Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në rajonin e Dukagjinit kemi vërshime të mëdha në Pejë, Gjakovë, Istog, Deçan, Junik, etj.
Situatë të ngjashme kemi edhe në viset tjera të vendit, ndonëse me intensitet më të ulët.
Kështu, siç njofton gazetari i RTK-së nga vendi i ngjarjes, në komunën e Gjakovës gjendja momentale pas të reshurave gjate tërë natës ka bërë që lumenjtë Ereniku dhe Krena, në shumë vende, të dalin nga shtrati i tyre, ku për pasojë shumë toka bujqësore tashmë janë nën ujë.
Për më tepër, në disa lagje, për shkak të bllokimit të kanalizimeve, uji ka depërtuar edhe në bodrumet e shtëpive, duke iu shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Edhe në Komunën e Deçanit, sipas informacioneve, ka vërshime.
Drejtori për Emergjencë dhe Shërbime Publike në Deçan, Izet Zenuni, tha për RTK se gjendja aktualisht është e menaxhueshme.
Edhe drejtori për Emergjencë në komunën e Junikut, Besart Tofaj, ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar për shkak të reshurave të dendura të shiut që kanë përfshirë Komunën e Junikut.
Po kështu ka vepruar edhe drejtori për Emergjencë në Gjakovë Haxhi Sejdia.
Situatë të ngjashme të rëndë nga vërshimet kemi edhe në Komunën e Pejës, si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në Lumbardh, nga të reshurat e dendura.
Siç bëhet e ditur nga terreni, vërshimet në Pejë janë lagjet: Qendër, Asllanqeshme, Lagjja Fidanishte, 7 Shtatori. Një situatë të tillë nga vërshimet kemi edhe në Istog.
Ndërsa në Prizren gjendja siç njoftohet, tani për tani, është më e qetë, ndonëse reshjet atmosferike po vazhdojnë.


