Figura më e përmendur për afera inkriminuese në politikën kosovare, Adem Grabovci, ka pësuar evolucion të madh sa i përket raportit me liderin e AAK-së Ramush Haradinaj.
Në verën e vitit 2009 Adem Grabovci e konsideronte Ramush Haradinajn figurën më të korruptuar në Kosovë, e në verën e vitit 2017 ai është një nga lobuesit kryesor në PDK për ta bërë Ramush Haradinajn kryeministër të vendit.
Insajderi ka raportuar sesi Adem Grabovci ka takuar personalisht dy deputetët e koalicioni LAA, Teuta Rugova dhe Labinot Tahiri, votat e të cilëve mund ta bëjnë Kadri Veselin ose dikë tjetër nga PDK kryetar të Kuvendit dhe Ramush Haradinajn, kryeministër të Kosovës.
Fillimisht është takuar me Ukë Rugovën dhe dy sekserët e PAN-it, Dardan Gashin dhe Astrit Haraqija. Arsyeja e takimit: vota pro Haradinajt e Teuta Rugovës.
Pasi kreu lobimin për Teuta Rugovën, Adem Grabovci u hodh në gjuetinë tjetër: këngëtarin e muzikës turbo-folk këngëtarin, të bërë deputet.
Labinot Tahirin e nxori nga dasma dhe i kërkoi ta votonte Ramush Haradinajn për kryeministër.
Kjo “betejë” e Grabovcit për Ramush Haradinajn bëhet e pakuptimtë kur lexohet letra e Grabovcit drejtuar Haradinajt në vitin 2009.
Ai në atë letër të lexuar në Kuvendin e Kosovës kishte akuzuar Haradinajn se ka vila e banesa luksoze në Prishtinë, Tiranë, Prizren, Durrës e Brezovicë. Madje e akuzonte Monte Carlo dhe Dubai.
“Ramush, ti personalisht kontrollon lojërat e fatit dhe bizneset e Casino-s!”, akuzonte Grabovci në foltoren e Kuvendit.
Por krejt këto tashmë kanë rënë në ujë. Para se të dilte në gjueti për “numrat e Ramushit”, Grabovci e kishte thirrur Haradinajn edhe në dasmën e djalit të tij që ishte mbajtur muajin e kaluar./Insajderi.com



