in

Një roman për dhunimin e mendjes

Gazeta e madhe italiane “Il Giornale” për romanin tim “Një sagë e vogël”.

Nga Alessandro Gnocchi

(Pas pritjes entuziaste që ka patur botimi në Francë dhe në Gjermani, romani “Një Sagë e vogël”  i Besnik Mustafaj ka ngjallur edhe vëmendjen e kritikës letrare italiane. Po sjellim artikullin që kritiku i njohur Alessandro Gnocchi i kushton. “Me një temë identike me këtë është marrë edhe Martin Amis, në romanin “House of Meetings” (Shtëpia e takimeve), por me rezultate të diskutueshme. Këtu është mirë të sjellim ndër mend autorë klasikë si Aleksandër Sollzenicin dhe nuk rrezikojmë ekzagjerimin. “Arqipelagu Gulag” është shumë i gjerë përkundrejt “Sagës së vogël” familjare, por edhe Rusia është e shtrirë në një territor më të gjerë se Shqipëria.” Kështu shprehet Alessandro Gnocchi.)

“Një sagë e vogël” (shqip Toena 2017; italisht Castelvecchi 2018) e Besnik Mustafaj, shkrimtar dhe ish – ministër shqiptar është një roman që të mbetet gjatë në mendje.

  Burgjet janë ato të regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. Fati i të burgosurve duket si i lidhur me fundin e tyre pas hekurave apo në kryqëzimin e jetëve të tyre me të dënuarit e tjerë. Ka edhe diça arkaike, ritual e popullore në të. Diçka që zbardh historinë edhe pse e rikrijon atë. Ndyshe nuk do të ishte një sagë. Kapitulli i gjatë qendror është edhe ai më i rëndësishmi i librit ashtu si edhe një moment i vërtetë shokues për lexuesin. I dënuari fiton mundësinë për të kaluar një natë me të shoqen në mjediset e brendëshme të burgut. Në mënyrë që të mos rrezikonte mohimin e kësaj mundësie aq shumë të pritur, ai i nënshtrohet çdo lloj detyrimi. Për javë të tëra ëndërron vetëm puthjet dhe përqafimet e së shoqes. Ai, përherë një karakter i mbyllur dhe introvert, kësaj radhe do i tregojë asaj që ka ndryshuar dhe më në fund do i thotë se sa shumë e dashuron. Por kur më në fund afron nata e shumëpritur, të dënuarit i vjen dyshimi se dikush kërkon ta kapë gafil të shoqen dhe do ta fusë në një qeli. Fatkeqësisht këtë dyshim të tij nuk mund t’ia shprehë gruas. Në këtë mënyrë nata e dashurisë kthehet në një natë dhimbjeje. Ai nuk mund të flasë. Ajo nuk mund të kuptojë. Ai nuk e lë veten të lirë. Ajo ndihet e refuzuar. Më në fund vjen agimi si një shpëtim për të dy. 

Kjo pjesë e librit vendoset si një element krahasimi për këdo që do të kuptojë se si totalitarizmi futet thellë në mendjet e njerëzve, për t’i ndryshuar ata me qëllimin për t’i shkatërruar përfundimisht. Me një temë identike me këtë është marrë edhe Martin Amis, në romanin “House of Meetings” (Shtëpia e takimeve), por me rezultate të diskutueshme. Këtu është mirë të sjellim ndër mend autorë klasikë si Aleksandër Sollzenicin dhe nuk rrezikojmë ekzagjerimin. “Arqipelagu Gulag” është shumë i gjerë përkundrejt “Sagës së vogël” familjare, por edhe Rusia është e shtrirë në një territor më të gjerë se Shqipëria. 

Gjatë leximit të këtij libri kuptohet se sa e panjohur është për ne, italianët, historia e Shqipërisë. Sigurisht që kanë mbaruar kohët kur fqinjët tanë vinin të kërkonin fatin e tyre në Itali. Sot Shqipëria është një vend që paraqet shumë risi, kryesisht në fushën turistike. Kujtesa e fashizmit është ende e gjallë për shqiptarët: është një prej kapitujve të sagës së tyre të burgimit.*Gazeta e madhe italiane “Il Giornale” për romanin “Një Sagë e vogël” të Besnik Mustafaj.

Lini një Përgjigje

Sonte fillon edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove

Falsifikuan botimet e veprave të Kadaresë, ndalohet pronarja e “Librit Universitar” në Tiranë