Me rastin e botimit të librit “Drama e mbijetesës shqiptare-Ditari 1988-1990” te Sabri Morinës
Ma.sc., Ma.sc. Idriz Morina
Një vend i vogël, por ku zhvillohen edhe ngjarje dramatike, edhe të sikletshme dhe gati tragjike. Por, nëpërmjet përcjelljes së këtyre ngjarjeve lokale, autori, arrin të ushtrojë kompetencën profesionale të një reporteri, dhe shumë shpesh edhe të një analisti, dhe jo vetëm të një kronisti, të saktë e të prerë, duke i ofruar lexuesve, jo vetëm ngjarjet rastësore personale, të një familje të ngushtë dhe të një mëhalle, apo të një fshati apo qyteti periferik, por ia del të jap imazhin më të saktë për fatin e një kombi!
Ditari pra, kthehet në një kronikë kombëtare, ku evidentohen të gjitha ngjarjet kryesore politike në vend, lëvizjet, protestat, organizimet për siguri e mbrojtje, pajtimet e gjaqeve, diplomacie e Kosovës e për Kosovën, e deri tek deklarimet e ruajtura me saktësi, dhe raportet e shkurtra për takimet kryesore të liderëve tanë, përkatësisht presidentit Rugova, vizitave që bënte në botën demokratike. Po ashtu janë regjistruar me pedantëri përveç qëndrimeve edhe ngjarjet kyqe historike të organizimit të Shtetit Paralel, si organizimi i Referendumit për Pavarësi dhe deri tek organizimi i zgjedhjeve nacionale – presidenciale e parlamentare të ‘92-ës, rezultati dhe jehona e tyre. Po ashtu në thelb të kësaj kronike, është edhe dhuna serbe e jugosllave dhe krimet ndaj shqiptarëve, të vazhdueshme!
Zhvillimet dramatike në shkollën e Kamenicës, e cila ishte dominuar deri atëherë, jo vetëm nga fryma komuniste, dhe e një lloj vëllazërim-bashkimi, por edhe një fryme proserbe, e ushqyer nga forca e pushtetit të dominuar nga serbët dhe filoserbët, po tronditej nga një brez i ri intelektualësh, që nuk po hezitonin të merrnin përsipër ndryshimin përgjithmonë të një rrjedhe gati një shekullore, çlirimin e shqiptarëve nga frika serbe. Ballafaqimin pa frikë me ta dhe pushtetin e tyre, pavarësisht rrezikut që i kanosej me burgosje, rrahje apo edhe vrasje brutale.
Aq sa mund të thuhet, se ata tashmë e kishin krijuar një qark, Qarkun e Intelektualëve Shqiptarë të Kamenicës, asnjëherë të shpallur zyrtarisht, por ata frymuan aq fuqishëm, sa ata e shembën jo vetëm frymën e vëllazërim-bashkimit, por edhe obediencën e shqiptarëve ndaj serbëve në institucione politike e publike, mbi të gjitha në Gjimnazin “9 maji” në Kamenicë, duke ia vënë edhe emrin e heroit të Pavarësisë së Shqipërisë së 1912-ës, Ismail Qemali.
Disa prej tyre më vonë do të prezantohen edhe me libra të ndryshëm studimor, letrar e publicistikë, si: Nexhat Rexha, Shaban Berisha, Sylejman Morina, etj.
Po ashtu duke qenë një ditar i përditshëm – kronikë ngjarjesh në jetën personale, dhe në vend, mund të gjenden regjistër të dhënash për mënyrën e jetesës, që ende dominonte – ishte në bashkësi, për ritet e vdekjeve dhe për dasmat, për solidaritetin që ekzistonte, për vlerësimin njerëzor e kombëtar etj.
Një ditar, që mund t’ju hyjë shumë në punë, edhe studiuesve të historisë dhe politikës, për të gjetur kohën e duhur për kërkime të tyre studimore.
Neser:
Nexhat Rexha: Kronika e mbijetesës apo Kronika e një kohe të egër!