Nga Klotilda Saraçini
TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Në një nga sallat e Asamblesë Kombëtare të Francës (Parlamenti francez) u organizua një debat mbi romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti“, të shkrimtarit Ylljet Aliçka, përkthyer në gjuhën frënge nga Michel Aubrey, botim i shtëpisë botuese “L’esprit du temps”.
Ky debat u organizua me nismën e presidentes të grupit parlamentar Francë-Shqipëri, deputetes Mireille Clapot dhe studiuesit Jean-Paul Champseix.
Pjesëmarrës në takim ishin deputetë, anëtarë të grupeve parlamentare të miqësisë Francë- vendet e Ballkanit Perëndimor, diplomatë francezë që kanë shërbyer në vendin tonë, si dhe të ftuar nga fusha e letrave.
Marrë shkas nga subjekti dhe problematika që trajton romani, debati dhe diskutimet mes shkrimtarit dhe pjesëmarrësve u përqendruan në temën e të evolucionit të shoqërive postdiktatoriale dhe konvertimit ideologjik të këtyre shoqërive.
Në takim përshëndeti dhe ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola.
Romani “Metamorfoza e një kryeqyteti” i Ylljet Aliçkës ka për objekt evolucionin shpirtëror, politik e shoqëror të intelektualëve të Tiranës nga vitet ’70 deri më sot. Çështjet që shpalos, realizmi çehovian, e çojnë këtë roman mes arritjeve më të mira të të gjitha botimeve në letërsinë e postdiktaturës. Shkrimtari dhe doktori i shkencave në Didaktikë, Ylljet Aliçka, është autor i disa botimeve në gjuhën shqipe dhe të huaj.
Romani i Ylljet Aliçkës u diskutua edhe në Panairin e librit të Ballkanit në Paris. Në këtë panair u diskutua dhe për romane të tjera shqiptare.


