Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla bashkë me Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë Jens Erik Grondahl.
Në këtë takim Ministrja Gërvalla falënderoi Ambasasorin Grondahl për mbështetjen e vazhdueshme dhe substanciale që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, ngritjen e kapaciteteve në sistemin e drejtësisë, ndihmën rreth situatës me pandeminë dhe shumë fusha të tjera.
“Ndihma e Norvegjisë është shumë e çmuar për Kosovën. Falënderim të veçantë meritojnë përpjekjet aktuale të shtetit norvegjez për sigurimin e vaksinave për qytetarët e Kosovës dhe formave të tjera të ndihmës konkrete rreth pandemisë” është shprehur Ministrja Gërvalla.
Kryediplomatja është zotuar për vazhdimin e takimeve konsultative mes dy qeverive si dhe për një politikë të jashtme serioze në raport me të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
Duke folur për procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë, drejtuesja e diplomacisë kosovare ka ngritur ndër të tjera shqetësimin rreth mungesës së transparencës në procesin e deritanishëm. Në këtë kontekst ka kërkuar ndihmën edhe të shtetit norvegjez për krijimin e parakushteve të barabarta dhe të përshtatshme për një dialog frytdhënës.


