Av. Agron Isa Gjedia
Lidhur me publikimin këto ditë në facebook, si “argument”, të disa faqeve të një libri të Rrahman Parllakut, ku flitet për çlirimin e Tropojës, po ta lexosh në kontekstin përmbajtësor të njërës nga shprehjet, thuhet pak a shumë se nga forcat partizane “u çlirue Tropoja e çliruar”, dhe se nga çdo kullë e frangji e Tropojës së Vjetër ose Astës, luftohej. Këtë e ka ngatërruar me Junikun e Kosovës, kur forcat partizane shqiptare, shkuan dhe luftuan kundër shqiptarëve në pragun e shtëpisë së tyre.
Administrata nuk funksiononte prej ditësh, kurse reagimi popullor ishte “instiktiv” e vetëveprues sepse në Tropojë, ato ditë të turbullta, priteshin forcat çetnike Jugosllave e ato të “Bokolje Brigadë” të Malit të Zi të cilat në Kosovë po bënin kërdi në popullsinë shqiptare, dhe jo që të vinin forcat partizane shqiptare. Pra, në Tropojë, më 16 Tetor 1944, u vendos pushteti komunist e nga aty u ngritën Këshillat nacional-çlirimtare, më pas të quajtura Këshillat popullore, komandat e vendit.
Malësia e Gjakovës / Tropoja nuk u çlirua nga ana e Brigadës së III-të S e cila erdhi nga Jugu i Shqipërisë dhe së paku, pasi e kaloi Drinin e Bardhë, nëpër Has, nëpër Bytyç e deri në Tropojën e Vjetër, erdhi nëpër territore të çliruara një herë e përgjithmonë nga vetë malësorët e Malësisë së Gjakovës.
Si për Tropojën, ashtu edhe për Hasin, data e vërtetë, data faktike e çlirimit të tyre, është ajo kur forcat pushtuese gjermane, përmes luftimesh të ashpra, me pasoja njerëzore e materiale për palët në luftime, u hoqën dhe u ndoqën nga krahina e Bytyçit deri në Vagovë, pikërisht më datën 12 shtator 1944.
E megjithatë, Malësoret e Malësisë së Gjakovës / Tropojë, nga Nikaj-Merturi, Krasniqja, Gashi, Berisha e Bytyçi, të organizuar edhe në luftimet e datës 12 shtator 1944, të zhvilluara kundër pushtuesit gjerman në Zogaj të krahinës së Bytyçit, i kishin drejtuesit e tyrë lokal, ndër të cilët më kryesorët kanë qenë: Gani beg Kryeziu, me komandantët e çetave: Baram Ukë Aliaj, Selim Malë Bajraktari, Hasan Riza Kryeziu; kurse ato të Hasit që u angazhuan më mbrapa në luftimet nga Qafa e Prushit deri në Vagovë (afër Gjakovës), kishin drejtues të tyre: Mehmet Alia, Bajraktari i Vlahnës në Has.
Gjatë luftimeve të përgjakshme të shtatorit 1944 të cilat u kurorëzuan me fitoren e forcave popullore të Malësisë së Gjakovës / Tropojë, e cila u pagëzua me gjakun e të rënëve dhe të plagosurve, duke filluar nga Zogajt e deri në rrethinën e Gjakovës, kanë dhanë jetën gjatë luftimeve: Rrustem Avdyl Mulosmani, Selim Bardhec Gjyriqi, Selim Ramë Mustafaj, Sokol Shpend Hoxhaj, Bajram Sylë Pepnikaj, Xhemal Sadri Abazi, Hazir Rrustem Osmani, Maxhun Zog Brahaj, Ibrahim Sylë Mustafaj, Mehmet Ali Mehmetaj;
Afër Vagovës janë vrarë: Hasan Iseni Selmani i Qarrit / Has, Sahit Alia i Vlahnës / Bajraktar i Hasit.
Pra, çlirimi real i Malësisë së Gjakovës / Tropojë nga gjermanët ka vulën e gjakut të malësorëve, të derdhur si përherë kur e ka lypur nevoja, për lirinë e këtij trolli. Kurse, me datën 14 shtator 1944, pas informatash të sigurta se pas luftimeve të datës 12 shtator 1944, populli i kishte braktisur fshatrat dhe se forcat e armatosura ishin pozicionuar në malet e Dobrejtë, duke përfituar nga kjo, skuadra të caktuara gjermanësh u rikthyen dhe dogjën fshatrat e Hasit, Letaj, Perollaj, Zgjeç, për të vijuar me fshatrat e tjera të krahinës së Bytyçit që kishin mbetur pa u djegur, sikurse ishin Zogajt, Mjekërr-Bardhi, Kepeneku, Kami dhe Leniqi.
Atë ditë, krahas djegies së fshatrave u dogjën për së gjalli edhe katër persona të shtëpisë së Muzli Mehmetit të lagjes Haxhi-Bekë të fshatit Zogaj: Muzi, Kadri dhe Rexhë Mehmet Hajdarmataj si dhe Rush Brahim Hajdarmataj. Këta të rënë që dhanë jetën për liri dhe vatan nuk duhet dhe nuk mundet që përjetësisht të shkojnë “gjakhumbur”, sepse kështu ka dashur dhe do njëri apo tjetri, në mënyrë që të mos dalë e vërteta historike dhe patriotike që i sfumon në patriotizmin e tyre të rrejshëm apo fallco, cilido qoftë ai. Lidhur me sa sipër, për t’i sqaruar rrethanat historike të datës së vërtetë të çlirimit të Tropojës, nga ana e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, në mënyrë të dokumentuar, në numrin e fundit të gazetës “Bytyçi”, janë botuar me dhjetëra dokumente me burime të pakontestuara arkivore.
Mbetet një detyrë fisnike dhe patriotike që në kuadrin e 80-vjetorit të çlirimit të vendit nga okupatori nazi-fashist, të zbardhet edhe e vërteta historike e Malësisë së Gjakovës / Tropojë, për periudhën e Luftës II Botërore dhe të kemi historikun e kësaj treve të lavdishme e cili ka mbetur pa u shkruar ndonjëherë, përpos disa përçapjeve dhe maketeve skeletikë. Kjo mangësi ka ardhur pikërisht në saje të animeve dhe njëanshmërisë nga e vërteta, ku kanë dashur për të marrë protoganizëm të paqenit dhe të pamerituarit, ata që morën frenat e pushtetit dhe që njëkohësisht donin t’i merrnin edhe frerët e historisë.
Av. Agron Isa Gjedia