Në shumë vende të botës përkujtohet më 1 maji, dita e punëtorëve. Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve, është një festë që festohet më 1 maj të çdo viti, e cila synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve.
Në shumë vende të botës organizohen protesta në këtë ditë me anë të së cilave kërkohen më shumë të drejta për punëtorët.
Në Kosovë Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorin Privat të Kosovës, organizon protestën për nder të Një (1) Majit Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve. “Në këtë protestë do të marrin pjesë udhëheqësit e shoqatave sindikale në Komunën e Prishtinës. Protesta fillon nga ora 11:00 dhe zgjatë deri ora 12:00. Marshi i protestës fillon nga Sheshi “Zahir Pajaziti” dhe vazhdon deri tek objekti i Qeverisë”, njofton Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës.
Kurse nga ora 12:00, Bllok Anti-Kapitalist i Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Dylberizm, Aktivistet/ët e Bashkuar për Drejtësi mban protestë në nga sheshin “Zahir Pajaziti”.
Në komunikatën e këtyre të fundit thuhet se këtë 1 maj, kthejnë vëmendjen te gjendja e klasës punëtore në Kosovë e përtej, për ta denoncuar sistemin e dhunshëm në të cilën klasa punëtore vazhdon të shtypet e të nëpërkëmbet , si dhe do të e kujtojnë se shpresa e vetme është rezistenca e organizimi.
“Këtë 1 maj, ne si Bllok Anti-Kapitalist iu bëjmë thirrje punëtoreve e punëtorëve brenda shtëpive, fabrikave e punishteve të ndërtimit, marketeve e zyrave, nga rruga deri tek hapësirat e pastrimit, student/ë e pensioniste/ë, të organizohemi, në solidaritet, e në kundërshtim të shtypjeve të shumëfishta dhe përgjigjeve të dobëta reformatore të cilat veç janë duke i ushqyer pabarazitë dhe na qesin hije syve nga problemet e thella. Kundërshtojmë çdo ndërmarrje që ka për qëllim mirëmbajtjen e kësaj status quo-je të dhunshme që i shërben të fortëve e të pasurve në kurriz të klasës punëtore. Këtë 1 maj, ne bashkohemi në e qëndrojmë bashkë kundër patriarkatit hetero-seksist, kapitalist, racist, ksenofob e transfob dhe ritheksojmë se ndryshimet rrënjësore e çlirimi i përket klasës punëtore”, thuhet në komunikatë.