Si rezultat i situatës më të mirë epidemiologjike, nga zona e kuqe në të verdhën dalin komunat: Podujeva, Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut, Zveçani, dhe Gjilani. Në zonën e kuqe mbesin edhe më tej Prishtina dhe Fushë –Kosova.
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, ka mbajtur sot konferencë për medie për të informuar lidhur me aktivitetet e MSh dhe institucioneve tjera shëndetësore. Po ashtu ministri ka informuar edhe me rrjedhën epidemiologjike në vend. Me këtë rast ministri ka theksuar se situata epidemiologjike në Kosovë është nën kontroll dhe se, si rezultat i rënies së numrit të të infektuarve në disa komuna, sot është bërë kategorizimi i ri i komunave bazuar në numrin e rasteve të reja brenda 7 ditësh në 100. 000 banorë.
Postim i plotë i Zemajt:
Faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në këtë konferencë dhe përcjelljen e rregullt të aktiviteteve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të institucioneve të tjera shëndetësore gjatë kësaj kohe të ballafaqimit me pandeminë e Coronavirusit, përkatësisht infeksionin COVID-19.
Ashtu siç ju kemi komunikuar në vazhdimësi me transparencë rrjedhën e situatës epidemiologjike në vend përgjatë gjithë kohës, ju kemi thirrur sot që të ju njoftojmë më të rejat rreth kësaj situate.
Siç e dini, ditëve të kaluara, IKSHPK ka dërguar 30 mostra për testim në Institutin e Virologjise Charite në Berlin të Gjermanisë, me qëllim të hulumtimit rreth pranisë së varianteve të reja të virusit SARS-COV-2 në Kosovë, pas shfaqjes së tij në më shumë se 70 vende të botës.
Nga rezultatet e këtyre analizave të kryera në Berlin, tri (3) mostra kanë rezultuar pozitiv në testimin preliminar si SARS-CoV-2 me variantin B.1.1.7.
Ky variant është raportuar për herë të parë më 14 dhjetor 2020 në Mbretërinë e Bashkuar.
Siç e dini, me raportimin e këtij variant në Angli, Kosova ka pezulluar fluturimet ajrore me këtë shtet, pra nuk ka pasur fluturime Prishtinë-Londër dhe anasjelltas.
Gjithashtu, më lejoni të theksoj se situate epidemiologjike në Kosovë është nën kontroll dhe se, si rezultat i rënies së numrit të të infektuarve në disa komuna, sot kemi kategorizimin e ri të komunave bazuar në numrin e rasteve të reja brenda 7 ditësh në 100. 000 banorë.
Kështu, si rezultat i situatës më të mirë epidemiologjike, nga zona e kuqe në të verdhën dalin komunat: Podujeva, Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut, Zveçani, dhe Gjilani.
Në zonën e kuqe mbesin edhe më tej Prishtina dhe Fushë –Kosova.
Shpresojmë që edhe këto së shpejti të kalojnë nga zona e kuqe në zonat e tjera.
Ndërkohë, i bëjmë thirrje popullatës që të vazhdojë me zbatimin e masave në fuqi si kusht për të mbajtur situatën nën kontroll dhe rastet e infeksioneve dhe të vdekjeve nga më të voglat në rajon dhe më gjerë.