in

Në 24 orët e ardhshme Shqipëria nën pushtetin e shiut dhe të borës

Shqipëria ndodhet prej disa orësh nën “pushtetin” e motit të keq. Sipas Institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, duke filluar prej pasdites të 17 janarit pritet të ketë reshje të shiut me intensitet të lartë. Ato do të jenë më të përqendruara në veri të vendit.

Reshjet intensive të shiut pritet të shtrihen në të gjithë territorin, duke nisur nga pasditja e së martës. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Këto fenomene pritet të shoqërohen me shtrëngata në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër. Në zonën e Alpeve parashikohen reshje tepër të dendura dëbore në formën e stuhive të dëborës. Ndërsa në zonat malore në lartësinë mbi 800-900 metra reshje dëbore me intensitet të ulët.

Bazuar në këto parashikime, Agjencia e Mbrojtjes Civile në Ministrinë e Mbrojtjes kërkon nga autoritetet vendore rritjen e gatishmërisë së strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile që kanë në administrim: hidrovoret, rezervuarët, infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër që është në funksion të menaxhimit të emergjencave civile.

Temperaturat do të variojnë, nga 11 / 16 °C në bregdet; në vendet e ulëta: 10 / 15 °C; në vendet malore: 5 / 10 °C. Sa i përket, era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet dhe zonat malore e fortë. ©LAPSI.al

Lini një Përgjigje

Vdes akademikja Edi Shukriu

Stuhia dimërore Gerard goditi veriperëndimin e Francës