Një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, parashikon transformimin e portit të Durrësit në zonë turistike të dedikuar për pasagjerët dhe jahtet. Ndërkohë që për transportin e mallrave, qeveria parashikon ndërtimin e një porti të ri në Porto Romano. Koordinatori për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në Parlamentin Europian, Michael Gahler, në një intervistë ekskluzive për “Tempora” në Rtv Ora thotë se marrëveshja është në shkelje të ligjit europian sepse nuk ka garë.
Ai thotë se do të kishte preferuar që të jetë një kompani nga vendet e BE, por gjithësesi të paktën të ndiqen procedurat. “E kisha fjalën për marrëveshjen për portin e Durrësit që e morën Emniratet e Bashkuara apo Arabia Saudite. U bë një marrëveshje duke ditur legjislacionin në fuqi. Janë disa gjëra që duhet të mbrohen, duhet të ketë një tender publik për çështje të tilla në mënyrë që njerëz të ndryshëm të aplikojnë për këtë punë apo blerje. Synimi i një tenderi publik është që taksapaguesit të marrin marrëveshje më të mira dhe Ministria e Financave të marrë një marrëveshje më të mirë nga shitja e një porti të tillë. Nëse një vend i huaj e blen atë, atëherë kjo marrëveshje duhet të jetë e hapur që shumë vende të konkurrojnë dhe të fitojë çmimi më i mirë. Por mesa duket kjo ndodhi pa informacion publik dhe procedura që sipas marrëveshjeve që kemi ne nuk ka ndodhur në mënyrën e duhur”, tha Gahler.
Zyrtari i PE ju përgjigj dhe kritikave që Edi Rama bëri sot kundër tij personalisht. Gahler i bëri thirrje mazhorancës të respektojë marrëveshjen e 5 qershorit. Sipas tij, është e pakonceptueshme të shkohet drejt 25 prillit me një polarizim të tillë politik. Sipas tij, më e pakta që palët mund të bëjnë, është të gjejnë konsensusin për procedurën.
“Populli duhet të jetë në qendër dhe jo dikush që aksidentalisht është në fuqi në një pozicion të caktuar për një kohë të përkohshme. Në një demokraci duhet të kemi një qasje ku populli duhet të jetë në qendër. Zgjedhjet e ardhshme duhet të kanalizohen në një mënyrë të atillë që konsensusi të paktën për procedurën duhet të krijohet. Të imagjinosh që do të shkojmë te zgjedhjet e ardhshme në prill me një konfrontim kaq të ashpër nuk ndikon fare për parimin e shtetit. Kjo i drejtohet të gjithëve, sigurisht dhe qeverisë sepse ata janë duke udhëhequr. Duhet të respektojnë marrëveshjen”,- tha ai.
Michael Gahler shpreson shumë që ta ketë keqkuptuar Ramën lidhur me deklaratën se 5 qershori nuk ka pikë rëndësie për të.
“Surprizohem që thotë se marrëveshja e 5 qershorit nuk ka asnjë rëndësi për të, unë nuk e besoj. Nëse ka një marrëveshje të tillë në një çështje kaq delikate, diçka që ishte shumë e rëndësishme për Parlamentin Europian, nuk mund ta flakësh tutje. Ndoshta e kam keqkuptuar atë që më thatë”,- tha Gahler.