Sherif Ramabaja
Çmos ishte shkruar dhe thënë në prag të zgjedhjeve presidenciale, për triumfuesin dhe presidentin e sapo zgjedhur zotin Trump. Ai gjatë fushatës përdori edhe gjuhë denigruese për ta nënçmuar konkurrenten e tij, zonjën Kamala Harris, duke e quajtur komuniste, të paditur dhe të pa aftë, duke i kërkuar test mbi inteligjencën e saj.
Në anën tjetër edhe reagimet e mediave, analistëve dhe eksperteve të ndryshëm nuk e kursenin aspak as Trumpin, duke e diskredituar si sharlatan, me demencë, racist, gënjeshtar, e deri si fashist.
Tash kjo maskaradë përfundoi. Ndoshta edhe vetë Trumpin fitorja e kishte befasuar, derisa ishte i përgatitur edhe për humbjen, të cilën ndoshta nuk do ta akceptonte .
Taborri i Kamala Harris ishte më optimist dhe besonin në fitore. Pas saj ishin rreshtuar njerëz të kulturës, të aktrimit e kinemasë, figura të shquara të pop skenës muzikore, personalitete të njohura publike etj. dhe e pritnin me padurim fitoren e saj. Por kur u mësua e vërteta, bota sikur e humbi arsyen, u shtang gjithçka përnjëherë.
Shumë syresh deklaruan: nga sot bota nuk do jetë më e njëjtë, siç ishte deri më sot. SHBA janë zhytur në përçarje, pasiguri, autokraci dhe populizëm, duke e humbur rëndësinë dhe respektin, si shembull i demokracisë botërore.
Trump, po ashtu edhe sot si dje, cilësohet si i paparashikueshëm. Çdo të ndodh me NATON, Ukrainën, Lindjen e Mesme, Rendin Botëror, EU, Ballkanin? A është EU e aftë, pa ndihmën dhe përkrahjen e SHBA, të kujdeset për sigurinë dhe mbrojtjen e kontinentit?
Çdo të ndodh me bashkëpunimin ekonomik, industrinë automobilistike në krizë, tregtinë etj. për të cilat Trump ka kërkuar tarifa doganore për EU etj? Pra siç duket, fitorja e Trumpit evropianët i ka befasuar, nuk po u besojnë syve, apo ende nuk janë të përgatitur që ta kuptojnë të vërtetën .
E njëjta situatë duket se mbretëron edhe në Ballkanin Perëndimor. Kosova ka shpresuar në fitoren e Kamala Harris dhe siç duket, është befasuar nga fitorja e papritur e Trumpit.
Do të jetë më se e sigurte se Kosova do të ballafaqohet me Grenellin, të cilit shumica e popullit të Kosovës ia ka frikën, kur dihen raportet e tij me Serbinë dhe aparatin e Vuçiqit, në dëm të Kosovës.
Pavarësisht gjithë këtij tërmeti politik botëror, disa figura politike nga opozita padyshim i gëzohen fitores së Trumpit, duke llogaritur se me ndihmën e tij dhe të Grenellit, do t´i kthejnë pozitat e tyre të dikurshme, në përfundimin e marrëveshjeve, të cilat u kishin mbetur pezull.
Përpos ankthit, fitorja e Trumpit ka ngjallur entuziazëm sidomos te presidenti i Hungarisë Orban, i cili shpreson se Trump do t´ia ndërpres përkrahjen Ukrainën, në gjetjen e një zgjidhjeje në përfundimin e luftës. Kuptohet, duke ia plotësuar kërkesat Putinit. Fitorja e Trumpit e ka gëzuar edhe presidentin izraelit Netanjahun, i cili shpreson më shumë në përkrahjen amerikane kundër Iranit.
Pa dyshim fitorja e Trumpit e ka gëzuar edhe Vuçiqin dhe aparatin e tij, me shpresë se ai do t´i bëjë më shumë lëshime kur është në pyetje Kosova.
Deri më tash gëzimin mbi fitoren e Trumpit nuk e ka shfaqur Putini, i cili kuptohet që taktizon për t´i hutuar të tjerët në qëndrimin dubioz të tij.
Kryeministri Rama ska dyshim që i gëzohet fitores së Trumpit, kur është në pyetje investimi i paraparë nga dhëndri i Trumpit, Kushner në ishullin Sazan.
Kur është në pyetje Kosova, Rama si deri më tash do i bashkohet presionit ndërkombëtar mbi Kosovën, në pranimin e kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare (dhe Serbisë mbi Asociacionin, apo ndarjen), pa marr parasysh se sa do të jenë ato të favorshme për Kosovën.