Basri Beka
Në përgjigje të padisë së paralajmëruar nga Naim Tërnava, myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), kundër ish-zëvendësministrit Milazim Gashi, dua të theksoj se ky veprim është një përpjekje e qartë për të devijuar vëmendjen nga çështje serioze të transparencës dhe përgjegjësisë së BIK-ut dhe të vetë myftiut.Z. Tërnava, përpara se të ngrejë akuza ndaj të tjerëve, ka për detyrë të zbatojë dhe të publikojë një auditim të plotë të të ardhurave të tij dhe të Bashkësisë Islame, duke bërë të qartë burimet dhe përdorimin e fondeve që ky institucion mbledh nga besimtarët dhe burime të tjera.
Këto fonde, shpesh të paqarta dhe të dyshimta, kërkojnë një transparencë të plotë për t’i siguruar komunitetit menaxhimin e tyre të drejtë dhe të pastër. Nëse ky auditim nuk ndërmerret nga vetë myftiu, atëherë organet e drejtësisë në Kosovë kanë për detyrë të hetojnë me seriozitet origjinën dhe destinacionin e këtyre fondeve.Rëndësia e hetimit të burimeve të financimit për ndërtimin e xhamive në Kosovë është gjithashtu kritike:
A janë këto ndërtime rezultat i kontributit të besimtarëve shqiptarë të Kosovës, apo financohen nga burime të huaja me qëllime të dyshimta? Publiku ka të drejtë të dijë nëse këto projekte dhe procesi i mbledhjes së fondeve janë kryer me përgjegjësi dhe në përputhje me standardet morale dhe kombëtare. Ka prova historike që individë të lidhur me interesa të huaja mund të shfrytëzojnë fenë për qëllime të dëmshme.
Prandaj, hetimi i BIK-ut dhe i z. Tërnava nuk është më çështje e thjeshtë financiare; është një domosdoshmëri për të mbrojtur karakterin laik të shtetit të Kosovës, i garantuar me Kushtetutë.Nëse z. Tërnava dhe BIK-u kanë pranuar fonde të kushtezuara që kërkojnë përfshirje të praktikave fetare në sistemin arsimor apo në institucionet e sigurisë, atëherë kjo përbën një rrezik të madh për rendin kushtetues të Kosovës dhe për demokracinë tonë.Deklaratat e fundit të Tërnavës për “neo-komunistët” dhe “shpifësit” janë shmangie nga kërkesat legjitime për auditim të pavarur dhe për llogaridhënie.
Nëse BIK-u dhe Tërnava pretendojnë se nuk kanë marrë fonde të dyshimta apo nga burime armiqësore ndaj Kosovës, atëherë është momenti të demonstrojnë këtë me prova të qarta dhe me transparencë.Në një shtet të së drejtës si Kosova, llogaridhënia është thelbësore për çdo institucion.
Nëse Bashkësia Islame e Kosovës dhe z. Tërnava synojnë të ruajnë besimin e komunitetit dhe të qytetarëve, atëherë është koha të japin llogari të plotë dhe të lejojnë një auditim të pavarur mbi fondet dhe veprimtarinë e tyre. Kjo është e domosdoshme për të mbrojtur rendin kushtetues dhe karakterin laik të shtetit tonë.