KISHA
Në mesazhin e tyre të përbashkët për Krishtlindjen, Kishat Evropiane luten për paqen në Ukrainë dhe në Evropë. Edhe Këshilli Botëror i Kishave u bën thirrje gjithë njerëzve vullnetmirë të jenë protagonistë të pajtimit dhe të paqes, pavarësisht nga frika në rritje, shkaktuar nga lufta, ndryshimet klimatike dhe uria
R.SH. – Vatikan
Kishat e Evropës bënë të ditur mesazhin e përbashkët për Krishtlindjen e këtij viti, i cili ka në qendër “vuajtjet e jashtëzakonshme” të popullit të Ukrainës, sidomos të atyre, që detyrohen të ikin nga shtëpitë, për shkak të sulmit ushtarak të Rusisë, filluar dhjetë muaj më parë.
Krishtlindja sjell premtimin për shpresë, pavarësisht nga lufta
“Gjakderdhja e vazhdueshme në Ukrainë është plagë e hapur për njerëzimin”, thuhet në mesazhin e nënshkruar nga Rev. Christian Krieger dhe nga kardinali Jean-Claude Hollerich SJ – i pari në krye të Konferencës së Kishave Evropiane (KEK), ndërsa i dyti në krye të Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE).
Pavarësisht nga “hijet e errëta të luftës”, me të cilat po përballemi sot, dy udhëheqësit e Kishës vërejnë se Krishtlindja përmban ende “një premtim shprese”.
“Rruga e Zotit nuk është pushteti dhe egoizmi. Përkundrazi, ajo përbëhet nga afërsia dhe dhembshuria. Siç lexojmë në Shkrimin Shenjt, Hyji nuk iu duk profetit as në erën e fuqishme, as në tërmet, as në zjarr, por në ‘heshtje të plotë’ (1 Mbret 19,11-12) dhe ‘Fjala u bë njeri e jetoi mes nesh’ (Gjn 1,14), sepse Ajo u bë dhuratë për njerëzimin në një fëmijë të vogël dhe të brishtë si Jezu Krishti”.
Të lutemi për Ukrainën
Në prag të Krishtlindjes, mesazhi i fton besimtarët të luten në mënyrë të veçantë për paqen në Ukrainë dhe për të gjithë ata, që vuajnë “nga të ftohtit, uria dhe frika”. Kërkon që agresorët t’i ndalin veprimet e tyre, “që të gjitha palët, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, të fillojnë dialogun dhe bisedimet”.
Në përfundim të mesazhit, Kishat Evropiane propozojnë një lutje të veçantë dhe vënë në dukje shpresën që Krishtlindja t’i frymëzojë të gjithë “për të kërkuar pajtim dhe paqe, në mënyrë që në vend të ndërtimit të mureve të ndarjes dhe të indiferencës, të mbillen dhe të ushqehen në zemra farat e respektit të ndërsjellë, të solidaritetit dhe të vëllazërimit njerëzor”:
“Lutemi për popullin e Ukrainës, për të gjithë ata që janë përfshirë në dhunë e në luftë, për të gjithë ata që vuajnë dhe kanë frikë, që Ti o Zot, t’i mbrosh e t’i forcosh. Lutemi për udhëheqësit botërorë, që të kenë urti, integritet dhe dhembshuri, që Ti o Zot t’i bësh të ecin në rrugën e drejtësisë dhe të pajtimit. Lutemi për krerët e Kishës, që të kenë aftësi dalluese, vendosmëri dhe guxim, që të thonë fjalë vërtetësie dhe drejtësie. Lutemi për popullin e Rusisë, për ata që bëjnë thirrje t’i jepet fund dhunës dhe konfliktit, për ata që persekutohen, sepse flasin kundër agresionit, që Ti o Zot t’i ngushëllosh, t’i mbështetësh dhe t’i ruash. Kërkojmë ngushëllim për ata që mbajnë zi, shpresë për ata që dëshpërohen, falje për ata që kryejnë dhunë dhe mëshirë për të gjithë ata që vuajnë. Në emër të Jezu Krishtit, Princit tonë të Paqes”.
Mesazhi i Krishtlindjes i WCC-së
Lufta e, në veçanti, kërcënimi për një konflikt të mundshëm bërthamor, në qendër të Mesazhit të Krishtlindjes së Këshillit Botëror të Kishave (WCC), nënshkruar nga Sekretari i përgjithshëm, Rev. Prof. Dr. Ioan Sauca.
Përballë frikës në rritje nga një katastrofë e mundshme bërthamore, nga ndryshimet klimatike dhe uria, të cilat, në epokën e rrjeteve shoqërore, po çojnë edhe “në shtimin e gjuhës së urrejtjes, në përhapjen e teorive konspirative, në shkeljen e të drejtave të njeriut dhe në kërcënime kundër demokracisë”, mesazhi i fton të krishterët t’i besojnë “premtimit hyjnor të paqes në tokë dhe vullnetit të mirë të Zotit në favor të njerëzimit”.
“Ndërsa e përkujtojmë këtë premtim, Shpirti Shenjt na bën njerëz vullnetmirë, pra, “protagonistë të pajtimit e të paqes, që e dëshmojnë dashurinë e Krishtit për botën”, vëren Rev. Sauca, duke vënë në dukje se njerëzit vullnetmirë janë edhe të besimeve të tjera, ose ateistë, “të cilët e ndajnë sot këtë dashuri të dhembshur me fqinjët, sidomos me më të pambrojturit”, duke dëshmuar me jetën e përditshme vlerat e Mbretërisë së Zotit.
“Me urimet më të mira për një periudhë të bekuar Krishtlindjeje, ju ftojmë ta mirëprisni me besim dhe dashuri premtimin e engjëjve për paqe në tokë, si edhe të jetoni si shtegtarë në udhën drejt drejtësisë, pajtimit dhe bashkimit”, përfundon mesazhi i Krishtlindjes i WCC-së