in

Mllefi ndaj kompanisë kineze në Serbi

Qëkur kompania minerare kineze “Zijin Mining Group” bleu kompleksin e vetëm të minierave të bakrit në Serbi në vitin 2018, ajo është përballur me protesta për shkak të ndikimit të saj negativ në mjedis dhe akuzave se është përfshirë në marrëveshje jotransparente biznesi në këtë shtet ballkanik.

Teksa përballet me një rritje të inspektimeve, kompania kineze e minierave është angazhuar me komunitetet e pakënaqura, duke financuar dhe shpërblyer ekipet sportive lokale, në atë që aktivistët dhe grupet mbikëqyrëse thanë se është një përpjekje për të përmirësuar imazhin e saj të njollosur.

Kontributi i fundit i kompanisë “Zijin” ishte një donacion prej 300.000 eurosh për ekipin kombëtar të volejbollit të Serbisë pas fitimit të medaljes së artë më 15 tetor në kampionatin botëror të zhvilluar në Holandë.

“Ata po përpiqen të tregojnë se janë një kompani e përgjegjshme dhe që kontribuojnë për komunitetin”, tha për Radion Evropa e Lirë, Mirko Popoviq drejtor i programit në Institutin Rregullator për Energjinë e Ripërtërishme dhe Mjedis, një OJQ mjedisore serbe.

“[Por] hetimet tona në të kaluarën mbi punën e ‘Zijin’ në Serbi tregojnë se ajo është gjithçka, përveç se një kompani e përgjegjshme”.

Kompania “Zijin” është gjobitur vazhdimisht nga autoritetet serbe për shkelje të normave të ndotjes ndër vite. Në prill të vitit 2021, kompania u urdhërua të ndalonte përkohësisht punën në minierën e saj të bakrit pasi nuk përmbushi standardet mjedisore dhe nuk ndërtoi aty pranë një impiant për trajtimin e ujërave të zeza.

Donacioni i fundit për ekipin e volejbollit nuk është hera e parë që “Zijin” jep para për të financuar ekipet sportive, mes problemeve të shumta mjedisore dhe reagimeve në rritje të komuniteteve lokale.

Në fillim të këtij muaji, kompania dhuroi 2.500 euro për një klub lokal të pingpongut. Vitin e kaluar, ajo nënshkroi gjithashtu një marrëveshje sponsorizimi prej 17.000 eurosh me klubin zyrtar të futbollit në Majdanpek, një qytet në rajonin Bor, në lindje të Serbisë, ku “Zijin” zhvillon aktivitetin e saj të minierave të bakrit. Po atë vit, “Zijin” dhuroi 153.000 euro për Ministrinë e Rinisë dhe Sporteve të Serbisë.

“Kina dhe Serbia janë miq të hekurt dhe marrëdhëniet tona dypalëshe i kanë rezistuar provave në kohëra të trazuara”, shkruhej në një deklaratë të “Zijin” më 17 tetor që shoqëroi donacionin e saj për ekipin kombëtar të volejbollit për femra. Volejbolli është gjithashtu një nga sportet më të njohura në Kinë, veçanërisht volejbolli për femra.

Snezana Todoroviq, një aktiviste lokale mjedisore, tha për Radion Evropa e Lirë se donacioni i fundit “ka një shije të hidhur” për të sepse erdhi më pak se një muaj pasi autoritetet shpërbënë një kamp të ndërtuar nga aktivistët në Majdanpek për të ndaluar zgjerimin e minierave të “Zijin” në atë zonë.

“Unë mendoj se këto para kanë për qëllim të lajnë ndërgjegjen [njerëzve], kështu që ata do të [bëjnë një sy qorr]”, tha Todoroviq.

“Zijin” dhe Federata e Volejbollit të Serbisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të Radios Evropa e Lirë rreth donacioneve.

Me sytë kah sporti

Serbia dhe Kina i kanë intensifikuar marrëdhëniet ekonomike dhe politike në vitet e fundit, me Pekinin që e sheh vendin ballkanik si një trampolinë për projekte siç është nisma “Brezi dhe Rruga” dhe ndikimin në rritje në Evropë.

Bankat shtetërore kineze i kanë dhënë Serbisë miliarda dollarë kredi për projekte ndërtimi që kryesisht kryhen nga punëtorë kinezë. Serbia është kthyer në një treg eksporti për dronët kinezë, pajisjet ushtarake dhe teknologjinë e vëzhgimit.

Kompanitë kineze gjithashtu kanë zgjeruar shtrirjen e tyre në Serbi, duke marrë nën kontroll miniera, fabrika çeliku dhe duke ndërtuar rrugë, fabrika dhe linja hekurudhore.

Kompania më e madhe minerare e arit në Kinë dhe një nga prodhuesit kryesorë të bakrit në vend, “Zijin”, bleu aksionet e kompanisë minerare serbe në vitin 2018, kur mori përsipër shlyerjen e borxheve të Borit në një marrëveshje prej 1.26 miliardë dollarësh. Kjo pasoi një marrëveshje të vitit 2016, ku kompania kineze “Hesteel” bleu një fabrikë të madhe çeliku në qytetin Smederevo në lindje të Serbisë.

Lini një Përgjigje

BBC: A duhet pasur frikë nga ajo që po i ndodh Kinës

Çfarë duhet të dini për kryeministrin e ri të Britanisë?