in

NATO po frikësohet ta hapë urën, kurse Ukraina po vazhdon me pushtimin e Rusisë!

Sherif Ramabaja

Hapet ura, s´hapet ura. Tensione, biseda, telefonata, takime, qortime, kërcënime, lajme, artikuj, transmetime nga vendi i ngjarjes, top lajm mbi urën, zanafillën e saj, karakterin e saj, rolin e saj dhe mbi të gjitha rrezikun që mund ta sjell, hapja e saj.

Mirë që deri më tash nuk u tha se mund të shpërthej edhe Lufta e Tretë Botërore, po u hap ura. Është meritë se si Stano, ende nuk e tha këtë qëndrim.

Apo po të pyetej Lukashenko, dhe Kim Yong – Un, do të përgjigjeshin me të njëjtën fjalë si të Lajçakut, Borrelit dhe Stanos: ura të hapet vetëm atëherë kur thotë Vuçiqi.

SHBA është e nxënë me luftën Izraelo – Palestino – Iraniane, prandaj nuk kanë kohë të merren me fatin e një ure. Ata vetëm po e përsërisin përmes ambasadorit të tyre në Kosovë, qëndrimin e Stanos.

Absurditeti i kohës është se Ukraina po vazhdon me pushtimin e Rusisë, kurse Perëndimi po e kërcënon Kosovën dhe po frikësohet ta hap një urë. Dhe prej kujt: prej Vuçiqit, Daçiqit, Vulinit, Dodikut dhe Grenellit.

Apo frika është se edhe Kosova do nisej në pushtimin e Serbisë, e ndikuar nga pushtimi i Ukrainas ndaj Rusisë.

Kjo mund të jetë një arsye e fuqishme, sepse perëndimorët u surprizuan edhe nga aksioni i Kievit.

Po të ndodhte kjo halli do të ishte se si do të reagonte NATO në këtë rast, apo ambasadorët e QUINT- it, ambasadorët e akredituar në Prishtinë, EU – ja etj.

Po ta përkrahnin Kosovën, çdo të ndodhë me litiumit. Po të viheshin në anën e Serbisë, do të duhej që si kompensim t´ia kthenin Kosovën.

Apo si do të veprohet po erdh në pushtet ish presidenti Trump. Çdo të ndodh me investimet e dhëndrit të tij, Kushner, në Serbi e Sazan. Çdo të ndodh me marrëveshjen e Ujmanit, kur llogaritet se luftërat në të ardhmen do të bëhen për ujin. Kush do ta marr Trepçën në Kosovë, e litiumin në Serbi.

Për të gjitha këto pyetje duhet të përgjigjet zoti Trump dhe Grenell. Pastaj çështje delikate do të jetë, si do të veprohet me Kosovën në tërësi: do të ndahet mes Vuçiqit e Ramës, me Thaçin apo pa Thaçin.

Këto çështje për një administratë të paaftë do të jenë shumë të vështira, po shpresohet se derisa zoti Trump, e ka planin se si ta përfundoi luftën në Ukrainë, brenda një jave, e ka edhe planin e gatshëm për Kosovën.

Komplikim do të ishte se po fitoi zonja Harris, ajo nuk e din se ku bie Kosova. Problemi edhe më i madh do të ishte kur të diskutohet mbi hapjen e urës. Cili do të mund t´ia sqaronte asaj domethënien e urës dhe rolin e saj. Hapjen dhe mos hapjen e saj. Kosova në udhëkryq. Ura problem global.

Mars – Rover (Satirë)

Ukraina filloi, pushtimin e Rusisë !?

Stano i preokupuar se Ukraina, përpos Rusisë, mund ta pushtojë edhe Serbinë!