron po përpiqet të mbushë këtë vakum evropian, por me sukses të kufizuar. Si ekonomia më e madhe evropiane, kancelari i ri i mundshëm, Friedrich Merz, duhet të synojë të përfaqësojë fuqishëm Evropën dhe të punojë me besim me qeverinë amerikane. SHBA mbetet partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë.
Gjermania dhe Evropa tani më në fund po armatosen shumë. Kjo do t’i pëlqejë edhe Donald Trumpit. Por le të mos harrojmë se sa ashpër ai kritikoi Angela Merkelin gjatë presidencës së tij të pare, për mungesën e investimit të mjaftueshme për ushtrinë.
Fatkeqësisht, ai kishte të drejtë në këtë pikë. Trump nuk dëshiron të luajë më rolin e policisë botërore, sipas tij, evropianët duhet t’i zgjidhin problemet e tyre. Ai është kundër luftërave dhe për paqen. Suksesi i tij më i madh gjatë presidencës së tij të parë ishte, ndoshta se nuk pati luftëra të reja.
Një mentalitet i pandalshëm sipërmarrës
Trump e do konkurrencën. Kështu që ai donte t’i tregonte shumë herët babait të tij se kishte më shumë për të ofruar në biznes. Babai i tij Fredi ishte tashmë një sipërmarrës i suksesshëm i pasurive të paluajtshme në Brooklyn dhe ndërtoi rreth 2000 apartamente për familje nga viti 1935 deri në 1942 dhe më pas 3800 apartamente të tjera në bashkinë e Nju Jorkut në vitin 1962.
Megjithatë, për Donald Trump, kjo pjesë e qytetit nuk ishte e përshtatshme dhe ai donte të kalonte babain e tij me projekte të mëdha të pasurive të paluajtshme në Manhattan. Ai ia doli ta bënte këtë në disa vende, por kishte ende pengesa, si fatkeqësia në Atlantic City, New Jersey.
Trump nuk ka asgjë për të humbur – dhe kështu ai tani po udhëheq SHBA-në
Trump donte të ndërtonte një Las Vegas të dytë këtu, por dështoi keq. Amerikanët, natyrisht, i kanë vënë re të gjitha këto, ulje-ngritjet e vazhdueshme të një sipërmarrësi. Ajo që gjithmonë u bënte përshtypje të gjithëve ishte se ai rikthehej gjithnjë, ngrihej gjithmonë dhe mbi të gjitha nuk dorëzohej kurrë. Shembulli më i mirë ishte stuhia e tmerrshme e Kapitolit në vitin 2021. Ishte e qartë për mua në atë kohë se karriera politike e Trump kishte mbaruar – por tani ai është rizgjedhur dhe është presidenti i 47-të i SHBA-së.
Në moshën 78-vjeçare, ai nuk ka asgjë për të humbur dhe tani po udhëheq vendin si një sipërmarrës për herë të dytë. Sigurisht që mund të kemi një diskutim të mirë për premtimet e tij zgjedhore. Por ajo që votuesit e tij vlerësojnë vërtet është se ai, ka zbatuar premtimet e tij zgjedhore që në ditën e parë.
Trump është ende një punëtor dhe pothuajse gjithmonë mendon për biznesin, veçanërisht për efikasitetin. Kjo është edhe arsyeja pse ai porositi Elon Musk të reduktojë shumë burokracinë dhe të kursejë në këtë drejtim. Çfarë ka të keqe për këtë?
Me siguri ai nuk duhet t’i japë Musk shumë pushtet. Por le të shohim rezultatet, ndoshta mund të mësojmë diçka prej tyre edhe në Gjermani.
Një rend i ri botëror
Trump është bërës dhe kënaqës i njerëzve. Vlerësimet e tij të miratimit janë ende të mira. Për votuesit e tij, Trump është më shumë një idhull apo superyll, për kundërshtarët e tij ai është më shumë një i çmendur. Mënyra se si ai e kupton politikën, është sigurisht e vështirë për të përballuar kundërshtarët e tij. Trump nuk është aspak një diplomat, por një elefant në një dyqan porcelani. Këtë e pamë kohët e fundit në Zyrën Ovale kur ai e dëboi Zelenskyn .
Për mua, kjo u nis qartë për t’i treguar Zelenskyit kufijtë e tij. Trump do të marrë gjithsesi marrëveshjen e lëndëve të para. Me këtë strategji, ai e detyroi Zelenskyin të kthehej në tryezë dhe të negocionte paqen.
Gjakderdhja në këtë luftë të tmerrshme duhet të marrë fund. Jam vërtet kurioz të shoh se si ai planifikon ta çojë Vladimir Putinin në tryezë dhe si do të duket paqja.
Trump ka simpati për Putinin – dhe anasjelltas gjithashtu
Trump sigurisht ka simpati për Putinin sepse, në sytë e tij, shefi i Kremlinit është një udhëheqës i fuqishëm. Putini ndoshta e sheh në të njëjtën mënyrë Trumpin. Kjo mund të jetë shumë e rëndësishme për negociatat e paqes, pasi nga këndvështrimi i Putinit, Trump është i fortë, por edhe mbi të gjitha i paparashikueshëm.
Për më tepër, Trump dëshiron të fus një pykë midis Rusisë dhe Kinës, duke u afruar më shumë me Rusinë. Rusia dikur ishte armiku i madh i Amerikës, tani janë kinezët.
Tarifat dhe migrimi: temat e preferuara të Trump
Trump po parashikon gjithashtu një konflikt të ri të mundshëm midis Kinës dhe Tajvanit. Ky konflikt i mundshëm, do të ishte shumë më i rëndësishëm për SHBA-në, veçanërisht për shkak të industrisë së çipave, sesa një luftë diku në Evropë. Kina ka riafirmuar kohët e fundit angazhimin e saj, për të rikthyer Tajvanin në perandorinë e sajë.
Në përgjithësi, shumë nga strategjitë e Trump janë të suksesshme. Le të marrim Meksikën për shembull. Këtu presidenti ka ushtruar presion masiv ndaj qeverisë me tarifa dhe ka informuar brutalisht emigrantët, se nuk do të ketë më hyrje të paligjshme. Rezultati ishte se brenda gjashtë javësh, migrimi i paligjshëm në kufirin meksikan, ra me rreth 90 për qind.
Tarifat janë strategjia e ardhshme e preferuar e Trump. Ai kryesisht po përpiqet të tërheqë kompani në SHBA. Këto kompanitë të prodhojnë në vend dhe të krijojnë vende pune. Qëllimi është të gjenerohen shumë para për SHBA-në. Nga këndvështrimi i Trump, SHBA-ja është shftytëzuar masivisht nga BE-ja.
Trump? Një president i mirë – për amerikanët
Unë nuk e shoh kështu, por ka një çekuilibër në tarifat për makinat. Amerikanët paguajnë dhjetë për qind doganë kur importojnë në BE, por evropianët paguajnë vetëm 2.5 për qind kur importojnë në SHBA.
Jam kurioz të shoh nëse kjo strategji doganore do të jetë e suksesshme. Normalisht, kjo do të nxiste përsëri inflacionin në SHBA.
Unë ende besoj se Trump është një president i mirë për popullin amerikan. Ai është një patriot absolut dhe zbaton strategjinë e tij “Amerika e para” pavarësisht nga pasojat. Megjithatë, mënyra e tij e të bërit politikë, ka të ngjarë të shkaktojë dëme të mëdha për Shtetet e Bashkuara dhe reputacionin e saj.
Gjermania duhet të bëjë më të mirën për Trumpin
Për Gjermaninë dhe Evropën, Trump është një partner jashtëzakonisht i vështirë. Këtu duhet të mbështeteni te forca, por gjithsesi të filloni një bashkëpunim të suksesshëm. Jam shumë i sigurt që pas Trump do të vijë një tjetër republikan si president, për shembull JD Vance, apo guvernatori i Floridës, Ron De Santis. Demokratët nuk kanë një kandidat presidencial premtues në afat të mesëm.
Bota aktualisht po riorganizohet. Gjermania mund të shtypet nga dominimi i fuqive të mëdha. Prandaj, bashkëpunimi me SHBA-në, është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Trump u zgjodh në mënyrë demokratike dhe fitoi qartë. Ne duhet ta pranojmë këtë, pavarësisht nëse e duam apo jo. Për Gjermaninë, tani është një çështje për të përfituar më të mirën nga Trump dhe stili i tij i veçantë i marrëveshjeve.
Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja
Rreth Volker Heun
Volker Heun është një ekspert amerikan dhe e njeh personalisht Donald Trumpin për shumë vite. Ai mbajti një pozicion të lartë në një bankë gjermane në SHBA dhe botoi disa libra mbi ekonominë, financën dhe politikën. Heun ishte gjithashtu redaktor i një reviste ndërkombëtare të biznesit. Për shkak të kontakteve të tij, ai ka punuar edhe në nivel nderi në nivel qeveritar midis administratës Trump dhe administratës Merkel, për të promovuar një bashkëpunim më të mirë midis dy vendeve. Volker Heun gjithashtu lidh investitorët amerikanë me kompanitë gjermane.