Anëtari i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është shkatërruar në zgjedhjet e fundit, duke shtuar se kjo parti është dëmtuar nga udhëheqësit aktualë, shkruan GazetaBlic.
Në emisionin “Expose” – prodhim i GazetaBlic, Rugova është shprehur se LDK ka zhgënjyer elektoratin për të disatën herë.
“Thënë të drejtën kanë rënë ndesh me elektoratin. Një herë e dy herë, e tre herë kur e zhgënjen elektoratin e paguan faturën, prandaj në këto zgjedhje LDK-ja e ka mundur LDK-në. – LDK-ja nuk është shkatërruar por është dëmtuar falë timonierit të papërgjegjshëm për disa vitet e fundit. Gabimi tjetër strategjik ka qenë anashkalimi i mërgatës tonë, mos të harrojmë LDK-ja Kosova dhe Mërgata ishte një trinom si mishi, ashti dhe arteriet që i furnizojnë me gjak, e kanë anashkaluar në mënyrën më të papërgjegjshme po e gjej termin me të butë, mërgatën tonë. – E kanë zhgënjyer dhe kanë luajtur me ndjenjat dhe emocionet e mërgatës që shpirtërisht janë me LDK-në. Çdo involvim i një grupi që publiku e di kush janë atë, 5-6 veta në futjen e duarve në procesin e ri elektoral, frikësohem se do ta zbehë edhe më shumë forcimin e LDK-së”, është shprehur ai.